Ministry of Internal Affairs

Çelet për të 15-in vit radhazi fushata e përbashkët ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Guardia di Finanza për monitorimin ajror të territorit. Kjo fushatë, tashmë një traditë e konsoliduar dhe dëshmi e bashkëpunimit të suksesshëm operacional, ka si objektiv parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.

Drejtori i Përgjithshëm i PSH, Skënder Hita u shpreh se “lufta kundër narkotikëve është njëkohësisht një betejë për mbrojtjen e së ardhmes së shoqërisë sonë.”

Risitë e fushatës “Për monitorimin ajror 2026”:

– rritje e numrit të fluturimeve;

– rritje e orëve të fluturimit;

– shtim i personelit të angazhuar;

– përdorim i teknologjive të avancuara për monitorimin ajror.

Delegacioni italian, i mirëpritur në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit nga Drejtori i Përgjithshëm, Skënder Hita, kryesohej nga Lorenzo Bucossi, Drejtor i Shërbimit për Bashkëpunimin Ndërkombëtar të Policisë. Gjatë fjalës, Hita vlerësoi bashkëpunimin me partnerët italianë si një model strategjik të konsoliduar, i cili ka sjellë rezultate konkrete në parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Ai theksoi se ndërthurja e kapaciteteve operacionale, ekspertizës dhe teknologjisë ka mundësuar identifikimin e hershëm të zonave me risk, ndërhyrje më efikase në terren, si dhe ulje të ndjeshme të rasteve të konstatuara dhe të bimëve narkotike të asgjësuara, duke konfirmuar efektivitetin e qasjes parandaluese dhe të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Nga ana e tij, Bucossi vlerësoi ecurinë e këtij bashkëpunimi, i cili tashmë është kthyer në një model të qëndrueshëm partneriteti policor. Ai gjithashtu ftoi Drejtorin e Përgjithshëm për një vizitë zyrtare në Itali, si shprehje e angazhimit dhe vullnetit të përbashkët për ta intensifikuar më tej këtë bashkëpunim të bazuar në profesionalizëm dhe besim të ndërsjellë.

Ndërkohë, Franzese, duke vlerësuar rezultatet e arritura në kuadër të fushatave të monitorimit ajror, theksoi se Policia e Shtetit ka dëshmuar gatishmëri të menjëhershme për të verifikuar çdo koordinatë të raportuar nga shërbimet e Guardia di Finanza dhe për të ndërhyrë në kohë për asgjësimin e çdo rasti të kultivimit të bimëve narkotike.