Ministry of Internal Affairs

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, ka prezantuar Drejtorin e ri të Përgjithshëm të Gardës së Republikës, Ermal Onuzi.

Ministri falënderoi ish-Drejtorin e Gardës Gramos Sako, i cili për më shumë se 10 vite udhëhoqi procesin e transformimit dhe reformimit të Gardës, si dhe Drejtorin e Komanduar, Sami Kuti, që drejtoi institucionin për disa muaj.

“Vizita ime e parë në Komandën e Gardës lidhet me një moment të rëndësishëm, me prezantimin e Drejtorit të ri të Përgjithshëm të Gardës së Republikës, z. Ermal Onuzi, i cili u përzgjodh pas një procesi të hapur konkurrimi, me kandidatura të mira e profesionistë të fushës së sigurisë. I urova zotit Onuzi suksese në detyrën e rëndësishme, duke besuar fort se do t’i çojë para punët e nisura, për ta kthyer këtë trupë, në elitare”, u shpreh ministri Hoxha.

Ai theksoi më tej se, si për çdo institucion tjetër, edhe për Gardën është i domosdoshëm vazhdimi i reformimit.

“Reformimi do ta bëjë Gardën e Republikës më efikase në përmbushjen e misionit dhe detyrave, për të garantuar sigurinë e personaliteteve të larta, të organeve të reja të drejtësisë, duke e shndërruar në një institucion modern e profesional. Shqipëria, ashtu si viti që lamë pas, do të presë në vijim forume politike të rëndësishme ndërkombëtare. Ndaj duhet angazhimi, që në bashkëpunim edhe me agjencitë e tjera ligjzbatuese, të sigurohet mbarëvajtja e këtyre aktiviteteve”, nënvizoi ministri Hoxha.

“Në përmbushje të misionit tim dhe vizionit për drejtimin e Ministrisë së Brendshme, me mbështetjen e Qeverisë dhe Kryeministrit Rama, do të bëj gjithçka me synimin që efektivët e Gardës së Republikës të jenë profesionistë të vërtetë, të përkushtuar dhe të varur vetëm nga forca e ligjit”, u shpreh kreu i ministrisë së Brendshme.