Ministry of Internal Affairs

VIDEO Spitali i Traumës – Ministri Lamallari: Kam kërkuar nisjen e procedurave të menjëhershme për shpalljen “Dëshmor i Atdheut”. Kemi plot 232 tashmë, fatkeqësisht, efektivë policie të cilët janë martirë të policisë. Nuk duhej ky rast, është një fatkeqësi si për familjen, ashtu edhe për gjithë shtetin shqiptar.

Patjetër, e kam thënë edhe më herët, në komunikim me Drejtorin e Përgjithshëm, i kam kërkuar të bëjë një vlerësim të plotë, katërcipërisht të situatës, respektimit të protokolleve dhe ndërmarrjes së veprimeve të duhura disiplinore dhe çdo mase tjetër ligjore, konform ligjit në fuqi dhe përgjegjësisë që gjithsecili duhet të ketë për menaxhimin e kësaj situate.

Nga ana tjetër, jemi edhe pranë familjes së efektivit të plagosur, Edison Adri, dhe po sigurojmë çdo mbështetje të kërkuar dhe të nevojshme.

Dëmtimet janë në nofull dhe në qafë, më njoftoi stafi mjekësor. Nuk doja të ndërhyja në punën e tyre, sepse ajo që është e rëndësishme në situata të tilla është që çdo sekondë ka vlerë dhe ata duhet të jenë të pranishëm dhe të qetë në punën e tyre. Por po bëjnë të pamundurën për dëmtimet që kanë ardhur për shkak të armës së zjarrit. Ajo që është më e rëndësishme është që gjendja të paraqitet e saktë dhe e specializuar. Megjithatë, në operacione të tilla, siç thonë edhe mjekët me të drejtë, duhet durim dhe ata të bëjnë punën e tyre.

Padyshim, siç e kam thënë edhe më herët, një situatë e tillë kërkon vëmendje maksimale dhe një hetim të thelluar mbi përgjegjësitë disiplinore dhe ligjore në menaxhimin e situatave. Patjetër, në komunikim me Drejtorin e Përgjithshëm, ju siguroj se një hetim i tillë po vijon. Drejtori i Përgjithshëm është nisur tashmë drejt Korçës. Pasi të mbaroj këtë takim këtu me ju, edhe unë do t’i bashkëngjitem për të shkuar atje.

Sigurisht, ky është një apel për çdo drejtues, i cili duhet, me përgjegjësinë më maksimale dhe më të lartë, të ruajë jetën dhe shëndetin e kolegëve të tij. Më pas, është edhe koha për përgjegjësi morale dhe ligjore.

Çfarëdo që të nxjerrë hetimi dhe kushdo që do të dalë përgjegjës para këtij hetimi, do të mbajë përgjegjësi, për këtë ju siguroj. Ajo që është më e rëndësishme në këtë moment është homazhi dhe respekti me përulje për familjen e efektivit të ndjerë dhe mbështetja. Lutem që Edisoni, i cili po përballet tashmë me ndërhyrjet që po bën stafi mjekësor për të shpëtuar jetën e tij. Kjo është më e rëndësishme për mua në këto momente.