Ministry of Internal Affairs

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, së bashku me ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, zhvilluan një inspektim në Pikën Kufitare të Bllatës, më Dibër, ku u njohën nga afër me procedurat e ndjekura nga autoritet policore, doganore dhe të AKU-së për kontrollin e njerëzve, mjeteve e mallrave. Mesazhi kryesor që u dha nga të dy ministrat, ishte rritja e bashkëpunimit dhe komunikimit mes strukturave tona kufitare, për të garantuar standardet e sigurisë sidomos të produkteve ushqimore, pa lënë mënjanë frenimin e tentativave për kontrabandim e trafikim nga elementët kriminalë.
Gjithashtu u vlerësuan edhe investimet për rinovimin dhe për modernizimin e pikës kufitare, si dhe rritja e kapaciteteve infrastrukturore, me theksin në bashkëpunimit ndërinstitucional.
Duke folur për rëndësinë që ka pika e kalimit kufitar në Bllatë, ministri Lamallari vuri në dukje se:
“Kjo pikë kufitare është shumë e rëndësishme dhe rëndësia e saj ka ardhur gjithmonë duke u rritur, duke pasur parasysh fluksin e udhëtarëve, mjeteve dhe mallrave. Vetëm në 5 muajt e fundit kemi pasur rreth 700 mijë udhëtarë, të cilët kanë kaluar përmes kësaj PKK, rreth 300 mijë mjete, ndërsa fluksi ditor llogaritet rreth 4600 udhëtarë çka nënkupton që kjo pikë nuk është më thjesht një vendkalimi kufitar, por ka një rëndësi ekonomike e strategjike për kufirin mes dy vendeve tona.


Është me shumë rëndësi bashkëpunimi ndërinstitucional ku AKU ka rolin e vet, po ashtu edhe Dogana në mënyrë që të garantohet edhe kalimi sa më i shpejtë i qytetarëve, mallrave e mjeteve, por nga ana tjetër të mos cenohet cilësia dhe të garantojnë cilësinë e kërkuar si në shërbim ndaj qytetarëve e po ashtu edhe në procesimin e mallrave që kalojnë në këtë PKK,” theksoi Lamallari.
Në lidhje me investimet rinovuese dhe modernizuese që po bëhen në të gjithë pikat kufitare, përkatësisht edhe për PKK Bllatë, Ministri i Punëve të Brendshme tha:
“Bashkë me Ministrin për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, jemi këtu, për të parë investimet që po bëhen nga qeveria e Shqipërisë. Edhe këtu po shohim që kemi një rikonstruksion, prandaj është shumë e rëndësishme të rrisim kapacitetet e përpunimit, të sigurisë, dhe mbi të gjithë koordinimin ndërinstitucional të policisë me agjencitë e tjera ligjzbatuese,” – tha ministri Lamallari.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, vuri në pah gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit mes strukturave dhe agjencive të ndryshme në kufi, duke nënvizuar punën që bën Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në drejtim të sigurisë ushqimore. Salla tha se “Kontrollet që bëjmë ne sipas procedurave ligjore që kemi, për disa komponentë, atë fitosanitar, veterinar etj., duhet të jenë rigoroze prandaj duhet të kemi një kombinim shumë të mirë mes Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Financave, përmes doganave, por edhe Policisë së Shtetit që të kryejmë të gjitha kontrollet në gjithçka që kalon përmes kësaj pike.”
Puna e përbashkët e institucioneve në pikat kufitare ka për qëllim edhe garantimin e sigurisë ushqimore, goditjen e krimit ekonomik si bllokimin e çdo tentative për futjen e mallrave të kontrabanduara.