Ministry of Internal Affairs
Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancën e sotme plenare 4 nismat e propozuara nga Ministria e Brendshme:
➡️ Projektligjin “Për përpunimin e informacionit të udhëtimit në Republikën e Shqipërisë”;
➡️ Projektligjin “Për zyrën e rikuperimit të aseteve – ARO”;
➡️ Projektligjin “Për kontrollin e kufirit shtetëror”;
➡️ Projektligjin për ndryshime në ligjin “Për të Huajt”.
Fjala e ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha në projektligjin “Për zyrën e rikuperimit të aseteve – ARO”:
E nderuar Kryetare e Kuvendit,
Të nderuar deputetë,
Sjellim në seancën e sotme për miratim projektligjin “Për Zyrën e Rikuperimit të Aseteve”, një iniciativë që synon të përforcojë ndjeshëm kapacitetet tona në luftën kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe korrupsionit. Nisma ligjore ka qëllim krijimin e një strukture të specializuar brenda Policisë së Shtetit, e cila do të fokusohet ekskluzivisht në gjurmimin dhe identifikimin e aseteve që burojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi nga vepra penale, me parimin “Ndiq paranë”. Asetet kriminale që nuk kapen në kohë, për fat të keq, jemi të gjithë dëshmitarë të rasteve se kthehen në burime të fuqishme financiare për riorganizimin e grupeve kriminale, duke minuar sundimin e ligjit dhe besimin e qytetarëve. Aktualisht, legjislacioni ynë nuk ka të parashikuar një Zyrë të tillë me kompetenca të mirë-përcaktuara dhe me akses të drejtpërdrejtë në burimet e nevojshme të të dhënave. Kjo ka sjellë vështirësi për Policinë e Shtetit, vonesa dhe shpesh herë pengesa serioze në bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ndërkombëtar për gjurmimin e pasurive kriminale. Zyra e Rikuperimit të Aseteve, ARO, do të jetë strukturë e posaçme me pavarësi operacionale, e do të përfitojë nga burimet ekzistuese të Policisë së Shtetit, veçanërisht nga databazat dhe të dhënat që policia disponon në të dhënat e saj të pasura për veprimtarinë kriminale. Zyra do të lehtësojë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë dhe homologët në vendet e tjera, në mënyrë që të mundësohet shkëmbimi i shpejtë dhe efikas i informacionit për pasuritë e dyshuara me origjinë kriminale.
Të nderuar deputetë,
Dua t’ju bëj me dije, siç kemi sqaruar edhe në Komisionet parlamentare gjatë diskutimit të detajuar të nismës, se ky projektligj është përafruar me legjislacionin e Bashkimit Europian, në përputhje me kërkesat që burojnë nga Kapitulli 24 i Acquis – Drejtësia, Liria dhe Siguria, si dhe është hartuar me kujdesin dhe ekspertizën e tyre më të madhe, për të garantuar respektimin e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjen e të dhënave personale. Në hartimin e tij kanë kontribuar Zyra e Këshillit të Europës dhe Delegacioni i BE-së në Tiranë, të cilët përfitoj nga rasti t’i falënderoj edhe publikisht. Ky bashkëpunim reflekton rëndësinë që kjo reformë ka jo vetëm për sistemin tonë të drejtësisë, por edhe për rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Zyra e Rikuperimit të Aseteve do të jetë një pikë kyçe në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe në garantimin e rezultateve të prekshme në luftën kundër pasurisë së paligjshme. Ajo do të përmirësojë ndjeshëm kapacitetin tonë për të identifikuar, gjurmuar dhe ndaluar pasuritë që vijnë nga aktivitetet kriminale, si dhe do të forcojë themelet e shtetit ligjor në vendin tonë. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se procesi i integrimit europian është një objektiv kombëtar, dhe kjo nismë është një hap konkret në përmbushjen e këtij qëllimi. Krijimi me ligj i Zyrës së Rikuperimit të Aseteve është një nga angazhimet tona madhore, si pjesë e prioriteteve të Qeverisë dhe të Planit Kombëtar të Integrimit Evropian 2024-2030. Për këto arsye, ju ftoj që me votën tuaj të mbështesni këtë projektligj, në emër të forcimit të shtetit të së drejtës, të sigurisë publike dhe të perspektivës evropiane të Shqipërisë.
Faleminderit për vëmendjen!
Fjala e ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha për prezantimin e projektligjit “Për të huajt”:
E nderuar Kryetare e Kuvendit,
Të nderuar deputetë,
Kemi sjellë në këtë seancë, një nismë ligjore që ka marrë miratimin, pas diskutimit të detajuar në Komisionet parlamentare për një nismë të rëndësishme, që nuk është thjesht një ndërhyrje në ligjin ekzistues “Për të huajt”, por një hap strategjik i ri i Shqipërisë më të drejtë, per sigurt dhe më të përgatitur për të përballuar sfidat e së ardhmes. Projektligji është në përmbushje të angazhimit të drejtpërdrejtë të qeverisë shqiptare për të garantuar të drejtat themelore të çdo individi që kërkon të jetojë, punojë dhe integrohet në vendin tonë.
Ai vjen si pjesë e zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Migracionin, që i jep fund një epoke dhe qasjes fragmentare dhe i hap rrugë një menaxhimi të integruar, efikas dhe më human të migracionit dhe kufirit.
Në këtë nismë të propozuar, po veçoj 3 shtylla kryesore:
Së pari, garantimi i të drejtave dhe mbrojtja sociale për migrantët, refugjatët dhe azilkërkuesit. Nisma u jep fund pasigurive ligjore, që për vite te rënduar dhe per vitet radhe mbi shumë individë te cilat ka pasur dhe vonesa her pas here. Ajo mundëson akses dhe programe integrimi, shërbime sociale dhe juridike, si dhe proces më të qartë per te drejtat e aplikimit;
Së dyti, përmirësimi i procedurave dhe digjitalizimi i tyre. Kemi thjeshtuar dhe shkurtuar afatet për aplikim, duke e bërë më të lehtë për punonjësit shumë të kualifikuar të huaj, që të kontribuojnë me aftësitë dhe përvojën e tyre në zhvillimin e vendit tone;
Së treti, është krijuar një kuadër institucional më i fortë dhe më i koordinuar për menaxhimin e migracionit. Për herë të parë, përgjegjësitë e institucioneve janë të qarta me te lidhura me njëra-tjetrën në mënyrë funksionale dhe llogaridhënëse.
Këto ndryshime janë pjesë e përmbushjes së detyrimeve tona ndërkombëtare, në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian, dhe konkretisht përputhen me kërkesat e kapitullit 24 të Acquis së BE-së, që lidhet me drejtësinë, lirinë dhe sigurinë. Nga ana tjetër, projektligji është një investim për Shqipërinë e së nesërmes. Duke krijuar një klimë të favorshme për investitorët e huaj dhe një sistem të drejtë për migrantët, ne e propozojmë kështu vendin si një qendër tërheqëse në rajon — një vend që nuk i mbyll dyert, por i hap me përgjegjësi dhe me dinjitet.
Në këtë kuadër, ndryshimet për Lejen Unike për punonjësit shumë të kualifikuar, rregullat e bashkimeve familjare dhe shkallët e ankimimit, janë më të shumtë sesa dispozita ligjore, ato janë shprehje e një vullneti për të ndërtuar një sistem të bazuar mbi dinjitetin njerëzor, sundimin e ligjit dhe besimin në institucionet shtetërore. Po ashtu, nisma është pjesë e Udhërrëfyesit për Shtetin e së Drejtës, duke siguruar që çdo hap që ndërmarrim në drejtim dhe menaxhimit të migracionit është i mbështetur në standarde evropiane dhe respekt për të drejtat e njeriut.
Të nderuar deputetë,
Ky projektligj nuk është vetëm një domosdoshmëri ligjore. Është një shprehje e vizionit tonë për një Shqipëri të integruar, të drejtë dhe të hapur ndaj mundësive të reja. Një Shqipëri që nuk frikësohet nga ndryshimi, por e udhëheq atë me mençuri dhe përkushtim. Sot ne nuk po ndryshojmë vetëm një ligj. Po ndërtojmë një sistem të tërë. Një sistem që do të jetë më transparent, më i shpejtë, më i drejtë dhe më i denjë për një vend që synon qe të jetë shpejt anëtar i denjë i familjes europiane.
Faleminderit!
Fjala e ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha “Për kontrollin e kufirit shtetëror”:
I nderuar drejtues i seancës,
Të nderuar deputetë,
Sot diskutojmë një projektligj me rëndësi thelbësore për sigurinë kombëtare dhe për përmbushjen e objektivave strategjikë të vendit në rrugën e integrimit evropian – projektligjin “Për kontrollin e kufirit shtetëror”. Ky projektligj nuk është thjesht një ndryshim teknik apo formal. Ai përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve tona shtetërore në menaxhimin e integruar të kufijve, në përputhje të plotë me standardet e Bashkimit Europian dhe Kodin e Kufijve në Schengen.
Në këtë nismë ligjore, ne jo vetëm përmirësojmë kuadrin ligjor ekzistues, por hedhim një hap tjetër drejt sigurisë moderne, efikase dhe të integruar. Risitë që sjell ky projektligj janë të prekshme dhe me impakt konkret:
Së pari, forcohet bashkëpunimi ndërinstitucional dhe ndërkombëtar nëpërmjet krijimit të Qendrës Kombëtare për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, e cila do të jetë një hallkë kyçe në koordinimin e informacionit dhe veprimtarisë ndërmjet agjencive të ndryshme shtetërore dhe partnerëve tanë evropianë, përfshirë FRONTEX-in dhe organzima të tjerë ligjzbatues;
Së dyti, rritet siguria në zonën e verifikimit kufitar, përmes përcaktimit të qartë të një zone 2 kilometra brenda territorit ku rojat kufitare mund të ushtrojnë kompetencat e tyre, në mënyrë të ligjshme dhe të kontrolluar;
Së treti, projektligji përafron dhe një herë inkorporon dispozita të rëndësishme të BE-së, si ato që lidhen me Sistemin e Mbikëqyrjes së Kufirit, për pasagjerët, si dhe për rregulloren për trafikun lokal kufitar – çka i jep një dimension praktik dhe lehtësues jetës së qytetarëve që jetojnë në zonat kufitare;
Së katërti, projekti luan një rol kyç në luftën kundër migracionit të paligjshëm, krimit të organizuar dhe trafiqeve ndërkufitare, duke fuqizuar kapacitetet teknike, operative dhe ligjore të forcave tona të rendit në Pikat e Kalimit Kufitar dhe në gjithë gjatësinë e kufirit shtetëror;
Së pesti, kjo iniciativë rrit besimin e qytetarëve tek shteti dhe institucionet e tij, sepse tregon qartësisht se Shqipëria është një vend serioz në përmbushjen të detyrimeve të saj evropiane, por mbi të gjitha, një vend që investon për të garantuar rend, siguri dhe sovranitet.
Të nderuar deputetë,
Jemi të vetëdijshëm për sfidat që vijnë nga zhvillimet e sigurisë në rajon dhe më gjerë. Prandaj, ky projektligj është edhe një përgjigje e qartë dhe e koordinuar ndaj këtyre sfidave, një akt që na afron më shumë me Bashkimin Europian jo vetëm si aspiratë politike, por si funksionalitet real i një shteti të së drejtës dhe sigurisë. Ftoj të gjithë deputetët ta mbështesin këtë nismë ligjore, sepse siguria kufitare është baza e çdo zhvillimi tjetër demokratik, ekonomik dhe social të vendit tonë. Faleminderit.
Prezantimi në seancë plenare i projektligjit “Për përpunimin e informacionit të udhëtimit në Republikën e Shqipërisë” nga ministri i Brendshëm Ervin Hoxha:
E nderuar Kryetare e Kuvendit,
Të nderuar deputetë,
Një tjetër nismë e sjellë për miratimin tuaj sot në Kuvend është projektligji “Për përpunimin e informacionit të udhëtimit në Republikën e Shqipërisë” – një nismë në përmbushje të standardeve më të larta të sigurisë, mbrojtjes së të dhënave dhe për të avancuar në rrugëtimin tonë drejt bashkimit europian. Ky projektligj përafron plotësisht legjislacionin shqiptar me acquis të Bashkimit Europian, në fushën e përpunimit të të dhënave të udhëtimit – më konkretisht, të dhënave paraprake të pasagjerit dhe të dhënave në regjistrimin e emrit të pasagjerit (PNR). Shumë shkurt po ndalem tek disa pika që unë i vlerësoj shumë të rëndësishme, tek kjo nismë. Në radhë të parë para se të kaloj tek detajet, dua të theksoj se miratimi është parakusht për nisjen e negociatave për një marrëveshje ndërkombëtare me BE-në për shkëmbimin e të dhënave PNR, të cilat aktualisht nuk merren nga Njësia e Informacionit të Pasagjerit (NIP), Njësi që funksionon pranë Policisë së Shtetit, për fluturimet me vendet e BE-së.
Ky është një boshllëk që duhet plotësuar me urgjencë për të përmbushur angazhimet tona si vend kandidat. Për të realizuar këto procedura pune, Njësia ka nevojë për personel 24/7, për të mbajtur nën kontroll gjithë lëvizjet e pasagjerëve dhe për të siguruar të gjitha të dhënat nga kompanitë në mënyrë të vazhdueshme, fluide, cilësore dhe të sakta.
Për kryerjen e këtyre proceseve, ka nevojë gjithashtu edhe për specialistë të analizës nga struktura të tjera ligjzbatuese, të cilët krijojnë rregulla dhe profile bazuar mbi informacionin policor, inteligjent dhe nga çdo burim i hapur apo i mbyllur të strukturave policore apo të autoriteteve kompetente.
Risitë që sjell nisma janë të qarta dhe konkrete:
– Krijon një kuadër të plotë ligjor dhe të pavarur për përpunimin e të dhënave, duke zëvendësuar dhe përmirësuar boshllëqet që ekzistojnë në ligjin aktual për kontrollin kufitar;
– Garanton mbrojtje të të dhënave personale të pasagjerëve. Këto të dhëna do të përpunohen dhe ruhen vetëm autoriteti i vetë-përcaktuar në ligj, në mënyrë të sigurt dhe në përputhje me standardet më të larta të privatësisë dhe sigurisë kibernetike;
– Konsolidon kompetencat e Sektorit të Inteligjencës së Udhëtimit (SIU), pranë Policisë së Shtetit, si dhe përcakton qartë detyrat e institucioneve që do të bashkëpunojnë me të për qëllime të sigurisë publike dhe procedurave penale;
– Krijon një strukturë të centralizuar për mbledhjen, përpunimin, ruajtjen, shkëmbimin dhe fshirjen e të dhënave, përfshirë edhe veprime të tilla si anonimizimi, transmetimi ndërkombëtar dhe pseudonimizimi, që përputhen me direktivat dhe praktikat më të mira të BE-së;
– Garanton pavarësinë e strukturave, përmes një kuadri që shmang varësitë nga akte të ndryshme nënligjore dhe i jep siguri ligjore funksionimit të saj;
– Rrit eficencën për parandalimin dhe hetimin e veprave penale, përmes mundësisë që autoritetet kompetente të cilat duhet të kenë akses në të dhënat e nevojshme për qëllime të sigurisë dhe ndjekjes penale;
– Përcakton rolin e Autoritetit Kombëtar Mbikëqyrës, i cili do të garantojë ruajtjen e të drejtave të qytetarëve dhe kontrollin mbi mënyrën e përpunimit të të dhënave.
Të nderuar kolegë,
Projektligj është një instrument strategjik për forcimin e sigurisë kombëtare, përmirësimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe një hap i qartë drejt përmbushjes së kritereve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Me votën tuaj pro, ne i japim Shqipërisë një mjet të ri, të sigurt dhe të standardizuar për përballimin e sfidave të sigurisë kombëtare , për garantimin e të drejtave të qytetarëve dhe për ndërtimin e një sistemi modern, të drejtë dhe efikas të menaxhimit të të dhënave të udhëtimit. Faleminderit!