Ministry of Internal Affairs

Tiranë – Kursantët e Studimeve të Larta të Ministrisë së Brendshme të Francës (IHEMI), gjatë vizitës studimore që po zhvillojnë në institucionet e sigurisë u njohën me strukturën dhe funksionimin e Shërbimit Zjarrfikës në Shqipëri dhe panë nga afër Stacionin Zjarrfikës në Kinostudio, Tiranë. Delegacioni, i kryesuar nga Nënkoloneli i Xhandarmërisë Jean-Stephan Nogue, Shef i Departamentit të Sigurisë dhe Drejtësisë, përfshin ekspertë nga rendi publik, magjistratura, qeverisja vendore, sistemi penitenciar, emergjencat civile dhe shërbimi zjarrfikës francez. Ata u pritën nga Drejtori i Përgjithshëm i DPMZH Arben Cara dhe u njohën me kuadrin ligjor për menaxhimin e riskut nga fatkeqësitë, strukturat operacionale dhe mekanizmat e reagimit emergjent në të gjitha nivelet administrative.

Më herët, ata u pritën nga Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha. Ai shkroi pas takimit në rrjetet sociale:

“Kënaqësi të mirëprisja dhe përshëndesja përfaqësuesit e Kursit të Studimeve të Larta të Ministrisë së Brendshme Franceze (IHEMI), në kuadër të vizitës së tyre në Shqipëri. Kjo vizitë vjen në një moment të rëndësishëm për vendin – pas një procesi elektoral të qetë dhe pas Samitit të Komunitetit Politik Europian, ku Shqipëria tregoi se është një partner i besueshëm, me vizion të qartë europian. Diskutuam për sfidat e përbashkëta në fushën e sigurisë, për përpjekjet tona drejt ndërtimit të qyteteve më të sigurta përmes teknologjisë dhe mbi rolin e Shqipërisë si faktor stabiliteti në rajon. Bashkëpunimi ndërkombëtar dhe shkëmbimi i eksperiencave mbetet çelës për të përballuar sfidat moderne të sigurisë. Besoj se kjo vizitë do të shërbejë si një urë e fortë partneriteti mes institucioneve tona. Theksova se siguria e brendshme mbetet një ndër shtyllat kryesore të zhvillimit. Shqipëria, si një vend që ndodhet në një nyje të rëndësishme strategjike në rajon, ka rol të pazëvendësueshëm në arkitekturën europiane të sigurisë. Ne jemi të vetëdijshëm për përgjegjësitë që kemi dhe jemi të angazhuar për t’i përmbushur detyrimet tona me seriozitet. U urova mirëseardhjen në Shqipëri, me bindjen se shumë prej tyre do të rikthehen si turistë!”

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda priti kursin e studimeve të larta të Ministrisë së Brendshme së Francës. Në fjalën e tij gjatë konferencës, z. Proda prezantoi rolin dhe misionin e Policisë së Shtetit, strukturën organizative, si dhe reformat për modernizimin e saj. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ndau sfidat me të cilat përballet Policia e Shtetit në përmbushje të detyrës ndaj qytetarëve.

Fjalaë mbajtën edhe Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale Neritan Nallbati dhe Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin Saimir Boshnjaku. Drejtor Nallbati ka prezantuar operacionet e shumta të zhvilluara nga Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit. Ndërkaq, Drejtor Boshnjaku ka pasqyruar transformimin e Policisë Kufitare, si dhe rritjen e forcës parandaluese dhe goditëse kundër krimeve kufitare.