Ministry of Internal Affairs

Lezhë – Pas inspektimit në terren në një nga zonat më të prekura nga reshjet e dendura të 24 orëve të fundit në Qarkun Lezhë, Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, informon qytetarët se situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe të gjitha strukturat e Mbrojtjes Civile janë në gadishmëri të plotë.

Gjatë inspektimit në Njësinë Administrative Zejmen, së bashku me Prefektin e Qarkut Lezhë, Kryetarin e Bashkisë dhe strukturat vendore, Koçiu pa nga afër situatën e krijuar si pasojë e reshjeve intensive të shiut në këtë territor. Të gjitha strukturat janë në koordinim të plotë për menaxhimin e situatës, ndërsa po mbahet nën monitorim të vazhdueshëm zona përreth lumenjve Drin dhe Mat.

Duke qenë se gjatë orëve në vijim pritet intensifikim i reshjeve, ministrja u bëri thirrje qytetarëve të ndjekin me vëmendje njoftimet zyrtare të autoriteteve dhe të bashkëpunojnë me strukturat përgjegjëse në çdo rast nevoje, për të garantuar sigurinë e jetës dhe pronës.

Shkodër – Prononcimi për media i Ministres së Punëve të Brendshme, Albana Koçiu pas takimit me Komitetin e Emergjencave, për situatën e krijuar me reshjet në orët e fundit:

Së bashku me kryetarin e bashkisë, me drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, me Prefektin e Qarkut Shkodër, me Policinë e Shtetit, me Ministrinë e Mbrojtjes, me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe gjithë strukturat përkatëse, jemi duke monitoruar të gjithë situatën e reshjeve në vend. Për hir të së vërtetës, vendi ashtu siç e dimë, është prekur nga një situatë reshjesh të dendura gjatë këtyre 24 orëve dhe ndërkohë pritet edhe nesër të kemi po të njëjtin situatë. Për këtë arsye, të gjithë strukturat janë bashkë duke monitoruar jo vetëm në qarkun e Shkodër, por edhe në Durrës, po ashtu në Kukës kemi pasur një situatë, në Fier, në Vlorë; duke monitoruar gjithë vendin për të pasur më shumë koordinim së bashku, por edhe për të shmangur çdo lloj situate problematike që vjen nga reshjet. Sa i përket qarkut të Shkodrës, jemi duke monitoruar shkarkimet për shkak të lumit Buna, por edhe të liqenit të Shkodrës, me qëllim që të mos kemi situata të përmbytjes në zonat urbane, por patjetër edhe në tokat bujqësore.

Aktualisht që flasim, situata është nën kontroll, sapo dolëm nga një mbledhje e Komitetit të Emergjencave në Bashkinë e Shkodrës, e cila u koordinua nga kryetari i bashkisë pikërisht për të rakorduar së bashku me strukturat e KESH-it dhe strukturat e tjera, me qëllim mbajtjen nën kontroll edhe të shkarkimeve, por edhe të prurjeve nga kjo situatë e reshjeve, për të shmangur përmbytje të mundshme. Nuk kemi problematika. Patjetër do të monitorojmë reshjet e shkarkimet gjatës natës dhe paraditen e ditës së nesërme, që është, të themi, një fazë emergjence, dhe shpresojmë shumë, që nga nesër pasdite, të kemi një reduktim të reshjeve duke përmirësuar kështu edhe situatën. Për momentin jemi nën kontroll, institucionet janë të gjitha në këmbë dhe bashkërisht po monitorojmë çdo problematikë e çdo shqetësim.

Dua t’u bëj një thirrje qytetarëve që të ndjekin të gjitha rekomandimet dhe këshillat e autoriteteve vendore e qendrore, të cilat bëjnë thirrje për kujdes të shtuar gjatë kësaj faze që jemi duke kaluar!