Ministry of Internal Affairs

VIDEO – Administratori i “Illyrian Guard” sh.a., Florenc Spaho zhvilloi një takim me profesionistë me përvojë nga Policia e Shtetit dhe Forcat e Armatosura, të cilët i janë bashkuar së fundmi kompanisë, në kuadër të zgjerimit të kapaciteteve njerëzore në sektorin e sigurisë. Gjatë fjalës së tij, Spaho vlerësoi angazhimin dhe gatishmërinë e të pranishmëve për t’u bërë pjesë e “Illyrian Guard”, duke theksuar rëndësinë që përvoja dhe formimi i tyre profesional kanë në ndërtimin e një ekipi të fortë, të besueshëm dhe efikas.

“Së pari, ju falënderoj për pjesëmarrjen në këtë takim dhe për gatishmërinë që keni treguar për t’iu bashkuar ‘Illyrian Guard’. Përvoja dhe eksperienca juaj nuk janë thjesht një aset profesional, por një forcë që ndërton besim, disiplinë dhe standarde të larta sigurie. Kompania jonë mbetet e hapur për profesionistë me integritet nga radhët e Policisë së Shtetit dhe Forcave të Armatosura, të cilët synojnë më shumë sesa një vend pune – ndërtimin e një ekipi të konsoliduar dhe me vizion afatgjatë”, u shpreh administratori.

Ai theksoi më tej se ndërthurja e eksperiencës së këtyre profesionistëve me vizionin dhe standardet e kompanisë krijon një model pozitiv zhvillimi, i cili ndikon drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së shërbimit në sektorin privat të sigurisë.

“Së bashku mund të ndërtojmë një model suksesi, ku eksperienca juaj dhe vizioni ynë bashkohen për të çuar përpara misionin e përbashkët dhe për të ofruar shërbime sigurie të besueshme dhe profesionale”, shtoi Spaho.

Gjatë takimit, edhe të pranishmit ndanë përvojat e tyre profesionale si dhe arsyet që i shtynë t’i bashkohen “Illyrian Guard”, duke theksuar seriozitetin e kompanisë, kushtet e punës dhe perspektivën profesionale.

Leonard Zaçe, me përvojë në Forcat e Armatosura dhe në shërbimin zjarrfikës, u shpreh se ka shërbyer për gjashtë vite si ushtarak dhe më pas në zjarrfikësen e qytetit të Lushnjës.

“Vendosa të aplikoj në ‘Illyrian Guard’ për shkak të seriozitetit të kompanisë, kushteve të kënaqshme të punës dhe trajtimit financiar. Përgëzoj stafin drejtues për profesionalizmin në përzgjedhje”, deklaroi ai.

Ndërsa Kasem Cakoni, me një eksperiencë 10-vjeçare në Forcat e Armatosura, theksoi se motivimi kryesor për t’iu bashkuar kompanisë lidhet me sigurinë në punë, pagën dhe natyrën e shërbimit.

“Pashë një mundësi reale për zhvillim profesional dhe vendosa të bashkohem me ‘Illyrian Guard’. Do të japim përkushtimin maksimal për të arritur rezultate sa më të mira”, u shpreh Cakoni.

“Illyrian Guard” vijon të konsolidohet si një kompani e hapur për profesionistë të kualifikuar dhe të përkushtuar, duke garantuar shërbime sigurie me standarde të larta, integritet dhe disiplinë profesionale.