Ministry of Internal Affairs

Nju Jork – Në kuadër të vizitës së zhvilluar në SHBA, në selinë e OKB ku mori pjesë në Forumin Ndërkombëtar për Rishikimin e Migracionit, Ministri i Punëve të Brendshme Besfort Lamallari pati një agjendë të ngjeshur takimesh me grupe profesionistësh nga komuniteti shqiptaro-amerikan, të cilët janë pjesë e strukturave të zbatimit të ligjit në SHBA.
Pas vizitës së veçantë në Departamentin e Policisë së Nju Jorkut, Ministri Lamallari, u takua me përfaqësuesit e Shoqatës Amerikano-Shqiptare të Zbatimit të Ligjit. Kjo është një nga organizatat që përfaqëson oficerët e policisë me origjinë shqiptare, që shërbejnë në agjenci të ndryshme të zbatimit të ligjit në SHBA.
Në një postim në rrjete sociale pas takimit, Ministri Lamallari u shpreh: “Vlerësim dhe mirënjohje për kontributin e vazhdueshëm që kjo shoqatë ka dhënë ndër vite për Policinë e Shtetit, përmes donacioneve, mbështetjes profesionale dhe forcimit të lidhjeve mes institucioneve tona të sigurisë.”


Duke vlerësuar ndihmesat që kanë dhënë përfaqësuesit e kësaj shoqate për forcimin e marrëdhënieve në fushën e zbatimit të ligjit mes Shqipërisë dhe SHBA, Lamallari vë në dukje se “Është frymëzuese të shohësh shqiptarë, që mbajnë me krenari uniformën e një prej strukturave më të mëdha ligjzbatuese në botë, duke qenë njëkohësisht ura bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.”
Një takim tjetër mjaft interesant i Ministrit Lamallari ishte ai pranë Njësinë Portuale në Departamentin e Policisë së Nju Jorkut, ku u prit nga dy punonjës me origjinë shqiptare, të cilët i uruan mirëseardhjen. Drejtuesit e Njësisë Portuale paraqitën një ekspoze të detyrave dhe përgjegjësive që kanë si dhe bënë një demonstrim praktik të punës së tyre, duke zhvilluar një patrullim mbi lumin Hudson.
Në një postim në rrjete sociale pas këtyre takimeve, Ministri Lamallari nënvizoi se profesionistët e zbatimit të ligjit në radhët e Policisë së Nju Jorkut, janë të organizuar edhe në shoqatën “Illyrian Society”, e cila numëron mbi 300 anëtarë. Duke vlerësuar rolin e drejtuesve të kësaj shoqate, Ministri tha: “Në Njësinë Portuale të New Jork Police Department, bashkë me Mikeljan Agollin dhe Xhoi Hotin, dy profesionistë që prej vitesh shërbejnë me përkushtim në radhët e policisë së Nju Jorkut dhe kontribuojnë aktivisht në “illyriansociety” me shumë bashkatdhetarë të tjerë. Shembuj si këta na dëshmojnë se shqiptarët janë ambasadorë të vlerave tona më të mira kudo që ndodhen.”
Një ndalesë tjetër e Ministrit Lamallari ishte në Memorialin dhe Muzeun Kombëtar të 11 Shtatorit 2001 në Nju Jork. Pas vizitës në këtë muze, Ministri u shpreh: “Një vend që ruan kujtesën e një prej ngjarjeve më tronditëse në historinë moderne të botës. Me respekt të thellë për jetët e humbura dhe për sakrificën e atyre që shërbyen me kurajo në momentet më të vështira.”

 

Link i videos së vizitës në Njësinë Portuale NYPD: