Ministry of Internal Affairs

Tiranë – Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, zhvilloi një takim me të Dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Çarmatimin dhe Mospërhapjen, Stephan Klement, i shoqëruar nga përfaqësues të Zyrës Rajonale të SEESAC dhe UNDP Albania.

Gjatë takimit u diskutua mbi progresin e Shqipërisë në zbatimin e Udhërrëfyesit Rajonal për Kontrollin e Armëve, sfidat e përbashkëta që lidhen me sigurinë në rajon dhe në Bashkimin Evropian, si dhe rëndësia e forcimit të mekanizmave të kontrollit të armëve dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.

Ministri Lamallari vlerësoi mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë dhe ritheksoi angazhimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për të vijuar zbatimin e standardeve më të larta në luftën kundër trafikut të paligjshëm të armëve dhe në përmbushjen e objektivave të sigurisë.

Gjatë bisedës u nënvizua se Shqipëria mbetet një partner i besueshëm i Bashkimit Evropian dhe një kontribuues aktiv në përpjekjet për paqe, stabilitet dhe siguri, duke përmbushur me përgjegjësi angazhimet e saj ndërkombëtare dhe duke avancuar me vendosmëri në procesin e integrimit evropian.