Ministry of Internal Affairs

Vendimi – Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, njoftoi se Qeveria ka miratuar një vendim që përmirëson trajtimin financiar të efektivëve të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, duke garantuar një sistem më të drejtë kompensimi dhe mbështetje më të madhe për punën e tyre.

Sipas ministrit Lamallari, vendimi i miratuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë parashikon një trajtim më të favorshëm financiar për orët shtesë, punën gjatë natës, në ditët e pushimit javor dhe festat zyrtare, si edhe vendos standarde të qarta për mbrojtjen e efektivëve nga mbingarkesa në punë.

“Ky është një lajm i mirë për ata që janë në vijën e parë sa herë që qytetarët kanë nevojë, që përballen me zjarrin, rrezikun dhe çdo situatë emergjente, pa kursyer asgjë nga vetja,” u shpreh ministri Lamallari.

Ai theksoi se ky vendim përfaqëson një tjetër hap konkret në përmbushjen e angazhimit të qeverisë për të forcuar dhe mbështetur më tej Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, duke vlerësuar rolin e pazëvendësueshëm të efektivëve në garantimin e sigurisë së jetës dhe pronës së qytetarëve.

“Vendimi i sotëm është një hap tjetër domethënës në përmbushjen e angazhimit që ne kemi ndërmarrë për të forcuar e mbështetur më tej djemtë dhe burrat që shërbejnë në këtë shërbim tejet të rëndësishëm. Përkushtimi i tyre nuk njeh orar e as vështirësi, ndaj ne kemi detyrimin e përbashkët t’u gjendemi gjithmonë pranë,” deklaroi ministri Lamallari.

Përmes këtij vendimi, Qeveria synon të rrisë motivimin e efektivëve të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, duke garantuar një trajtim financiar më dinjitoz dhe kushte më të mira për përmbushjen e misionit të tyre në mbrojtje të qytetarëve.