Ministry of Interior

Në Kuvend u miratuan dy Akte Normative për shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së pasaportave dhe letërnjoftimeve për diasporën deri më 31 maj 2025! Ky hap i domosdoshëm garanton të drejtën e votës për mijëra shqiptarë jashtë vendit në 11 Maj 2025.

Fjala e plotë e ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha:

E nderuar znj. Kryetare e Kuvendit,

Të nderuar deputetë,

Po sjellim sot në seancë për miratim, pas diskutimeve në Komisionet parlamentare, 2 akte normative përmes së cilave propozohet të zgjatet afati i vlefshmërisë, përkatësisht për letërnjoftimin elektronik dhe pasaportën, deri në fund të muajit maj 2025, me qëllim që diaspora të votojë dhe të ushtrojë të drejtën e votës kushtetuese për zgjedhjet në 11 maj 2025.

Këto hapa janë shumë të domosdoshme për garantimin e të drejtës demokratike të votës për çdo qytetar shqiptar. Vota është themeli i demokracisë dhe shtyllë e një shoqërie të lirë ku secili duhet të ketë mundësi të ushtrojë të drejtën e saj. Ndaj nuk mund të lejojmë që vështirësitë e rinovimit të dokumenteve për ata që jetojnë jashtë shtetit, të bëhen pengesë për pjesëmarrjen në zgjedhje.

Diaspora ka dhënë e jep kontribut të jashtëzakonshëm për vendin, qoftë në aspektin ekonomik, qoftë ne aspektin kulturor por edhe atë diplomatik. Ata nuk janë vetëm qytetarë të Shqipërisë, por edhe ambasadorë të vlerave dhe aspiratave tona. Ndaj, është detyra jonë të bëjmë çka është e nevojshme për të garantuar përfshirjen e tyre në [do vendimmarrje që lidhet me vendin tonë.

Me aktet në fjalë përcjellim mesazhin e qartë se shteti amë mbetet i përkushtuar për të respektuar të drejtat e qytetarëve të vetë, pavarësisht se ku jetojnë ata.

Miratimi mundëson pjesëmarrje shumë të gjerë të votuesve nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë që po regjistrohen në platformën PER në zgjedhjet për Kuvendin, të cilëve u ka përfunduar afati i vlefshmërisë së letërnjoftimit elektronik ose pasaportës.

IdentiTek, kompania e prodhimit të dokumenteve biometrike, po vijon turin e aplikimeve me skuadra të lëvizshme në qytete të mëdha jashtë vendit, ku jetojnë shumë shqiptarë. Por nisur nga vlerësimet tona, numri i shtetasve shqiptarë me të drejtë vote, të cilëve u ka kaluar afati i vlefshmërisë së dokumentit të identifikimit ose mund t’u skadojë ky afat deri në 11 Maj, është rreth 520 mijë shtetas.

Sjellim në vëmendje se edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në janar 2025, iu drejtua Këshillit të Ministrave dhe për dijeni partive politike, që marrin pjesë në zgjedhje, me qëllim shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit.

Të nderuar deputetë,

Bazuar në nenin 45 të Kushtetutës dhe nenin 3 të Kodit Zgjedhor: “Çdo shtetas shqiptar, që ka mbushur moshën 18 vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, pa dallim race, etnie, gjinie, gjuhe, bindjeje politike, besimi, aftësie fizike ose gjendjeje ekonomike ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet, në përputhje me rregullat e parashikuara në këtë Kod. Çdo zgjedhës ka të drejtën e vetëm një vote për zgjedhjen e një subjekti zgjedhor”.

E pra, kemi detyrimin t’u ofrojmë ndihmë dhe të mbrojmë të drejtat e shtetasve tanë, që jetojnë e punojnë jashtë kufijve të vet. Këshilli i Ministrave propozon që afati i vlefshmërisë së mjeteve të identifikimit, të kartave ID dhe pasaportave që përfundon në datën 11 maj 2025, të zgjatet deri në datën 31 maj 2025, për shtetasit me vendbanim jashtë vendit, pasi këta të fundit qëndrojnë zakonisht ose të shumtën e kohës, në një vend të huaj, për shkak të punës apo të shërbimit të përhershëm, të ndodhjes së pasurisë apo të realizimit të interesave të veta ku ata jetojnë.

Për arsye të ndryshme dhe objektive, rinovimi i mjetit të identifikimit të shtetit shqiptar, mund të mos jetë realizuar në kohë, shtuar këtu edhe arsyen se numri i veprimeve, për të cilat iu nevojitet një mjet identifikimi i shtetit shqiptar i përditësuar, është më i ulët sesa për shtetasit shqiptarë me banim brenda vendit.

Ju ftoj të gjithëve të miratojmë këto Akte Normative me rëndësi për shtetasit shqiptarë, që jetojnë jashtë kufijve të vendit tonë, për të përmbushur vendimin historik që diaspora të ketë mundësinë për herë të parë në historinë e Shqipërisë, të votojë jashtë vendit.

Faleminderit.