Ministry of Internal Affairs

Tiranë – Në kuadër të Samitit të Diasporës, Ministri i Punëve të Brendshme Besfort Lamallari mori pjesë në panelin me temë “Migracioni dhe politikat e riatdhesimit”, ku ndau vizionin e qeverisë për një fazë të re në marrëdhëniet me bashkëkombasit jashtë vendit.

Gjatë fjalës së tij, Ministri theksoi se diaspora shqiptare nuk duhet parë më si një realitet i largët, por si një pjesë e pandashme e kombit dhe një partnere kyçe në zhvillimin ekonomik dhe në procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Ai nënvizoi se është koha për të kaluar nga një qasje tradicionale, e fokusuar kryesisht te remitancat, drejt një partneriteti strategjik që vlerëson dhe shfrytëzon potencialin e diasporës në investime, sipërmarrje dhe ekspertizë.

Ministri evidentoi reformat e ndërmarra në disa sektorë, si dhe përparimin në digjitalizimin e shërbimeve publike, duke theksuar se ndërtimi i një shteti që u shërben qytetarëve kudo që ndodhen është thelbësor për forcimin e lidhjeve me diasporën.

“Po ndërtojmë ura më të forta besimi dhe bashkëpunimi me shqiptarët jashtë vendit. Shqipëria është më e fortë kur diaspora është pjesë aktive e saj”, u shpreh Ministri.

Samiti i Diasporës shërben si një platformë e rëndësishme për thellimin e dialogut dhe forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve shqiptare dhe diasporës, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm dhe modernizimit të vendit.