Tiranë – Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme vendimin që forcon sigurinë për punonjësit e Policisë duke mundësuar mbrojtje të veçantë personale, të familjes dhe të pronës, kur për shkak të detyrës, i kërcënohet jeta, familja dhe prona. Vendimi përcakton kushtet që duhet të plotësojë një punonjës i policisë për të përfituar mbrojtje të veçantë, si dhe mënyrën e marrjes së masave të menjëhershme në rastin e një rreziku serioz dhe të çastit, nga ana e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, deri në momentin e mbledhjes së Komisionit.
“Ky vendim orienton dhe strukturon mënyrën, formën sesi një punonjës policie duhet të adresojë një kërkesë ndaj Komisionit ndaj kërcënimeve, i cili mund të bëhet në dy forma. Forma e parë është forma e menjëhershme, ku Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit lëshon një urdhër për mbrojtje të punonjësit të Policisë, ndërsa forma e dytë është forma që punonjësi i Policisë i drejtohet Komisionit nëpërmjet procedurave”, u shpreh ministri i Brendshëm pas mbledhjes së qeverisë.
Vendimi parashikon që krahas marrjes së masave mbrojtëse, Policia e Shtetit bashkëpunon me institucionet e tjera, për marrjen në vazhdimësi të informacioneve në funksion të parandalimit të ngjarjeve të mundshme kriminale, në drejtim të punonjësit të policisë të marrë në mbrojtje, familjes dhe pronës së tij.
“Nëpërmjet këtij akti në zbatim të ligjit të ri të Policisë së Shtetit ne hapim sot një kapitull të ri për sakrificën dhe mbrojtjen e punonjësve të policisë nga kërcënimet e mundshme që i bëhen për shkak të detyrës”, theksoi ministri Ervin Hoxha.
Vendimi synon të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e efikasitetit të shërbimeve publike në fushën e sigurisë dhe rendit, në luftën kundër krimit të organizuar, duke rritur kështu besimin publik.