Ministry of Internal Affairs

Tiranë – Zbatimi i përpiktë i lejeve të ndërtimit, verifikimi i kushteve të sigurisë teknike të kantiereve, është në fokusin e punës së Kryeinspektorit të ri të IKMT Afrim Qëndro. Gjatë një inspektimi të bërë në disa objekte në Tiranë, ai komunikoi me mediat, duke dhënë mesazhe të qarta se nuk do të ketë kurrfarë tolerimi për ndërtuesit e zbatuesit, që shkelin ligjin dhe tejkalojnë lejen e dhënë, duke ndërtuar kate pa leje apo duke neglizhuar rregullat e sigurisë teknike.

Në daljen e parë për mediat, kreu i Inspektoratit Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit – IKMT, Afrim Qendro u shpreh se: “IKMT ka nisur një proces verifikimi për të gjitha lejet e ndërtimit në qytetin e Tiranës, me objekt verifikimin e sigurisë teknike në zhvillimin e punimeve nëpër kantieret e Tiranës. Janë rreth 150 leje ndërtimi, të cilat janë nga vitet e mëparshme dhe IKMT-ja, së bashku me inspektoratin e bashkisë dhe AZHT-në, në bashkëpunim edhe me Policinë Bashkiake në Tiranë, ka një bërë një plan pune, për verifikimin e të gjithë kantiereve në kuadër të sigurisë teknike”.

Qendro tha se kantieret që do të kenë mangësi, do të njoftohen dhe do t’u lihet një afat kohor, jo më shumë se 10 ditë për t’i ndrequr ato. “Do të verifikohen të gjithë kantieret e do t’u lihen detyra nga një javë deri në 10 ditë në varësi të madhësisë së kantierit, për t’i plotësuar gjithë mangësitë që kanë. Në kontrollin e dytë, shkelësit do të ndëshkohen rreptësisht sipas ligjit,” – theksoi Kryeinspektori.

Duke nënvizuar faktin se nuk do të bëhen dallime mes bizneseve private dhe atyre të financuara nga buxheti i shtetit, Qendro tha: “Kemi dy lloje ndërtimesh, ndërtime për banesa sociale nga bizneset private, por edhe objekte social-kulturore të buxhetuara nga buxheti i shtetit. Të gjitha do të futen në filtrin e këtij kontrolli, pasi numri i aksidenteve në punë e bën të domosdoshme dhe duhet të kuptojmë se jetë është më e shtrenjtë se gjithçka tjetër.” Qëndro u ndal edhe në rastet kur ndërtesat brenda qytetit injorojnë kushtet e sigurisë teknike e për pasojë, rrezikojnë jetën e qytetarëve. “Në dijeninë time, – tha Qendro, – ka objekte, të cilat nuk i plotësojnë të gjitha kushtet e nevojshme që përcakton ligji për sigurinë teknike. Është e papranueshme që në qytet, të bllokohet trotuari e të mos kenë tunelin e sigurisë dhe nënat, pensionistët, fëmijët, pranë shkollave, të qarkullojnë në rrugë e të rrezikojnë jetën”.

Kryeinspektori u shpreh me terma të ashpër ndaj shkelësve të lejeve të zhvillimit, sidomos atyre që tejkalojnë atë e ndërtojnë në mënyrë abuzive kate pa leje. “Ndërtuesit që marrin leje ndërtimi, e kanë atë leje për aq kate sa kanë kërkuar dhe duhet ta zhvillojnë si nga pikëpamja volumetrike, por edhe nga kërkesat teknike, elektrike, hidrike, furnizimit me ujë, kanalizimeve te ujërave të zeza e të bardha, – e duhet të zbatojnë saktësisht projektet që kanë paraqitur. Është e papranueshme që një ndërtues që ka marrë një leje ndërtimi, të ndërtojë kate pa leje. Nuk do të ketë “shkelje syri”. Do të jem shumë i rreptë e nuk do të lejoj asnjë! Nëse dikush e shkel, ligji na autorizon t’ia prishim dhe sekuestrojmë. Nuk e kuptoj si mund të vazhdojë pas 36 vitesh, të ndërtohen kate pa leje. Nuk do lejohen!”, mbylli Qëndro deklaratën e tij të parë për mediat.