Ministry of Internal Affairs

Tiranë – Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari zhvilloi një takim pune me përfaqësues të United Nations Office on Drugs and Crime (UNODC), ku u rikonfirmua rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, trafiqeve të paligjshme dhe kultivimit e trafikimit të drogës, si dhe në përpjekjet për parandalimin e terrorizmit.

Gjatë takimit u diskutua mbi forcimin e mëtejshëm të prezencës së UNODC në Shqipëri në kuadër të Programit Rajonal për Evropën Juglindore 2024–2029. Ky bashkëpunim pritet të kontribuojë në rritjen e asistencës teknike për institucionet shqiptare, si dhe në zhvillimin e projekteve të përbashkëta që synojnë forcimin e kapaciteteve në luftën kundër krimit.

Në fokus të diskutimeve ishte gjithashtu edhe propozimi për mundësinë e ngritjes së një postacioni të UNODC në aeroportin “Nënë Tereza”, me qëllim përmirësimin e menaxhimit të migracionit dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit në pikat kufitare.

Një tjetër çështje me interes ishte mundësia e angazhimit të UNODC në projektin për Qendrën e Rehabilitimit të të Miturve, një nismë që synon riintegrimin e tyre në shoqëri dhe që pritet të shërbejë si një model pozitiv edhe për vendet e rajonit.

Ministri Lamallari vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të UNODC dhe shprehu gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në funksion të forcimit të sigurisë dhe sundimit të ligjit në Shqipëri.