Ministry of Internal Affairs

Tiranë – Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, deklaroi se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ku fokusi kryesor është goditja e ekonomisë kriminale dhe kthimi i pasurive të konfiskuara në dobi të qytetarëve. Në fjalën e mbajtur në konferencën “Nga Konfiskimi tek e Mira Publike”, organizuar nga AAPSK, Lamallari theksoi se lufta ndaj krimit nuk mjafton vetëm me arrestime dhe dënime, por kërkon edhe heqjen e fuqisë financiare të organizatave kriminale.

“Sot flasim për drejtësi, për shtet dhe për besim publik. Krimi i organizuar nuk ndërton vetëm rrjete kriminale, por krijon fuqi ekonomike, korrupton dhe godet besimin e qytetarëve tek shteti”, u shpreh ministri.

Ai bëri të ditur se vetëm gjatë vitit 2025 janë sekuestruar qindra pasuri me vlerë mbi 61 milionë euro, ndërsa në administrim ndodhen mijëra pasuri të sekuestruara dhe të konfiskuara.

Sipas Lamallarit, këto rezultate janë dëshmi e forcës së institucioneve dhe e bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit, SPAK-ut, strukturave të hetimit financiar dhe Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.

Ministri nënvizoi se sfida nuk përfundon me konfiskimin e pasurive, por me mënyrën se si ato rikthehen në shërbim të publikut.

“Pasuritë e krimit nuk duhet të harrohen dhe as të degradojnë. Ato duhet të kthehen në dobi publike, në investime për qytetarët dhe në shërbim të komunitetit”, deklaroi ai.

Lamallari solli në vëmendje edhe raste konkrete ku fondet dhe asetet e konfiskuara janë përdorur për të mbështetur institucionet e drejtësisë, projekte sociale, shkolla, spitale dhe qendra komunitare.

“Hapësirat që dikur simbolizonin paligjshmëri po transformohen në qendra komunitare, ambiente për fëmijët, art dhe kulturë. Ky është mesazhi më i fortë që mund të japë një shtet demokratik: pasuria e krijuar nga krimi po kthehet në vlerë për qytetarët”, tha ministri.

Duke u ndalur tek sfidat e reja të krimit financiar, Lamallari theksoi se kripto-asetet, transfertat ndërkufitare dhe format moderne të pastrimit të parave kërkojnë përgjigje të reja dhe bashkëpunim të fortë ndërkombëtar. Ai vlerësoi partneritetin me Bashkimin Europian, Europol-in, Eurojust-in dhe vendet partnere, duke theksuar se Shqipëria mbetet e vendosur për të forcuar shtetin e së drejtës dhe standardet europiane në luftën kundër krimit të organizuar.

“Një shtet i fortë nuk është vetëm ai që arreston kriminelët. Një shtet i fortë është ai që i heq krimit pasurinë, fuqinë dhe ndikimin në shoqëri dhe ua kthen qytetarëve atë që u është marrë padrejtësisht”, përfundoi Lamallari.

“Asnjë kriminel nuk duhet të përfitojë në kurriz të qytetarëve. Prandaj ripërdorimi social i aseteve të konfiskuara është kaq i rëndësishëm. Ai e kthen pasurinë e paligjshme në vlerë publike dhe të ardhurat nga krimi në mundësi për komunitetet, të rinjtë dhe grupet vulnerabël. BE-ja do të vijojë të mbështesë institucionet shqiptare përkatëse në përafrimin me standardet e BE-së dhe në avancimin e nismave të qëndrueshme të ripërdorimit social. Duke i vënë këto asete në shërbim të publikut, ne krijojmë mundësi, forcojmë komunitetet dhe ofrojmë shpresë për të ardhmen,” tha Andre Rizzo, i Ngarkuari me Punë në Delegacionin e Bashkimit Europian në Shqipëri.

Kryeadministratorja e AAPSK, Risena Xhaja theksoi se lufta kundër krimit të organizuar nuk përfundon me sekuestrimin apo konfiskimin e aseteve kriminale, por vijon me administrimin profesional, transparent dhe eficient të tyre, si edhe me kthimin e këtyre pasurive në dobi të qytetarëve dhe komunitetit. Ajo nënvizoi se autoritetet shqiptare kanë marrë një angazhim ndërkombëtar që të paktën 50% e pasurive të konfiskuara të përdoren në funksion të institucioneve ligjzbatuese dhe komunitetit, objektiv që sipas saj është tejkaluar gjatë vitit 2025.

Kryeadministratorja Xhaja u ndal edhe te rritja e konsiderueshme e volumit dhe kompleksitetit të pasurive nën administrim, duke theksuar se AAPSK menaxhon qindra prona, automjete, biznese dhe asete të tjera me vlerë të konsiderueshme ekonomike, çka kërkon forcim të kapaciteteve administrative dhe koordinim të vazhdueshëm me institucionet e drejtësisë dhe agjencitë ligjzbatuese.

Në vijim, ajo evidentoi përmirësimin e administrimit ekonomik të pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara, duke bërë të ditur se të ardhurat e siguruara nga qiradhënia dhe përdorimi i këtyre aseteve janë rikthyer në funksion të forcimit të institucioneve ligjzbatuese dhe të drejtësisë. Sipas saj, AAPSK ka kontribuar me fonde dhe pajisje për Policinë e Shtetit, SPAK, Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe institucione të tjera të sistemit të drejtësisë.

Një fokus i veçantë gjatë konferencës iu kushtua ripërdorimit social të pasurive të konfiskuara. Kryeadministratorja e AAPSK theksoi se këto pasuri nuk duhet të mbeten pasive apo të degradojnë, por të transformohen në hapësira dhe shërbime në funksion të komunitetit, edukimit, kulturës dhe zhvillimit social. Ajo solli në vëmendje edhe raste konkrete të transformimit të pronave të konfiskuara në hapësira komunitare dhe projekte në shërbim të qytetarëve, në bashkëpunim me pushtetin vendor.

Xhaja falënderoi partnerët ndërkombëtarë dhe organizatat e shoqërisë civile për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, duke vlerësuar gjithashtu projektet e organizatave vendase që kanë përfituar mbështetje nga AAPSK.

Fjala e plotë e ministrit Lamallari – VIDEO

Mirëmëngjes të gjithëve,

Takimi që na ka bërë sot bashkë shkon përtej diskutimeve mbi performancën e një agjencie ligjzbatuese apo statastikat mbi pasuritë e sekuestruara apo konfiskuara në Shqipëri. Në thelb, tema e kësaj konference lidhet me shtetin e së drejtës, shtetin ligjor, zbatimin e ligjit dhe besimin publik.  Krimi i organizuar, nga duart e të cilit ne kemi larguar miliona euro pasuri, nuk ndërton vetëm rrjete kriminale. Ai ndërton fuqi dhe pushtet ekonomik. Korrupton, frikëson, godet tregun dhe konkurrencën, si dhe godet besimin e qytetarëve tek shteti.

Prandaj lufta kundër krimit të organizuar nuk mjaftohet vetëm me arrestimet e as me dënimet që jep drejtësia, të cilat sigurisht janë mëse të domosdoshme. Objektivi ynë është fuqia ekonomike e krimit. Dhe jemi të angazhuar, siç do ta dëshmojë edhe konferenca e sotme, që ato pasuri t’i kthejmë aty ku e kanë vendin, qytetarëve dhe komunitetit. Ky është vullneti politik i qeverisë shqiptare, prioritet i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Prandaj gjej rastin të përgëzoj kryeadministratoren dhe stafin, bashkëpunëtorët e mi në AAPSK, për punën shumë të mirë të bërë deri më sot.

Të nderuar,

Pasi konceptuam dhe i dhamë jetë Reformës në Drejtësi dhe transformuam rrënjësisht Policinë e Shtetit, Shqipëria sot ka hyrë në një fazë tjetër, në atë të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Një fazë ku goditet ekonomia kriminale, pikërisht aty ku është pika më e fortë dhe njëkohësisht pika më e dobët e krimit. Rezultatet janë konkrete dhe shumë inkurajuese për sfidën që kemi përpara.

Vetëm gjatë vitit 2025 janë sekuestruar qindra pasuri me vlerë mbi 61 milionë euro. Ndërsa në administrim janë mijëra të tjera, të sekuestruara dhe të konfiskuara.

Këto nuk janë thjesht statistika. Janë prova të forcës së institucioneve, që ne po ndërtojmë dita-ditës. Janë dëshmi e bashkëpunimit korrekt mes Policisë së Shtetit, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së Posaçme.

Por sfida jonë nuk mbaron tek konfiskimi. Pyetja më e rëndësishme është: çfarë ne bëjmë më pas me këto pasuri pasi ato konfiskohen? Ne kemi zgjedhur një model shumë të qartë. Pasuritë e krimit nuk mund të humbasin apo të të harrohen në qitapet e agjencisë, që ne gjetëm kur erdhëm në pushtet, e cila kishte punonjës, por nuk kishte regjistra. Pasuri, të cilat nuk mund  të degradojnë e as të mbeten rrangullina të së shkuarës kriminale. Ato duhet të kthehen në dobi publike, në shërbim për komunitetin dhe në investime për institucionet dhe qytetarët.

Sot kemi plot shembuj konkretë. Paratë e konfiksuara po përdoren edhe për të focuar drejtësinë, për të mbështetur institucione që luftojnë përditë krimin dhe korrupsionin. Ato përdoren gjithashtu për projekte të ndryshme sociale apo ndihmë nëpër institucione si shkollat, spitalet, qendrat komunitare.

Hapësira që dikur simbolizonin paligjshmërinë, sot po transformohen në hapësira publike. Në qendra komunitare, në art, në kulturë dhe në ambiente për fëmijët tanë.

Ky është mesazhi më i fortë që mund të japë një shtet demokratik: Pasuria e krijuar nga krimi po kthehet në vlerë për qytetarët.

Kjo kërkon transparencë, profesionalizëm dhe bashkëpunim të fortë institucional edhe ndërkombëtar. Sepse krimi sot nuk mund të mbijetojë brenda kufijve të një shteti. Ai është bërë gjithmonë e më shumë dinamik, kompleks, sipërmarrës dhe sigurisht transnacional. Kripto-asetet, transfertat ndërkufitare dhe format e reja të pastrimit të parave kërkojnë sot përgjigje të reja. Prandaj partneriteti me Bashkimin Europian dhe vendet anëtare, me Europol, Eurojust dhe me rrjetet ndërkombëtare në këtë fushë, është kritike.

Shqipëria është e vendosur të ecë përpara. Të forcojë shtetin e së drejtës, të konsolidojë institucionet dhe të ndërtojë standarde europiane në luftën kundër krimit të organizuar dhe krimit në përgjithësi.

Ne po i ndërtojmë këto standarde me gjithë sfidat e mëdha që kemi përpara. Sepse për ne, një shtet i fortë nuk është vetëm ai që arreston kriminelët. Për ne, një shtet i fortë është ai që i heq krimit pasurinë dhe ndikimin e tij në shoqëri. Shqipëria 2023 është shteti që u kthen qytetarëve atë që u është marrë padrejtësisht. Faleminderit!