Ministry of Internal Affairs

Tiranë – Në Samitin e parë Shqipëri–Izrael për Sigurinë Kibernetike u nda vizioni për një Shqipëri më të sigurt, më moderne dhe më të mbrojtur në hapësirën digjitale. Në një kohë kur kërcënimet kibernetike nuk njohin kufij, partneriteti, inovacioni dhe bashkëpunimi ndërkombëtar janë çelësi për mbrojtjen e qytetarëve, institucioneve dhe demokracisë sonë.

Samiti Shqipëri-Izrael, i mbajtur në Tiranë bëri bashkë 40 kompani inovative izraelite, me fokus forcimin e sigurisë kibernetike, avancimin e teknologjisë moderne dhe krijimin e partneriteteve të reja për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe rajonit. Samiti vuri theksin tek rëndësia e dijes, inovacionit dhe transformimit digjital si instrumente të rëndësishme për të përshpejtuar zhvillimin dhe për të ndërtuar ekonomi më të sigurta, më konkurruese dhe më të qëndrueshme.

I pranishëm në event ishte edhe Kryeministri Rama, i cili theksoi ndër të tjera se Shqipëria e ka ndërtuar vizionin e saj të zhvillimit mbi besimin tek teknologjia dhe digjitalizimi, si mundësi për të kapërcyer më shpejt sfidat e së ardhmes. Kryeministri Rama vlerësoi bashkëpunimin me Izraelin si një partneritet, të mbështetur përveç të tjerave, edhe mbi lidhjet historike dhe vlerat njerëzore që bashkojnë dy popujt.