Ministry of Internal Affairs

Bruksel – Zhvillohet mbledhja e 17-të e Nënkomitetit “Drejtësia, Liria dhe Siguria”, një nga mekanizmat më të rëndësishëm të dialogut ndërinstitucional mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian në kuadër të procesit të anëtarësimit. Ministria e Punëve të Brendshme ishte pjesë aktive e këtij takimi, duke prezantuar progresin konkret në fushat që lidhen me Kapitullin 24 – “Drejtësia, Liria dhe Siguria”, me fokus të veçantë në:

– forcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe trafikut të narkotikëve;
– rritjen e rezultateve në hetimin financiar dhe goditjen e aseteve kriminale;
– menaxhimin e integruar të kufijve, migracionin dhe azilin;
– bashkëpunimin ndërkombëtar policor dhe shkëmbimin e informacionit;
– garantimin e sigurisë publike në përputhje me standardet e acquis të BE-së dhe kërkesat e planit Schengen.

Gjatë mbledhjes u vlerësua progresi i arritur në përmbushjen e piketave të ndërmjetme, si dhe u diskutuan hapat e mëtejshëm për konsolidimin e reformave strukturore dhe forcimin e shtetit të së drejtës.

Angazhimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme mbetet i qartë dhe i qëndrueshëm: rezultate konkrete, institucione më të forta dhe standarde europiane në shërbim të sigurisë së qytetarëve.

Nënkomiteti shërben si platformë vlerësimi dhe raportimi për Kapitujt 23 dhe 24 të negociatave, duke reflektuar përkushtimin e Shqipërisë për të avancuar me vendosmëri drejt integrimit europian.