Ministry of Internal Affairs

Dimal – Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu ishte sot në terren, në zonat e prekura nga përmbytjet në Dimal dhe Roskovec, për të ndjekur nga afër situatën dhe masat e marra për menaxhimin e saj.

Në njësinë administrative Poshnjë, Dimal, të gjitha strukturat janë në terren dhe po punojnë pa ndërprerje, me prioritet absolut sigurinë e qytetarëve dhe mbështetjen e fermerëve dhe blegtorëve, deri në stabilizimin e plotë të situatës së krijuar nga përmbytjet. Procesi i evakuimit të banorëve dhe gjësë së gjallë ka nisur menjëherë, si një masë e domosdoshme për të garantuar sigurinë e çdo familjeje.

Nga Dimali në Patos dhe Mbrostar, strukturat janë në gatishmëri të plotë, duke monitoruar në mënyrë të pandërprerë zonat përgjatë lumit Seman. Prioriteti mbetet mbrojtja e zonave të banuara dhe siguria e çdo qytetari.

Ekipet e emergjencave civile janë të angazhuara 24/7 dhe të gatshme për çdo ndërhyrje të nevojshme, në çdo pjesë të territorit ku paraqitet problematikë. Paralelisht, ka nisur procesi i verifikimit dhe evidentimit të dëmeve, dhe çdo dëm i konstatuar po regjistrohet për t’u adresuar pa vonesë.

Institucionet do të vijojnë të jenë pranë çdo qytetari, fermeri dhe blegtori në këto ditë të vështira, deri në normalizimin e plotë të situatës.

“Askush nuk do të mbetet vetëm. Bashkë në çdo sfidë, pranë qytetarëve, hap pas hapi në terren”, shkruan ministrja Koçiu në rrjetet sociale.