Ministry of Internal Affairs

Fjala e plotë e ministrit të Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, në seancë plenare:

E nderuar drejtuese e seancës,

të dashur qytetarë,

Në fakt, është bërë traditë tashmë, që kërkohen interpelanca urgjente. Sigurisht, kam detyrimin kushtetues të vij përpara çdo interpelance që kërkohet, por se ku është urgjenca këtu, unë nuk e kuptoj. U përpoq zotëria të jepte disa argumente, por që nuk qëndrojnë fare para argumenteve dhe fakteve që jep Shqipëria, autoritetet zyrtare, por edhe Komisioni Europian dhe kryesisht Agjencia Bregdetare ose Kufitare Evropiane, FRONTEX. Tani, megjithatë, në respekt të deputetëve, detyrimit tim kushtetues dhe ligjor, thashë që kam ardhur që në mëngjes për t’ju përgjigjur kësaj interpelance, edhe pse dita është e tillë që do doja shumë të isha pranë familjarëve dhe punonjësit të Policisë së plagosur. Thashë dhe më herët, në përgjigje të ndërhyrjes së zotit Këlliçi, që komunikimi me Drejtorin e Përgjithshëm më garantoi, që është jashtë rrezikut për jetën dhe ky është një lajm i mirë.

Pavarësisht se autoritetet mjekësore po bëjnë të pamundurën ta risjellin sa më parë pranë familjes Edisonin dhe, nga ana tjetër, ngushëllimet më të ndjera për familjen Mekolli, për punonjësin e vrarë të Policisë së Shtetit. Dhe kjo ishte arsyeja pse e thashë, ndoshta edhe me tone emocionale, mëse njerëzore dhe të mirëkuptueshme, që pasi u ngrihesh në një minutë heshtje në respekt të policit të vrarë, ajo që duhet të pasojë është respekti dhe jo teatri.

Përfolët, pyetët, gjoja pyetët Ministrin e Brendshëm dhe vetëm fjala nuk jepet. Shndërrohet në një teatër ku fjala kalohet nga dora në dorë, nga goja në gojë, duke bërë të njëjtin mëkat, duke anatemuar Policinë e Shtetit, duke bërë sulme verbale dhe intimiduese ndaj Policisë së Shtetit.

Policia është e Shtetit dhe nëse ju e intimidoni atë, sigurisht nuk i shërben askujt, as sigurisë së qytetarëve dhe as punonjësve të policisë, të cilët përballen, për fat të keq, me situata të tilla.

Kështu që, ju lutem shumë, kërkoj mirëkuptimin tuaj që të paktën, kur flitet për situata të tilla, dhe në respekt të gjestit që ju bëtë, të qëndroni në heshtje dhe të mos mundoheni të kapitalizoni. Lëreni këtë atyre dy deputetëve që dalin nga protesta në protestë me qëllimin e vetëm të kapin ndonjë reels, sepse askush nuk i beson. Përkundrazi, janë thjesht disa njerëz të paskrupullt, që dalin me qëllimin e vet populist dhe as protestuesit atje nuk i besojnë.

Në ëndrrat e tyre më të bukura do të ëndërronin të ishin në organizim, por shanset i kanë vetëm të dytët të dalin atje dhe të vijnë këtu, të bëjnë shumë me zërin çjerrës që kanë ndaj punonjësve të policisë, ndaj organizatës më të madhe të shtetit shqiptar dhe, gjasme, duhet kërkuar interpelancë ndaj ministrit të Brendshëm. Pasohen në korin tuaj me zhurmën që e keni çdo ditë, në çdo seancë, dhe unë realisht kërkova respektin dhe mirëkuptimin tuaj që t’i përgjigjem pikërisht kërkesës suaj dhe vijuat me teatrin e shëmtuar.

Nuk e fsheh dot habinë e kërkesës për këtë interpelancë, a thua se Shqipëria ndodhet në ndonjë krizë migratore apo ka humbur kontrollin mbi kufijtë e saj. Përkundrazi, të gjitha të dhënat tregojnë se vendi ynë po menaxhon mjaft mirë flukset migratore, duke forcuar vit pas viti kapacitetet e kontrollit kufitar, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe goditjen e rrjeteve kriminale. Megjithatë në respekt të deputetëve të opozitës dhe në përmbushjen e detyrimit kushtetues që kam, jam këtu për t’ju përgjigjur shqetësimit që ju keni ngritur.

Të nderuar deputetë,

migracioni është një çështje që lidhet drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare, kontrollin e territorit, luftën kundër krimit të organizuar dhe detyrimet që Shqipëria ka marrë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian. Fakt është se nuk kemi një krizë migratore dhe se vendi ynë po kontribuon aktivisht në sigurinë e kufijve të Evropës. Në vitin 2024 janë evidentuar 1,540 migrantë të parregullt, ndërsa në vitin 2025 janë evidentuar 1,926. Po, kemi një rritje prej rreth 25%, por kjo duhet parë në perspektivë. Në vitin 2022 u evidentuan mbi 8 mijë migrantë të parregullt, ndërsa në vitin 2023 mbi 6 mijë. Pra, niveli aktual mbetet shumë më i ulët se periudhat kur Ballkani Perëndimor përballej me presione të forta migratore. Rritja e evidentuar gjatë vitit 2025 nuk duhet lexuar jashtë kontekstit të zhvillimeve rajonale dhe të dhënave afatgjata. Në fakt, Shqipëria sot përballet me nivele dukshëm më të ulëta të migracionit të parregullt krahasuar me vitet e flukseve intensive.

Një fenomen i ri i konstatuar nga fundi i vitit 2025 ka qenë hyrja e paligjshme e shtetasve nga Bangladeshi, Nepali dhe Sri Lanka përmes kufirit me Malin e Zi, pasi më herët ishin pajisur me viza ose leje qëndrimi në Serbi. Autoritetet shqiptare kanë vepruar menjëherë për identifikimin dhe verifikimin e tyre, duke zbatuar procedurat e ripranimit ose kthimit vullnetar në vendet e origjinës. Po ashtu, të dhënat zyrtare tregojnë se numri i azilkërkuesve në Shqipëri ka rënë nga 261 në vitin 2023 në vetëm 104 gjatë vitit 2024, ndërsa shumica e tyre vijnë nga Afganistani, Siria dhe Pakistani. Këto tregues, së bashku me intervistat e zhvilluara me migrantët e ndaluar, konfirmojnë se Shqipëria nuk perceptohet si destinacion përfundimtar, por kryesisht si një vend tranziti drejt vendeve të Bashkimit Europian, si Gjermania, Austria, Suedia dhe Holanda. Kjo është arsyeja pse sfida jonë kryesore mbetet menaxhimi efektiv i flukseve dhe goditja e rrjeteve kriminale që përpiqen të shfrytëzojnë këto lëvizje migratore.

Një nga pyetjet e ngritura në kërkesën tuaj, lidhet me trafikimin e qenieve njerëzore dhe rrjetet kriminale që operojnë në këtë fushë. Përgjigjja jonë është e qartë; këto rrjete ekzistojnë, por ato po goditen me një intensitet në rritje dhe këtu shifrat flasin qartë. Gjatë vitit 2025 janë finalizuar 14 operacione policore kombëtare kundër trafikimit të personave, si dhe një operacion i përbashkët ndërkombëtar në kuadër të Europol-it, me pjesëmarrjen e Policisë Shqiptare, Policisë Kolumbiane dhe Policisë Kroate, nën koordinimin e Eurojust. Janë ndjekur me metoda speciale hetimi 26 raste të trafikimit të personave dhe janë proceduar dhjetëra autorë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Këto nuk janë thjesht statistika. Janë tregues të kapaciteteve në rritje të shtetit për të identifikuar, hetuar dhe çmontuar rrjete kriminale që operojnë përtej kufijve kombëtarë.

Po ashtu, gjatë vitit 2025 janë evidentuar 44 raste të ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit, ku është tentuar kontrabandimi i 121 personave.  Kjo tregon se strukturat tona jo vetëm po monitorojnë fenomenin, por po e godasin atë në kohë reale.

Për shqetësimin tuaj që lidhet me forcimin e kufijve tokësorë dhe detarë, dua të them se Shqipëria ka bërë investimin më të madh në historinë e Policisë Kufitare. Që nga viti 2019, numri i efektivëve të Policisë Kufitare është rritur me mbi 31%, duke arritur në afro 2,300 punonjës. Janë shtuar automjetet e patrullimit, sistemet e vrojtimit, kamerat inteligjente, radarët detarë, dronët me kapacitete termike dhe mjetet lundruese për kontrollin e kufirit blu. Vetëm përmes programeve të financuara nga Bashkimi Europian janë investuar miliona euro në teknologji, mjete lundruese, radarë dhe sisteme moderne monitorimi. Në janar të këtij viti është miratuar edhe Plani Kombëtar i Veprimit për Shengenin, ndërsa ligji i ri për kontrollin e kufirit shtetëror ka përafruar më tej Shqipërinë me standardet europiane. Por ndoshta dëshmia më e fortë e besimit europian ndaj institucioneve shqiptare është bashkëpunimi me FRONTEX. Shqipëria ishte vendi i parë jashtë Bashkimit Europian ku FRONTEX dislokoi oficerë operativë në terren.

Sot operacionet e përbashkëta shtrihen në kufirin me Greqinë, Malin e Zi, në portet kryesore dhe në kufirin detar. Rezultatet janë konkrete. Rreth 90% e migrantëve të parregullt identifikohen sot në zonat operative të mbuluara nga FRONTEX dhe Policia e Shtetit, ndërkohë që para fillimit të këtyre operacioneve identifikoheshin më pak se gjysma e tyre. Bashkëpunimi me FRONTEX, Europol, Eurojust, autoritetet britanike, gjermane dhe partnerët e tjerë europianë ka mundësuar jo vetëm kontroll më të fortë kufitar, por edhe goditjen e rrjeteve kriminale që veprojnë në kontrabandimin e migrantëve dhe trafikimin e qenieve njerëzore.

Shqipëria kamp tranziti për emigracionin ilegal? – Përgjigjja për këtë pyetje që ju shtroni, është e qartë dhe e prerë. JO! Shqipëria ka një plan kombëtar kontingjence të hartuar sipas metodologjisë së Bashkimit Europian, ka kapacitete pritëse të planifikuara, mekanizma identifikimi biometrik, procedura azili dhe struktura operacionale të gatshme për përballimin e flukseve të mundshme.

Vetë Bashkimi Europian ka vlerësuar pozitivisht Strategjinë Kombëtare për Migracionin 2024–2030, Planin e Kontingjencës dhe bashkëpunimin e Shqipërisë në fushën e kthimit dhe ripranimit. Prandaj, alarmet për humbje kontrolli apo për kthimin e Shqipërisë në një hapësirë të pakontrolluar migratore nuk mbështeten në fakte. Ata që përpiqen të ndërtojnë narrativa frike apo të paraqesin vendin tonë si një hallkë të dobët të sigurisë europiane, injorojnë faktet me dashje dhe rezultatet konkrete të institucioneve shqiptare.

Sot kufijtë e Shqipërisë monitorohen dhe mbrohen sipas standardeve më të avancuara europiane, në bashkëpunim të përditshëm me FRONTEX, Europol dhe partnerët tanë strategjikë. Migrantët e parregullt që evidentohen në territorin shqiptar identifikohen, regjistrohen, verifikohen dhe trajtohen sipas ligjit dhe standardeve ndërkombëtare.  Shqipëria nuk është një hapësirë ku krimi organizon korridore të lira kalimi; përkundrazi, është një shtet që po i mbyll këto korridore dita-ditës dhe po dëshmon se është një partner i besueshëm dhe serioz në mbrojtjen e kufijve të Europës.

Evropa na konsideron pjesë të zgjidhjes, jo të problemit

Partnerët tanë europian e konsiderojnë Shqipërinë si një vend që po ecën me vendosmëri drejt Bashkimit Europian. Shqipëria mbron kufijtë e vet dhe kontribuon aktivisht për kufijtë e Evropës. Territori i Republikës së Shqipërisë nuk është dhe nuk do të lejohet të bëhet strehë për organizatat kriminale ndërkombëtare që merren me trafikimin e qenieve njerëzore.  Ne do të vazhdojmë të investojmë në sigurinë kufitare, të forcojmë bashkëpunimin me partnerët tanë europianë dhe të godasim pa kompromis çdo rrjet kriminal që cenon sigurinë e qytetarëve dhe reputacionin e vendit. Shqipëria sot është më e përgatitur, më e pajisur dhe më e koordinuar se kurrë më parë për të përballuar sfidat e migracionit të parregullt dhe krimit ndërkufitar.

Sot Shqipëria nuk është më thjesht një vend që përfiton nga siguria kolektive e aleatëve të saj, por një vend që kontribuon realisht në sigurinë e Europës dhe të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Përmes angazhimit në NATO, bashkëpunimit të ngushtë me agjencitë europiane të sigurisë, pjesëmarrjes në operacione të përbashkëta kundër migracionit të paligjshëm, krimit të organizuar dhe trafikimit të qenieve njerëzore, vendi ynë po dëshmon se është një partner i besueshëm dhe një faktor stabiliteti në rajon. Kjo është Shqipëria që po ndërtojmë; një shtet që mbron kufijtë e vet, por që njëkohësisht kontribuon në mbrojtjen e kufijve të Europës; një vend që po afron standardet, institucionet dhe kapacitetet e tij me ato të Bashkimit Europian, me objektivin e qartë për t’u bërë anëtar me të drejta të plota brenda vitit 2030.

Siguria, sundimi i ligjit dhe lufta kundër krimit të organizuar nuk janë vetëm detyrime të procesit të integrimit, por prova konkrete se vendi ynë është gati të marrë përgjegjësi gjithnjë e më të mëdha në familjen euroatlantike. Faleminderit!

 

Ministri Lamallari, replikë me deputetin Balliu: Tani, që të jesh delirant, sepse të thonë bukurosh dhe pastaj të pretendosh që ke edhe zemrën dhe shpirtin e bukur, vetëm ti mund ta bësh këtë. Megjithatë, ti the që gënjej unë apo gënjen Europa. Atëherë, nuk gënjen Europa, Klevis, gënjen ti, gënjeni ju.

Dhe pse e them këtë? Sepse unë tani do citoj vetëm raportin e Europës, të Bashkimit Europian, raportin më të fundit, i vitit 2025, i cili thotë: “Shqipëria vijon bashkëpunimin e mirë me EUROPOL dhe mbetet aktive në platformën e mëparshme të EMPACT-it, e cila përfshin edhe platforma për operacione për migracionin e parregullt. Vendi mori pjesë në 120 veprime operacionale në vitet 2024-2025 dhe 115 të tilla në vitin 2023, faqja 44 e raportit të publikuar nga Komisioni Europian. Për më tepër, bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Rojes Kufitare FRONTEX, në operacionet e kthimit, është shumë i mirë. Nuk thotë as ‘mirë’, thotë ‘shumë më i mirë’. Vlerësimi i Komisionit Europian dhe vendeve anëtare të cilat certifikojnë këtë raport, faqja 49.

Nuk gënjej unë Klevis, nuk gënjen Europa, por gënjeni ju, por gënjehet këtu duke shpresuar se qytetarët shqiptarë do ta besojnë këtë. Gënjehet nëpër kancelaritë e Europës pa menduar fare se dëmi më i madh është imazhi që i prishet Shqipërisë dhe shqiptarëve. Dhe për ta përmbyllur, a gënjen Europa apo gënjen Klevisi? Raporti i Komisionit Europian thotë që zbatimi i marrëveshjes të statutit me FRONTEX, e qershorit 2024, po përparon shumë mirë. Edhe këtë e keni në raport, verifikojeni dhe gjykojnë qytetarët, gënjen Klevis Balliu apo gënjen Europa?! Faleminderit!