Ministry of Internal Affairs

VIDEO – Kryeadministratorja e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), Risena Xhaja, zhvilloi një vizitë pune në qarkun e Dibrës, ku inspektoi dhe ndoqi nga afër rezultatet e mbështetjes së ofruar nga Agjencia për institucionet vendore dhe shëndetësore.

Në Spitalin e Bulqizës, në praninë e zv.ministrit të Shëndetësisë, Oltjon Muzaka, u prezantua mbështetja e realizuar nga AAPSK përmes transferimit të krevateve për pacientë, komodinave, dollapëve, tavolinave, karrigeve, pajisjeve elektroshtëpiake dhe mjeteve të tjera ndihmëse, me synimin për përmirësimin e kushteve të shërbimit dhe rritjen e cilësisë së kujdesit shëndetësor për qytetarët.

Kryeadministratorja inspektoi edhe automjetin e konfiskuar të vënë në dispozicion të Drejtorisë së Shëndetit Publik Bulqizë, me vendim të Komitetit Ndërinstitucional, për të mbështetur aktivitetin e institucionit në shërbim të komunitetit.

Vizita vijoi në Bashkinë Klos, ku u prezantua automjeti i konfiskuar i dedikuar për transportin dhe ofrimin e shërbimeve për fëmijët me aftësi të kufizuara, si dhe në Bashkinë Mat, e cila është mbështetur me dy automjete të konfiskuara për përmirësimin e shërbimeve publike dhe realizimin e detyrave në funksion të qytetarëve.

AAPSK vijon të dëshmojë se administrimi i pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara krijon vlerë konkrete për shoqërinë, duke i kthyer këto pasuri në asete që mbështesin institucionet publike dhe përmirësojnë shërbimet për qytetarët.

#OneStepCloser