Ministry of Interior
Kuvemd – Fjala e Ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha në interpelancën e kërkuar nga deputeti i opozitës Dogjani:
E nderuar Kryetare e Kuvendit,
Të nderuar deputetë,
Në fakt unë nuk e kuptova fare përse ishte interpelanca e kërkuar nga deputeti Asllan Dogjani, gjithsesi unë jam këtu me cilësinë e Ministrit të Brendshëm, t’iu përgjigjem të gjitha pyetjeve, shumë me integritet, mbi rolin e policisë në kryerjen e detyrave dhe cili është roli i ministrit të Brendshëm si autoriteti më i lartë i cili përgjigjet për sigurinë në vend.
Kërkesa e deputetit Dogjani për zhvillimin e kësaj interpelance sot është një mundësi shumë e mirë për të paraqitur para jush një përmbledhje shumë të shkurtër të treguesve kryesorë të punës së zhvilluar nga Ministria e Brendshme dhe nga Policia e Shtetit gjatë vitit që sapo lamë pas si dhe në momentet që po flasim. Garantimi i sigurisë së qytetarëve dhe i rendit publik kanë qenë dhe vijojnë të jenë në vëmendjen maksimale të Qeverisë Shqiptare dhe të Ministrisë së Brendshme.
Por, të garantosh rend dhe siguri publike nuk është e thjeshtë, prandaj Ministria e Brendshme, brenda atributeve të saj ligjore dhe me bindjen se ka gjithmonë vend për përmirësim, ka punuar në shumë drejtime, duke përshirë këtu:
– përmirësimet ligjore;
– masat e shtuara për parandalimin dhe hetimin e veprave penale;
– zgjerimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë;
– përqafimin e zhvillimeve më të fundit teknologjike, së bashku me investimet përkatëse për implementimin e tyre.
Z. Dogjani,
Të nderuar kolegë,
Të bësh politikë me vrasje dhe me drama familjare është kur nuk ke të thuash asgjë përsa u përket argumenteve dhe vërtetësisë. Qoftë me rastin e Gjirokastrës, që nuk është e vërtetë fare që kjo është një dramë varfërie, por thjesht është një dramë familjare. Ajo që thoni ju nuk është e vërtetë. Dhe kjo është e provuar nga mënyra se si ka ndodhur kjo dramë familjare. Gjithsesi është dëshpëruese dhe shumë politike që ju përmendni këtu drama familjare, nga njerëz të thjeshtë, të rënduar psikologjikisht. Unë jam këtu për të dhënë llogari, sipas pyetjeve që ju më keni drejtuar.
Në kërkesën për këtë interpelancë ngrihet pretendimi se sot ka më shumë vrasje, të paktën, ka më pak siguri, dhe më pak zbulueshmëri të veprave penale nga ana e Policisë së Shtetit.
Nuk do të marr shumë kohë me të dhëna numerike, pasi në fund të fundit, jemi duke folur për jetë njerëzish dhe nuk mund të bëjmë politikë me këto jetë. Por kjo nuk do të thotë se mund të baltoset kaq lehtë puna e Policisë së Shtetit, e mijëra profesionistëve që punojnë natë e ditë me përkushtim ndaj detyrës dhe në zbatim të ligjit.
Nëse ndalojmë tek numrat, nga viti 2013 e deri më sot, ka një rënie progresive dhe domethënëse të numrit të vrasjeve nga viti në vit, duke shënuar një rekord të minimumit historik gjatë dy viteve të fundit, me respektivisht në 2024 kemi pasur 41 dhe në vitin 2023, rekordi i të gjitha kohërave, 35 vrasje, kundrejt 126 vrasjeve të ndodhura në vitin 2012.
Kjo është diferenca e shifrave dhe e vërteta për gjithë publikun dhe shqiptarët që po na ndjekin. Sa i takon zbulueshmërisë së kësaj vepre penale, për vitin që sapo lamë pas, deri në këtë moment janë zbuluar 86% e rasteve të veprës penale “Vrasje me dashje” dhe 94 % e rasteve të veprës penale “Vrasje e mbetur në tentativë”.
Përveç kësaj, gjatë vitit që sapo lamë pas, është regjistruar numri më i ulët i veprave penale të ndodhura gjatë 10 viteve të fundit, duke shënuar një rënie me 2% krahasuar me mesataren e dy viteve të fundit dhe një rënie me 8% krahasuar me tre vite më parë. Pavarësisht se shifrat flasin vetë, padyshim ato nuk dëshmojnë çrrënjosjen përfundimtare të kriminalitetit në vendin tonë, sepse historia ka treguar që kjo është diçka e pamundur, edhe për shoqëritë e vendeve më të zhvilluara europiane.
Analizuar në aspektin social, pjesa dërrmuese e vrasjeve të ndodhura kohët e fundit është karakterizuar nga shkaqe për motive të dobëta, kryesisht për debate të momentit. Për këtë qëllim, Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit kanë adresuar një vëmendje të shtuar ndaj sigurisë në komunitet, duke fuqizuar mekanizmat lokalë të sigurisë, përfshirë këtu ngritjen dhe konstituimin e Këshillit Kombëtar të Sigurisë në Komunitet dhe Këshillave Vendorë të Sigurisë Publike.
Nga ana tjetër, fatkeqësisht vërej se prirjet për të ekzagjeruar dhe konstatimet dashakeqe dhe të rreme lidhur me sigurinë në vend, kanë qëllimin e vetëm të tentojnë të eklipsojnë rezultatet e arritura gjatë këtyre 11 viteve. Ndihem i keqardhur që ju po e trajtoni publikun jo si qytetarë që duhet të informohen me vërtetësi mbi gjendjen e rendit dhe sigurisë në vend, por si spektatorë, të cilët kërkoni t’i frikësoni me rastet fatkeqe të kronikës së zezë duke krijuar kriza politike artificiale.
Në kohën kur ju e qeverisnit këtë vend, vritej një qytetar afërsisht çdo dy – tre ditë, duke mos lënë kohë për të stërholluar detaj pas detaji secilën ngjarje. Ndërkohë, një pretendim tjetër i juaji lidhej me perceptimin e sigurisë në vend.
Vetëm para pak ditësh, Ministria e Brendshme prezantoi të dhënat e një ankete të zhvilluar nga kompania IDRA, me mbështetjen dhe financimin e Qeverisë Suedeze, krejtësisht e pavarur në ekspertizën e saj, anketë e cila ka prodhuar një pasqyrë të qartë të vlerësimit dhe nivelit të besimit që qytetarët shqiptarë kanë ndaj Policisë së Shtetit.
Ky studim nxori në pah se:
️ 82% e qytetarëve shqiptarë të anketuar, deklaruan se ndihen të sigurt ose shumë të sigurt, ndërkohë që në vitin 2013 e njëjta anketë nxori në pah se 63% e qytetarëve ndiheshin të sigurt;
️ Rreth 70% e tyre nuk shqetësohen kurrë për mundësinë e vjedhjes së shtëpisë së tyre, ndërkohë që në vitin 2013 vetëm 40% e qytetarëve nuk e kishin këtë shqetësim;
️ 78% e qytetarëve të anketuar nuk kanë shqetësimin se mund të bëhen viktima të krimit të dhunshëm, ndërsa në vitin 2013 vetëm 50% e qytetarëve nuk i druheshin kësaj mundësive;
️ 65% e të anketuarve e vlerësojnë punën e Policisë së Shtetit si “të mirë” ose “shumë të mirë”, ndërsa në vitin 2013 vetëm 36% e vlerësonin pozitivisht punën e Policisë së Shtetit;
️ Gjatë vitit që sapo lamë pas, vetëm 4% e qytetarëve të anketuar ose anëtarëve të familjes së tyre kanë qenë viktima të një vjedhjeje ose sulmi fizik në 5 vitet e fundit, kundrejt 11% e qytetarëve të anketuar në vitin 2013.
E pavarësisht treguesve pozitivë që sapo përmenda, ne do të vijojmë pareshtur të bëjmë atë që i kemi premtuar qytetarëve tanë rend dhe siguri të niveleve më të mira europiane, nëpërmjet reformave të qenësishme ligjore, rritjes së profesionalizmit të Policisë së Shtetit dhe modernizimit të veprimtarisë së saj nëpërmjet fjalës së fundit të teknologjisë dhe sigurimit të investimeve të nevojshme për këtë qëllim.
Ministria e Brendshme është duke përmbyllur të gjitha aktet nënligjore që rrjedhin nga ligji i ri “Për Policinë e Shtetit”, një ligj që vendos në qendër të tij qytetarin e që përvetëson standardet, modelet dhe parimet më të mira europiane në fushën e rendit dhe sigurisë publike.
Nga ana tjetër, Policia e Shtetit shumë shpejt do të implementojë projektin qeveritar “Smart City”, një projekt, që do të mbështetet në një infrastrukturë digjitale moderne, në inteligjencën artificiale dhe në ekspertizën më të mirë të profesionistëve të kësaj fushe.
Shtrirja e këtij projekti në 20 qytetet kryesore të vendit, do të mundësojë identifikimin në kohë reale të autorëve të ngjarjeve kriminale, të shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor si dhe të rreziqeve të natyrave të tjera.
Shumë shpejt në vijim të ditëve, kjo marrëveshje do të firmoset edhe nga Kryeministri i vendit. Ju faleminderit.
Kuvend – Replika e ministrit të Brendshëm me deputin Dogjani:
Z. deputet,
të marrësh minuta në parlamentin shqiptar, si ish-drejtues i Policisë në disa qarqe, dhe të flasësh për vrasje, vetëvrasje dhe vjedhje, vetëm ju mund ta bëni.
Ju mund të bëni dhe diçka tjetër, të bëni protesta në datën 23 dhjetor. Unë bëra një analizë dhe shumë shtete të BE dhe shumë shtete të botës, nuk ka fare protesta në 23 dhjetor, ku të gjithë shqiptarët shkojnë në familjet e tyre. Kurse ju bëni protesta në 23 dhjetor.
Më vjen mirë që ju deputet e ndieni veten edhe gjirokastrit. Dhe unë do t’jua them pse ju e ndieni veten gjirokastrit. Ju e ndieni veten gjirokastrit, sepse periudha juaj më e artë e drejtimin në Policinë e Shtetit ka qenë koha kur ju keni qenë drejtor policie në Gjirokastër. Dhe kjo ka qenë një periudhë shumë e artë, sepse ka qenë e mirë për ju si drejtues policie dhe natyrisht që ju e ndieni veten gjirokastrit, madje më shumë se unë.
Të dekurajosh 12 mijë punonjës policie, këtë gjë mund ta bëni vetëm ju. Të përmendësh 12 mijë punonjës policie, të cilët nuk bëjnë detyrën, janë të korruptuar, janë pjesë e bandave, janë pjesë e krimit, vetëm ju mund ta bëni këtë politikë.
Në lidhje me perceptimin që unë ju parashtrova si anketim i një fondacioni i cili bëri anketimin, i financuar nga qeveria suedeze, janë shifrat reale të publikuara dhe ju mund ta merrni këtë dokument dhe ta lexoni të gjithin.
Por këto shifra janë ato që shqiptarët i lexojnë, kurse shifrat që keni ju, janë ato që shikoni ju në ëndrra dhe perceptimi juaj, të cilat i merrni dhe i shihni në ëndrra, i ndryshoni, ia jepni njëri-tjetrit, ua jepni portaleve dhe pastaj krijoni një tragjedi e krizë politike. Shifrat janë shumë të dukshme.
Për sa i përket vrasjeve, vrasjet dhe hetimi i vrasjeve janë kompetencë e Prokurorit dhe e Policisë së Shtetit, nëse këto detyra delegohen. Policia ka një rol shumë të rëndësishëm, por nuk është e vetme në këtë luftë, të gjithë aktorët e tjerë duhet të përfshihen. Faleminderit.