Ministry of Internal Affairs

Intervista – Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Xhemal Qefalia, në një intervistë për Klan News, ka folur për masat e ndërmarra nga Policia e Shtetit, ndaj një veprimtarie, që dyshohet të jetë koordinuar për të goditur turizmin shqiptar si dhe protestat e ditëve të fundit në vend dhe akuzat ndaj efektivëve. Zv.ministri theksoi se Policia e Shtetit reagon çdo herë që ndërhyhet në sistemin kompjuterik, që ka të bëjë me cenimin e bizneseve apo individëve të veçantë. Sulmet hibride ndaj bizneseve të ndryshme, Qefalia tha se duhen shqyrtuar nëse janë vërtetë të organizuara, ulin interesin dhe dëmtojnë ekonomikisht këto subjekte.

“Në këtë rast, mendoj që mbrohen interesat jo vetëm të një biznesi të caktuar, por interesat dhe imazhet e Shqipërisë. Gjithsesi drejtori i i përgjithshëm, zoti Hita ishte shumë i kujdesshëm. Ai tha që mbetet për t’u parë nëse do ketë fenomene të cilët janë të organizuar me qëllim për të dëmtuar imazhin që këto turistë mos të frekuentojnë bregdetin apo malet shqiptare apo të adresohen në një vend tjetër me qëllim që të mbrohet dhe ekonomia shqiptare”, tha zëvendësministri.

Sa i përket protestës dhe reagimit të Policisë së Shtetit, ai dënoi sulmet ndaj efektivëve.

“Nuk them se është diçka, që është përdorur ndonjë hata e madhe duke u përdorur miell apo vezë sepse ndodhin këto në protesta, por punonjësi i policisë është atje për të zbatuar ligjin është atje për të zbatuar detyrën në mënyrë profesionale. Kështu që në këtë këndvështrim mendoj që përdorimi i dhunës absolutisht është i dënueshëm”, tha zëvendësministri.

Ai theksoi se nga ana e efektivëve, nuk është përdorur dhunë, duke rikujtuar edhe deklaratat e ministrit të Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari. Sidoqoftë, zëvendësministri tha se kur protestat janë të rregullta dhe të ligjshme, ndikojnë edhe në imazhin ndërkombëtar të vendit.

“Kur protestat janë të rregullta dhe të ligjshme natyrisht i japin një imazh të mirë Shqipërisë, Për një qeveri, e cila është tashmë demokratike, një qeveri e cila është e ligjshme, e cila nuk ndërhyn për të shuar protesta, por përkundrazi dëgjon me sy dhe me veshë, shqetësimet e qytetarëve dhe duhet t’i vendosin në axhendën e saj për t’ua zgjidhur ato”, tha Qefalia.

Së fundmi, zëvendësministri rikujtoi edhe ndryshimet në buxhet, lidhur me punonjësit e policisë dhe zjarrfikësit.

“Ndryshimi në buxhetin edhe për Ministrinë e Brendshme, që ju vjen në ndihmë jo vetëm zjarrfikësve por edhe punonjësve të policisë për ditët e pushimit apo orët jashtë orarit për t’u paguar, është një vëmendje e shtuar që tregon qeveria dhe ndaj kësaj kategorie”, tha Qefalia.