Ministry of Internal Affairs

Tiranë – Në ceremoninë ku mori pjesë Zv.kryeministrja Albana Koçiu, Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, si dhe zyrtarë të lartë të Policisë e partnerë, u bë prezantimi dhe betimi i Drejtorit të ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita. Në fjalën e tij, ministri Lamallari theksoi se ky është një moment i rëndësishëm për Policinë e Shtetit, që shënon jo vetëm emërimin e një drejtuesi të ri, por edhe rikonfirmimin e angazhimit për një polici më profesionale, të besueshme dhe në shërbim të qytetarëve. Ai nënvizoi se përzgjedhja e Drejtorit të Përgjithshëm është realizuar përmes një procesi transparent dhe të bazuar në meritë, duke vlerësuar gjithashtu kontributin dhe profesionalizmin e të gjithë kandidatëve pjesëmarrës në garë.

Ministri Lamallari u shpreh se Skënder Hita është një oficer karriere me integritet dhe përvojë të spikatur, i cili gëzon besimin për të udhëhequr Policinë e Shtetit në një moment të rëndësishëm për vendin, duke garantuar stabilitet dhe përkushtim ndaj zbatimit të ligjit dhe shërbimit ndaj qytetarëve. Duke u ndalur te procesi i integrimit europian, ministri theksoi se Policia e Shtetit ka një rol kyç në ndërtimin e një shteti të së drejtës dhe në garantimin e sigurisë publike, si elemente thelbësore për avancimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

“Ky mision bëhet edhe më i rëndësishëm në kontekstin ku ndodhet sot Shqipëria. Vendi ynë është në një proces real dhe të pandalshëm drejt integrimit në Bashkimin Europian. Negociatat janë të hapura, reformat po avancojnë dhe progresi i Shqipërisë po vlerësohet në mënyrë të vazhdueshme nga partnerët tanë europianë. Ky është një proces që nuk matet me retorikë, por me rezultate konkrete, me institucione të forta dhe me standarde të qëndrueshme. Në këtë rrugëtim, Policia e Shtetit ka një rol thelbësor. Sepse integrimi europian nuk është vetëm një proces politik apo teknik; është një transformim i përditshëm i shtetit dhe shoqërisë”, tha Ministri.

Në përfundim, ai i uroi suksese Drejtorit të ri të Përgjithshëm dhe theksoi se prioritet mbetet forcimi i profesionalizmit, intensifikimi i luftës kundër paligjshmërisë dhe modernizimi i Policisë së Shtetit, në përputhje me standardet europiane.

Fjala e ministrit të Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari në ceremoninë e prezantimit të Drejtorit të ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita:

E nderuar Zv.kryeministre Albana Koçiu,

I nderuar Kryetar i Komisionit për Çështjet e Brendshme dhe Mbrojtjen, z. Çuçi,

Të nderuar të pranishëm,

Të dashur punonjës të Policisë së Shtetit,

Është kënaqësi dhe përgjegjësi e veçantë për mua, si Ministër i Punëve të Brendshme të marr pjesë në këtë moment të rëndësishëm për Policinë e Shtetit, duke i besuar drejtimin e saj një drejtuesi të ri, në një kohë kur kërkesat ndaj këtij institucioni janë më të larta se kurrë. Ceremonia që na ka bërë këtu bashkë sot nuk është thjesht formalizimi i lidershipit të ri të Policisë së Shtetit, por kjo ditë shënon edhe rikonfirmimin e angazhimit tonë për një organizatë gjithnjë e më profesionale, të besueshme dhe në shërbim të qytetarëve. Përtej solemnitetit dhe formalitetit të këtij rasti, dua të evidentoj tre elementë domethënës.

Së pari, për të mbërritur në këtë ceremoni është kaluar përmes një procesi transparent dhe të bazuar mbi merita. Në çdo fazë është përfshirë vlerësimi i përvojës, profesionalizmi dhe integriteti i kandidatëve, duke siguruar që drejtimi i këtij institucioni kyç t’i besohet një figure, që përfaqëson standardet më të larta publike e profesionale të kësaj organizate. Pavarësisht fituesit, i cili në çdo rast do të ishte një, unë dua të vlerësoj të gjithë kandidatët e tjerë, që morën pjesë në këtë garë për drejtimin e Policisë së Shtetit. Angazhimi, profesionalizmi dhe përkushtimi i tyre tregojnë forcën e talentit dhe përvojës që ekziston brenda strukturave tona. Secili prej tyre kontribuon në ngritjen e standardeve të shërbimit ndaj qytetarëve.

Së dyti, jam i bindur se të gjithë ju këtu e më gjerë në radhët e Policisë së Shtetit e jo vetëm, bini dakord me faktin se Skënder Hita reflekton besimin se ai është njeriu i duhur për të udhëhequr Policinë e Shtetit, në një moment të rëndësishëm për vendin e qytetarët, duke garantuar stabilitet, lidership të vendosur dhe përkushtim ndaj shërbimit ndaj qytetarëve dhe ligjit. Ai është një oficer karriere, profesionist dhe i udhëhequr nga integriteti në çdo detyrë që ka mbajtur. Unë kam pasur fatin dhe mundësinë ta njoh nga afër e të punoj me të për një kohë të gjatë. Do të vazhdojmë sot e tutje të bashkërendojmë punët, për të përmbushur misionin tonë si shërbëtorë publik.

Ky mision bëhet edhe më i rëndësishëm në kontekstin ku ndodhet sot Shqipëria. Vendi ynë është në një proces real dhe të pandalshëm drejt integrimit në Bashkimin Europian. Negociatat janë të hapura, reformat po avancojnë dhe progresi i Shqipërisë po vlerësohet në mënyrë të vazhdueshme nga partnerët tanë europianë. Ky është një proces që nuk matet me retorikë, por me rezultate konkrete, me institucione të forta dhe me standarde të qëndrueshme. Në këtë rrugëtim, Policia e Shtetit ka një rol thelbësor. Sepse integrimi europian nuk është vetëm një proces politik apo teknik, është një transformim i përditshëm i shtetit dhe shoqërisë.

Është ndërtimi i një Shqipërie ku ligji zbatohet njësoj për të gjithë, ku siguria është e garantuar dhe ku institucionet janë të besueshme. Çdo hap përpara në luftën kundër krimit, çdo standard i rritur profesional, çdo qytetar që ndjehet më i sigurt, është një hap më afër Europës. Nga ana tjetër, duhet ta themi qartë: çdo përpjekje për të cenuar rendin, për të nxitur dhunë apo për të dëmtuar imazhin e vendit. Shqipëria ka zgjedhur rrugën e stabilitetit, të ligjit dhe të zhvillimit dhe kjo rrugë nuk do të ndalet.

Z. Drejtor i Përgjithshëm,

ju merrni këtë detyrë në një moment kur kërkohet lidership i fortë, vizion i qartë dhe vendosmëri. Besimi që ju është dhënë sot është njëkohësisht edhe një pritshmëri e lartë, për të çuar përpara një polici moderne, profesionale dhe në përputhje me standardet europiane.

Roli juaj është i qartë: të forconi më tej profesionalizmin, të thelloni luftën kundër paligjshmërisë dhe të garantoni që Policia e Shtetit të mbetet një institucion në shërbim të qytetarëve dhe jo mbi ta, një institucion që ofron shërbim dhe nuk qaset vetëm si forcë represive, një organizatë që modernizohet vazhdimisht dhe është në lartësinë e sfidave të kohës!

Në emër të Ministrisë së Brendshme, ju uroj suksese në këtë detyrë të rëndësishme. Shqipëria ecën përpara. Padyshim Policia e Shtetit është dhe do të mbetet një nga garantët kryesorë të këtij rrugëtimi drejt Europës. Faleminderit.