Ministry of Interior

Zëvendës Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari ka shpjeguar disa nga aspektet më të rëndësishme të marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, në lidhje me projektin “Smart city”, i cili do të krijojë kushtet për rritjen e parametrave të sigurisë publike, sidomos në shkolla, akset rrugore kombëtare dhe vendet me ekspozim të dukshëm publik. Duke folur rreth projekt ligjit, i cili do të ratifikojë marrëveshjen në fjalë, Lamallari tha se kjo hua financiare është negociuar nga ekspertë të Ministrisë së Financave dhe se shuma e përgjithshme e huasë arrin në shifrën 118.5 milionë dollarë, prej të cilave, 20 milionë USD janë “grant”.

Lamallari theksoi se: “Kjo kontratë huaje, në aspektin e terminologjisë teknike dhe pjesës së negociimit është mbuluar kryesisht nga Ministria e Financave, por duke qenë se Ministria e Brendshme është përfituese fundore përmes Policisë së Shtetit,  e cila do të sigurojë gjithë këtë mbështetje që ofrohet përmes kësaj huaje, e cila arrin në vlerën 118.5 milion dollarë, nga të cilat, falë negociatave të bëra nga ekipi i përbërë nga negociatorë të Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Financave, është siguruar që një pjesë e kësaj kontrate huaje, të kemi edhe 20 milionë dollarë “grant”. Kjo është dakordësuar edhe me palën e Emirateve,” vuri në dukje Lamallari.

Në lidhje me efektet që do të ketë zbatimi i këtij projekti në rritjen e parametrave të sigurisë në vendin tonë, Lamallari tha: “Ajo që doja të theksoja, kjo është e një rëndësie jetike për vendin, për sigurinë dhe rritjen e parametrave të sigurisë, jo vetëm të sigurisë rrugore, siç ishte menduar fillimisht, por kemi një koncept të zgjeruar të sigurisë publike, duke përfshirë elementët më të sofistikuar të teknologjisë, përfshirë këtu edhe përdorimin e inteligjencës artificiale përmes instalimit të kamerave, të radarëve, sensorëve të zhurmave, kamerave të trupit, si në akset kryesore kombëtare, të cilat janë nën kontrollin e Policisë së Shtetit, por gjithashtu në mjedise me ekspozim të lartë në publik përfshi dhe shkollat,” shpjegoi Lamallari.

Zv.ministri u ndal posaçërisht në rëndësinë që ka ky projekt për sigurinë në ambjente shkollore, duke nënvizuar se “Ky është një lajm i mirë edhe për stafet mësimore, për komunitetin e prindërve dhe mbi të gjitha për përfituesit fundorë, që janë vetë nxënësit, studentët, të cilët do të përfitojnë nga siguria e shtuar përmes përdorimit të kamerave dhe informacionit inteligjent, që grumbullohet falë konceptit të smart city-t, pra “qytetit të zgjuar”, dhe që do të përdoret për herë të parë në Shqipëri.”

Duke sqaruar detaje rreth fazave të aplikimit të projektit, Lamallari u shpreh se: “Projekti do të përfshijë një fazë zbatimi prej 12 muajsh dhe pjesë e marrëveshjes ka qenë edhe sigurimi i një faze funksionimi dhe mirëmbajtjeje për një periudhë 48 mujore. Unë mendoj që është vërtet jo vetëm një risi, por është një mundësi e jashtëzakonshme për vendin tonë për sigurinë rrugore dhe atë publike.”