Ministry of Internal Affairs

Strukturat e Policisë së Shtetit vijojnë angazhimin e tyre me prezencë 24/7 në terren, bashkëpunim të ngushtë me qytetarët, hetime profesionale dhe operacione të përbashkëta me partnerët ndërkombëtarë, në funksion të parandalimit, evidentimit dhe goditjes së veprimtarive kriminale në të gjitha fushat – VIDEO

Në funksion të përmbushjes së këtyre objektivave, gjatë muajit mars janë:

  • finalizuar 96 operacione policore, nga të cilat 21 për lokalizimin, kapjen dhe/ose ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar;
  • vënë në pranga 527 shtetas, të akuzuar për vepra të ndryshme penale;
  • sekuestruar 32 armë zjarri, lëndë eksplozive (tritol) dhe municion luftarak, si dhe janë goditur 3 grupe kriminale të përfshira në trafikimin e armëve të zjarrit;
  • në fushën e narkotikëve, janë sekuestruar mbi 50 kg Cannabis Sativa, si dhe qindra doza kokaine dhe heroine;
  • sekuestruar rreth 1.2 milionë euro pasuri dhe shuma monetare me burim të dyshuar kriminal, 7 automjete të trafikuara në Shqipëri, si dhe mjete lundruese, dylbi, maska dhe radio, të përdorura në kundërshtim me ligjin si mjete policore;
  • zbuluar 8 ambiente (6 ambiente të mbyllura dhe 2 sera) në Shkodër, Peqin dhe Shijak, ku kultivoheshin bimë narkotike. Në këto raste u asgjësuan një numër i konsiderueshëm fidanësh dhe bimësh narkotike, si dhe pajisjet që ndihmonin kultivimin e tyre në ambiente të mbyllura;
  • zbardhur 18 ngjarje kriminale, të cilat përfshijnë vrasje dhe plagosje me mjete prerëse, kanosje me armë zjarri ndaj punonjësve të Policisë, djegie automjetesh dhe sipërfaqesh toke, aksidente me pasoja dhe vjedhje të ndryshme;
  • parandaluar ngjarje kriminale në 17 raste, konkretisht ndalimi i shtetasve që lëviznin të armatosur (8 raste), parandalimi i përshkallëzimit të konflikteve fizike dhe/ose me armë, si dhe tentativa për vjedhje;
  • strukturat për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare kanë goditur 10 raste, që përfshijnë kontrabandim mallrash (ilaçe, karburant, veshje dhe pajisje), falsifikim dokumentesh, punësim të paligjshëm, informalitet dhe mashtrim përmes përvetësimit të padrejtë të titujve shtetërorë;
  • finalizuar 13 operacione policore për zbardhjen e vjedhjeve dhe vjedhjeve me armë;
  • finalizuar 6 operacione kundër transportimit të paligjshëm të emigrantëve, të cilët synonin të udhëtonin ilegalisht drejt vendeve të Bashkimit Evropian;
  • finalizuar 4 operacione për goditjen e shfrytëzimit për prostitucion, ushtrimit të prostitucionit dhe mbajtjes së ambienteve në funksion të kësaj veprimtarie të paligjshme;
  • zbuluar 7 lokale, ku në kundërshtim me ligjin zhvilloheshin lojëra fati me celularë, kompjuterë dhe makineta.

Shërbimet e Policisë Rrugore, të pajisura me mjete bashkëkohore, gjatë muajit mars kanë vijuar monitorimin në të gjitha akset e vendit, me qëllim parandalimin e aksidenteve me pasoja për jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës, si dhe menaxhimin e trafikut.

Gjatë këtij muaji janë:

  • arrestuar 197 drejtues mjetesh, nga të cilët 135 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 62 për drejtim mjeti pa leje drejtimi;
  • pezulluar 216 leje drejtimi, për tejkalim të normave të shpejtësisë, drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit apo për shkelje të tjera të Kodit Rrugor, për të cilat parashikohet kjo masë;
  • vendosur 93 011 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor, nga të cilat 3 934 masa për tejkalim të shpejtësisë mbi normën e lejuar, me sanksion pezullimin e lejes së drejtimit. Në këto raste, drejtuesit e automjeteve kanë paguar dyfishin e masës administrative maksimale dhe janë penalizuar me zbritje nga 6 deri në 12 pikë nga leja e drejtimit.

Policia Rrugore e Durrësit ka goditur 2 raste të tjera të tentativës për korrupsion ndaj punonjësve të Policisë, me qëllim shmangien e ndëshkimit për shkeljet e kryera, si dhe 3 raste të drejtimit të automjetit nën efektin e lëndëve narkotike.

Shërbimet e Policisë Kufitare, krahas menaxhimit të fluksit të hyrje-daljeve dhe ofrimit të një shërbimi policor profesional dhe me etikë, gjatë muajit mars kanë shtuar vigjilencën dhe kontrollet për goditjen e paligjshmërive në kufi.

Në pikat e kalimit kufitar, si rezultat i kontrolleve të imtësishme dhe analizës së riskut, u evidentuan dhe u goditën:

  • 18 raste të tentativës për kalim kufiri me dokumente të falsifikuara;
  • 8 raste trafikimi dhe 2 raste vjedhjeje;
  • 45 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit.

Strukturat e Policisë së Shtetit vijojnë kontrollet dhe hetimet intensive antikanabis, si dhe goditjen e krimit në tërësi dhe atij të organizuar në veçanti. Paralelisht, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare, vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në komunitet, Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë çdo paligjshmëri që konstatojnë, në njësitë fizike të Policisë ose në numrin pa pagesë 112!