Ministry of Internal Affairs

Këshilli i Ministrave – Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, njoftoi pas mbledhjes së Qeverisë miratimin e dy vendimeve të rëndësishme të propozuara nga Ministria e Punëve të Brendshme, duke i cilësuar ato si masa me ndikim të drejtpërdrejtë për mbështetjen e punonjësve të Policisë së Shtetit dhe familjeve të tyre, si edhe për lehtësimin e lëvizjes ndërkufitare me Maqedoninë e Veriut. Në deklaratën për mediat, Lamallari u ndal veçanërisht te vendimi që përcakton trajtimin ekonomik dhe financiar për familjarët e punonjësve të Policisë së Shtetit, që humbin jetën në krye të detyrës, si dhe për policët që plagosen gjatë ushtrimit të detyrës.

“Ky vendim trajton në mënyrë të plotë të gjitha format e mbështetjes për familjet e punonjësve të Policisë së Shtetit që kanë sakrifikuar jetën në krye të detyrës dhe për efektivët që plagosen gjatë shërbimit. Është një detyrim moral dhe institucional ndaj atyre që shërbejnë çdo ditë për sigurinë e qytetarëve,” u shpreh ministri.

Sipas tij, paketa përfshin ndihmë të menjëhershme financiare deri në 10 paga mujore bruto për familjet e policëve të rënë në detyrë, pension suplementar familjar, bursa të plota studimi për fëmijët në arsimin parauniversitar dhe të lartë, si edhe punësim me prioritet për familjarët. Një nga risitë më të rëndësishme të vendimit, sipas Lamallarit, është garantimi i strehimit për familjet e policëve të rënë në detyrë.

“Bashkëshortët dhe fëmijët e mitur të punonjësve të Policisë së Shtetit që kanë humbur jetën gjatë detyrës do të përfitojnë banesa falas, përmes Entit Kombëtar të Banesave, projekteve të Korporatës së Investimeve Shqiptare, por edhe nga pasuritë e konfiskuara nga krimi i organizuar që administrohen nga AAPSK. Është mënyra më e mirë për t’i kthyer pasuritë e krimit në shërbim të qytetarëve dhe familjeve që kanë bërë sakrificën më të madhe për shtetin,” deklaroi ai.

Gjatë komunikimit me gazetarët, ministri bëri të ditur gjithashtu se Qeveria miratoi marrëveshjen me Maqedoninë e Veriut për pikat e përbashkëta të kalimit kufitar, e cila synon të lehtësojë procedurat për qytetarët dhe bizneset.

“Kjo marrëveshje do të sjellë kalime më të shpejta në kufi, do të mbështesë turizmin dhe do të lehtësojë qarkullimin e mallrave mes dy vendeve. Ndërkohë që pritet ratifikimi në parlamentet respektive, do të përdorim periudhën e testimit për të zbatuar në praktikë procedurat e reja të lehtësuara,” tha Lamallari.

I pyetur për pagesën e orëve shtesë të punonjësve të Policisë së Shtetit, ministri deklaroi se nuk rezultojnë problematika të qenësishme në administrimin e tyre.

“Nga verifikimet që kemi kryer në të gjitha nivelet e Policisë së Shtetit nuk rezultojnë vonesa sistematike në pagesën e orëve shtesë. Të gjitha angazhimet e dokumentuara trajtohen sipas procedurave financiare në fuqi,” u shpreh ai.

Duke iu përgjigjur pyetjeve mbi protestën e paralajmëruar përpara Kuvendit dhe reagimin e Policisë së Shtetit, Lamallari theksoi se institucioni do të vijojë të garantojë të drejtën kushtetuese të qytetarëve për të protestuar, duke zbatuar ligjin dhe duke reaguar ndaj çdo akti dhune.

“Sjellja e Policisë së Shtetit gjatë protestave ka qenë shembullore. Me gjithë provokimet dhe aktet e dhunës ndaj efektivëve, policia ka treguar maturi, vetëpërmbajtje dhe profesionalizëm. Detyra jonë është të garantojmë të drejtën për protestë paqësore, por njëkohësisht të procedojmë çdo person që shkel ligjin apo ushtron dhunë,” deklaroi ministri.

Ai shtoi se Policia e Shtetit do të vazhdojë të mbrojë jo vetëm protestuesit paqësorë, por edhe qytetarët, deputetët, gazetarët dhe çdo person që ushtron detyrën apo të drejtat e tij në përputhje me ligjin.

“Nuk duhet të ngatërrojmë protestën paqësore me dhunën. Kush ushtron të drejtën kushtetuese për të protestuar do të ketë mbrojtjen e Policisë së Shtetit, ndërsa kush sulmon efektivët, gazetarët apo cenon rendin publik do të përballet me ligjin,” përfundoi Lamallari.

Komunikimi me mediat pas mbledhjes së qeverisë, pyetjet nga gazetarët:

Ministri Lamallari: Përshëndetje të gjithëve! Kam kënaqësinë të ndaj, në fakt lajmin, që janë miratuar dy vendime shumë të rëndësishme, të cilat vijnë si propozime të Ministrit të Punëve të Brendshme dhe kabineti qeveritar gjykoi me rëndësi të miratohet së pari vendimi, i cili përcakton masën, procedurat dhe rregullat për trajtimin ekonomik financiar për familjarët e punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët kanë humbur jetën për shkak të detyrës si dhe shpërblimi dhe mbështetje që duhet të marrin të gjithë ato punonjës policie, të cilët janë plagosur gjatë kryerjes së detyrës. Është një lajm i mirë, për vetë faktin se në mënyrë shteruese ky vendim trajton të gjithë elementet e nevojshëm, si nga ndihma e menjëhershme që jepet ndaj familjarëve të punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës, e cila shkon deri në 10 paga mujore bruto të punonjësit të ndjerë. Më pas me pensionin familjar suplementar, që përfitohet nga familjarët e punonjësit të Policisë dhe bursa të plota arsimore, si për sistemin parauniversitar ashtu edhe atë të lartë, për fëmijët e punonjësve, si dhe punësimi me prioritet për familjarët e punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës.  Por, ajo çfarë është më e rëndësishmja, dhe që rregullohet në mënyrë shumë të detajuar përmes këtij vendimi, është dhe banesat falas për familjarët, duke përfshirë bashkëshortët dhe të miturit, fëmijët e punonjësve të rënë në krye të detyrës, të cilët përfitojnë banesa të ndërtuara nga Enti Kombëtar i Banesave, apo ato që vijnë nga zbatimi i projekteve, të monitoruara nga Korporata e Investimeve Shqiptare si dhe banesa, të cilat janë konfiskuar nga krimi i organizuar dhe administrohen nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.

Kështu që, kjo është një zgjidhje shumë e mirë, duke shfrytëzuar të gjithë kapacitetet e nevojshme dhe hapësirat ligjore, përfshirë dhe kthimin për qëllime shumë sociale, si kjo që ne po përmendim të pasurive të marra njëherë përgjithmonë nga krimi i organizuar. Unë mendoj që ky është një lajm i mirë për të gjithë ato familjarë të martirëve të Policisë, sidomos të miturve, fëmijëve të tyre dhe nga ana tjetër një vendim tjetër shumë i rëndësishëm që u miratua sot është dhe marrëveshja e nënshkruar në fund të muajit qershor, së bashku me homologun e Maqedonisë së Veriut, për pikat e përbashkëta të kalimit kufitar dhe kryerjen në mënyrë të përbashkët të veprimtarive mes autoriteteve përkatëse të kontrollit kufitar duke përcaktuar procedura më të lehtësuara, si për udhëtarët, por ashtu dhe për automjetet, kamionët, të cilët shkëmbejnë mallra mes dy vendeve tona.

Kjo është një kontribut jo vetëm në rritjen e një turizmi cilësor në kuptim të procedurave të lehtësuara pa radhë, por edhe të një ekonomie më të fortë mes dy vendeve tona, duke qenë se përfitojnë dhe bizneset pikërisht nga kjo marrëveshje, e cila nga ky moment i çohet drejtpërdrejt dhe Parlamentit shqiptar për miratim, për ratifikim. Megjithatë, ajo çfarë dua të theksoj është se ne do të fillojmë, dhe nga komunikimi më i fundit që unë kam pasur ditën e sotme me homologun e Maqedonisë së Veriut, do të shfrytëzojmë periudhën deri në miratimin, në ratifikimin e parlamentit përkatës, pasi kjo marrëveshje nuk është ratifikuar ende as nga vendi fqinj. Po ndjekim procedurat e brendshme. Ne do të shfrytëzojmë periudhën e testimit, pikërisht për të lehtësuar në praktikë kalimet e lehtësuara të qytetarëve dhe të mallrave përmes këtyre pikave kufitare të cilat janë pjesë e marrëveshjes.

Pyetje nga Ora News: Zoti ministër, ju folët për mbështetjen e familjeve të të rënëve në detyrë, të atyre që janë plagosur, por po ashtu shqetësuese mbetet sa i përket pagesës së orëve shtesë të policisë. E kam bërë një herë këtë pyetje për një prej kolegëve tuaj në qeveri, por nuk pata një përgjigje konkrete. Kur do të marrë fund pagesa e plotë e orëve shtesë të punonjësve të policisë, pasi më rezulton se ka shumë probleme me pagesën e këtyre orëve shtesë? Nuk janë marrë ende. Kur do të marrë fund kjo problematikë?

Ministri Lamallari: Kam dëgjuar vazhdimisht për këtë çështje, por, për hir të së vërtetës, nuk ka. Edhe pse administrojmë regjistrat e llogarive financiare deri në nivel komisariati, nuk ka shqetësime të tilla që ngrihen. Përkundrazi, ka pasur raste që, për shkak të vështirësive në punë, ka pasur trajtim suplementar, pra shpërblime për punonjës policie të angazhuar në menaxhim të situatave të caktuara dhe nuk ka asnjë lloj pretendimi. Kjo është edhe e faktuar, e dokumentuar për vonesa të orëve shtesë. Sigurisht, ato mblidhen, administrohen dhe i ofrohen çdo punonjësi, i cili, sipas procesverbaleve përkatëse, është dokumentuar që ka marrë pjesë në turne shtesë, angazhime për qëllime të ndryshme. Nuk më rezulton në momentin që flasim të ketë diçka të tillë.

Pyetja nga A2 CNN: Ditën e nesërme, është paralajmëruar një protestë përpara parlamentit, dhe duke iu referuar praktikave apo edhe çfarë ka ndodhur në protestat e tjera, ka pasur akuza jo vetëm nga protestuesit apo nga opozita, por dhe nga organizatat ndërkombëtare këtu në vend, apo organizata të tjera të cilat sipas tyre sjellja e Policisë ka qenë joproporcionale përsa i përket reagimit të qytetarëve. A ka një reflektim nga ana e Policisë, përsa i përket reagimit ndaj protestës së qytetarëve, pasi ditën e nesërme është thirrur një protestë e madhe përpara se ju të hyjni në seancë plenare? Faleminderit!

Ministri Lamallari: Atëherë, nëse do të thoshim dhunë nga forcat e sigurisë dhe jo proporcionale, jemi në një vend ku pak metra më tutje në këtë shtet, proporcionaliteti shkonte deri në fatalitet, ku njerëz të pafajshëm janë vrarë për shkak se protestonin dhe ende sot nuk është bërë drejtësi për ata njerëz dhe familjarët e tyre. Kështu që ne duhet të jemi shumë të arsyeshëm në atë çfarë pretendojmë. Faktet janë të administruara dhe nga ju, si media, ku jo vetëm punonjësit e Policisë janë dëmtuar, për shkak se kanë qenë duke bërë detyrën për garantimin e sigurisë, kjo shumë e nevojshme dhe për vetë protestuesit në ushtrimin e të drejtës së tyre paqësore, por sigurisht duhet të ndajmë, mes atyre që ushtrojnë një të drejtë kushtetuese për të reaguar në mënyrë paqësore dhe dikujt tjetër të paktë, të cilat janë dokumentuar, janë proceduar dhe ndjekur penalisht nga Policia e Shtetit dhe Prokuroria.

Kemi patur dhe masa të konfirmuara dhe nga Gjykata, bazuar në gjithë evidencat përfshirë dhe ato materiale, audio, video të ofruara dhe nga mediat, ku për fat të keq ka patur jo vetëm punonjës policie të goditur, por ka patur edhe punonjës të medias gazetarë, kolegë tuaj, operatorë të cilët janë intimiduar, janë sulmuar, konfrontuar nga protestues të dhunshëm dhe kjo është fakt, ky është fakt publik, e kanë parë të gjithë. Prandaj unë mendoj, që nëse ka diçka që të gjithë duhet të bien dakord është që sjellja e Policisë së Shtetit përgjatë gjithë këtyre ditëve që ka qenë protestar, me gjithë provokimet, me gjithë gurët e hedhur, me gjithë akuzat, me gjithë baltën e bërë në çdo qoshe, në çdo media, në çdo rrjet social, kudo që ka qenë hapësira e mundshme, sjella në fakt ka qenë shembullore. Kurrë më parë, nuk kemi parë një sjellje kaq të matur duke ushtruar durim, vetëpërmbajtje edhe ndonëse u është dashur që të përballen me dhunë fizike, nga protestues të caktuar. Do të vijojmë kështu. Policia e Shtetit është aty për të zbatuar ligjin dhe për të garantuar sigurinë përfshirë, edhe për protestuesit të cilët në të drejtën e tyre duan të dalin të protestojnë paqësisht. Por, patjetër nga ana tjetër, ato kanë edhe gjithashtu detyrimin të procedojnë çdokënd që shkel ligjin për axhenda të caktuara.

Pyetje nga Ora News: Zoti ministër, cila është nevoja që, pasi të jetë prangosur një prej protestuesve, qoftë ky i dhunshëm, pasi është prangosur, cila është nevoja që të goditet me shkelma apo me grushte dhe me shkopinj gome nga ana e punonjësve të policisë, për aq kohë sa ju e konsideroni sjellje shembullore?

Ministri Lamallari: Sjellja shembullore e Policisë së Shtetit është marrë në tërësi për të gjithë kohën që janë zhvilluar protestat. Nuk ka pasur eskalim, përshkallëzim të sjelljes apo dhunë policore në kushtet kur, realisht, do të ishin revoltuese jo vetëm për pjesëmarrësit në protesta, por për çdo kënd tjetër. Ky është fakt. Pastaj, nëse merremi me situata të caktuara, ku demonstrojmë vetëm një fragment, një episod të caktuar, duke e shkëputur nga konteksti, ku luhet shumë mirë edhe me imazhet e montuara në rrjetet sociale, më pas del dhe provohet se është fakt, që ajo që u shit si një kauzë e dhimbshme ishte qartazi një person që shkelte në mënyrë flagrante ligjin, dëmtonte punonjësin e Policisë së Shtetit, dëmtonte pasurinë e përbashkët, mjetet e Policisë së Shtetit, që janë të paguara nga taksapaguesit shqiptarë. Të intimidosh deputetët e parlamentit shqiptar, t’i sulmosh ata sepse po shkojnë të bëjnë detyrën e tyre, kjo nuk ka të bëjë më me demokracinë. Çdo punonjës sigurie ka detyrim ligjor të garantojë çdokënd, ashtu siç vetë protestuesit të ushtrojnë të drejtën e tyre në mënyrë paqësore, por, nga ana tjetër, çdo zyrtar, edhe deputetët, të kryejnë detyrën e tyre karshi përgjegjësisë, që u është dhënë nga vetë qytetarët.