Ministry of Internal Affairs

VIDEO – Në qytetin e Pogradecit u zhvilluan homazhet në nderim të Dëshmorit të Atdheut Enea Mekolli, i cili dje, humbi jetën heroikisht në krye të detyrës, duke u bërë Dëshmori i 232-të nga radhët e Policisë së Shtetit. Në ceremoni nderuan veprën e të rënit, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, Zv.kryeministrja, Albana Koçiu, Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, drejtues të Policisë së Shtetit, të zgjedhur vendorë, familjarë e kolegë të Dëshmorit.

“E veshi uniformën me dinjitet dhe e nderoi atë me sakrificën më të lartë. Mbrojti rendin dhe sigurinë e qytetarëve me ndershmëri, guxim dhe përkushtim deri në frymën e fundit. Emri i tij do të mbetet i gdhendur në kujtesën e Policisë së Shtetit dhe në historinë e atyre që zgjodhën t’i shërbejnë Shqipërisë me uniformë. Nderim i përjetshëm për Dëshmorin e Atdheut, Enea Mekolli!”, shkruan ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari.

“Kjo ngjarje është edhe një thirrje për të gjithë qytetarët që besojnë te ligji, rendi dhe siguria, dhe që vlerësojnë misionin e punonjësve të Policisë së Shtetit. Ata burra dhe gra, djem dhe vajza që shihni çdo ditë në rrugë, janë njerëzit që në momentet e rrezikut nuk tërhiqen, por ecin drejt tij, për të mbrojtur jetën, sigurinë dhe qetësinë e qytetarëve. Mbështeteni Policinë tuaj. Vlerësojeni sakrificën e saj, seepse kjo është një detyrë, që shpesh kërkon gjithçka, deri edhe jetën”, u shpreh Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita.