Ministry of Internal Affairs

Tiranë – Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, zhvilloi sot një takim me disa punonjës policie në pension, të cilët kanë shërbyer për dekada në radhët e Policisë së Shtetit, duke dhënë një kontribut të çmuar për sigurinë dhe rendin në vend.

Gjatë këtij takimi, ministri shprehu mirënjohjen e thellë për sakrificën, përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre ndër vite, duke i cilësuar si themele të rëndësishme mbi të cilat ndërtohen sot institucionet moderne të sigurisë.

Ministri Lamallari theksoi se ky takim nuk ishte vetëm një falënderim për të shkuarën, por edhe një moment reflektimi për rrugën që Shqipëria po ndjek drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ai nënvizoi se përvoja dhe vlerat e mishëruara nga këta profesionistë vijojnë të udhëheqin reformat dhe përpjekjet për ndërtimin e institucioneve më të forta, më të besueshme dhe në përputhje me standardet europiane.

Duke u ndalur te procesi i integrimit, ministri evidentoi se negociatat me Bashkimin Europian po avancojnë, ndërsa reformat në sektorin e sigurisë dhe sundimit të ligjit po japin rezultate konkrete. Sipas tij, ky është një proces i pakthyeshëm që kërkon stabilitet, seriozitet dhe institucione të forta – vlera që ish-efektivët e Policisë së Shtetit i kanë përfaqësuar denjësisht gjatë gjithë karrierës së tyre.

Në përfundim, ministri Lamallari shprehu mirënjohjen për kontributin e tyre të vyer, duke theksuar se trashëgimia e tyre vijon të jetojë në çdo hap që Shqipëria hedh drejt integrimit europian.