Ministry of Internal Affairs

INTERVISTA – Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Silva Caka, deklaroi në një intervistë për TV ABC News se Ministria e Punëve të Brendshme ka realizuar hapa të rëndësishëm në kuadër të Axhendës së Reformave dhe po vijon punën për përmbushjen e masave prioritare që lidhen me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Gjatë intervistës, Caka theksoi se një nga zhvillimet më të rëndësishme është funksionalizimi i Zyrës për Rikuperimin e Aseteve.

“Zyra për Rikuperimin e Aseteve tashmë është funksionale dhe po forcon gjurmimin e hershëm të aseteve kriminale, duke rritur efektivitetin në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, u shpreh ajo.

Duke folur për menaxhimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, zëvendësministrja nënvizoi se po ndërmerren masa për fuqizimin e mëtejshëm të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.

“Po avancojnë masat për forcimin e rolit të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, me fokus ripërdorimin social të aseteve të konfiskuara në shërbim të komunitetit”, tha Caka.

Ajo vuri në dukje gjithashtu se janë ndërmarrë hapa konkretë për forcimin e mekanizmave kundër drogave të paligjshme dhe substancave psikoaktive.

“Janë forcuar mekanizmat kundër drogave të paligjshme dhe substancave psikoaktive, ndërsa po ndërtohen kapacitete të reja për reagim më të shpejtë dhe mbrojtje më efektive të qytetarëve”, deklaroi zëvendësministrja.

Sa i përket kuadrit strategjik, Caka bëri të ditur se dokumenti i ri kombëtar për luftën kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda është në fazën përfundimtare të hartimit.

“Strategjia e re kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda është drejt finalizimit, në bashkëpunim me partnerët evropianë dhe organizatat ndërkombëtare”, tha ajo.

Sipas zëvendësministres, Bashkimi Evropian ka vlerësuar progresin e arritur nga Shqipëria dhe po mbështet financiarisht zbatimin e reformave në këtë fushë.

“Reformat nuk janë vetëm pjesë e negociatave me Bashkimin Evropian; ato kanë ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë, shërbimet dhe cilësinë e jetës së qytetarëve”, theksoi Caka.

Në përfundim, ajo nënvizoi objektivin e institucioneve shqiptare për përmbushjen e angazhimeve të marra në kuadër të procesit të integrimit.

“Objektivi është i qartë: përmbushja e piketave përmbyllëse deri në dhjetor 2027 dhe një Shqipëri gjithnjë e më pranë Bashkimit Evropian”, përfundoi zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Silva Caka.

#OneStepCloser

#EU

#ReformAgenda

#EUIntegration

#Albania