Zv.ministri i Brendshëm pret Sekretarin belg për Azilin/Mahila: Lëvizja e lirë është e drejtë e çdo individi, ndërsa migracioni është një zgjedhje - Ministria e Brendshme
Postuar më: 18/10/2021

Zv.ministri i Brendshëm pret Sekretarin belg për Azilin/Mahila: Lëvizja e lirë është e drejtë e çdo individi, ndërsa migracioni është një zgjedhje

Zv.ministri i Brendshëm Mahila pret Sekretarin belg për Azilin dhe Migracionin Sammy Mahdi

Mahila: Lëvizja e lirë është një e drejtë e çdo individi, ndërsa migracioni është një zgjedhje

Zv.ministri i Brendshëm Andi Mahila priti sot në takim zyrtar Sekretarin e Shtetit për Azilin dhe Migracionin të Belgjikës z. Sammy Mahdi, me të cilin u diskutuan çështje të bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë, me theks të veçantë, luftën kundër migracionit të paligjshëm. Gjatë këtij takimi u konfirmuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve si dhe u shpreh qartë mbështetja e Belgjikës për integrimin e Shqipërisë në BE.

Pas takimit, ata bënë një deklaratë për median:

Zv.ministri  Mahila: Në vijim të angazhimeve të Ministrisë së Brendshme, sot zhvilluam një takim me interes dypalësh, me Sekretarin e Shtetit të Belgjikës, z. Sammy Mahdi për çështjet e migracionit dhe azilit.

Niveli shumë i mirë i dialogut politik midis dy vendeve tona tregon edhe një herë tjetër rëndësinë e marrëdhënieve dypalëshe midis Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Belgjikës, i cili është i shprehur qartë në mbështetjen e plotë që Belgjika i ka dhënë procesit të integrimit të vendit tonë në BE dhe plotësimit nga ana jonë të detyrimeve, bazuar në rezultatet e arritura. Theksuam dhe u dakordësuam se bashkëpunimi midis institucioneve përgjegjëse të Shqipërisë dhe Belgjikës për çështjet e migracionit dhe të azilit është shumë i mirë. Mbetemi të angazhuar për të intensifikuar më tej këtë bashkëpunim.

Ne vijojmë të ruajmë një komunikim të vazhdueshëm me autoritetet belge për adresimin e një sërë çështjesh që preokupojnë vendet tona. Konkluzionet e arritura në takimet e zhvilluara, siç ishte edhe ky i sotmi, evidentojnë nevojën për zgjerimin dhe thellimin e këtij bashkëpunimi, edhe për ato çështje që lidhen me migracionin e paligjshëm dhe të azilkërkimit.

Masat e marra nga qeveria shqiptare, posaçërisht masat sensibilizuese dhe parandaluese të marra nga strukturat tona përgjegjëse, për frenimin e migracionit të parregullt, jo vetëm drejt Belgjikës, por edhe vendeve të tjera të BE-së, dëshmojnë për rezultatet domethënëse pozitive në këtë angazhim, ku padyshim intensifikimi i bashkëpunimit do të sjellë rezultate edhe më të qëndrueshme. Shqipëria prej vitesh tashmë është një vend i origjinës së sigurt. Qëndrimi ynë është i vendosur për të minimizuar rastet e azilkërkimit.

Bazuar në një kuadër të ashpër ligjor do të thosha, Policia e Shtetit ka forcuar masat në pikat e kalimit kufitar, me fokus të miturit e pashoqëruar, duke proceduar deri në ndjekje penale prindër që lenë fëmijët e tyre të mitur, të pashoqëruar për të udhëtuar drejt vendeve të BE-së, apo qytetarë që nuk justifikojnë kushtet për lëvizje të lirë në zonën Shengen. Në bashkëpunim me autoritetet dhe policitë partnere jemi angazhuar për goditjen e grupeve kriminale, që tentojnë të favorizojnë migracionin e paligjshëm.

Reagimi me efikasitet ndaj migracionit të parregullt të shtetasve shqiptarë drejt vendeve anëtare të BE-së, nga Ministria e Brendshme dhe institucionet e tjera përgjegjëse, nëpërmjet zbatimit të masave të duhura për parandalimin e migracionit të parregullt të shtetasve shqiptarë, kanë sjellë një rënie të ndjeshme të aplikimeve përgjatë 4 viteve të fundit. Ndikim këtu padyshim ka patur edhe refuzimi në rritje i kërkesave për azil nga vendet pritëse, si dhe riatdhesimet për qëndrim të parregullt në vendet e BE-së.

Ministria e Brendshme vazhdon të bashkëpunojë ngushtë me organizatat ndërkombëtare IOM, UNHCR, me partnerët dhe agjencitë e BE-së, FRONTEX, EUROPOL, me organizata si GIZ dhe OSBE etj., natyrisht edhe me delegacionin e BE-së në Tiranë, veçanërisht në drejtim të zhvillimit të fushatave parandaluese, promovimit të kthimit vullnetar, si edhe për mbështetjen e shtetasve shqiptarë të kthyer gjatë procesit për ri-integrimin e tyre.

Në bashkëpunim me pushtetin lokal, është punuar gjatë viteve 2020-2021, me qëllim hartimin dhe zbatimin e programeve specifike për të rinjtë dhe familjet e të miturve të pashoqëruar në rajonet e banimit të tyre të për t’i fuqizuar dhe për të reduktuar rastet e migracionit të paligjshëm.

Sipas Planit të Veprimit të Strategjisë Kombëtare për Migracionin 2019–2022, do të kryhen vazhdimisht fushata ndërgjegjësimi për të informuar për rregullat dhe kushtet e udhëtimit pa viza në BE, mundësitë për një migracion të rregullt dhe pasojat e migracionit të parregullt. Në zbatim të projektit kemi filluar të realizojmë aktivitete në të gjitha rajonet e Shqipëri, por parashikohet të ketë edhe aktivitete në Belgjikë dhe në Holandë, për ndërgjegjësimin mbi migracionin e sigurt, të rregullt.

Para se t’ia kaloj fjalën Sekretarit të Shtetit të Belgjikës, është e nevojshme të theksoj se lëvizja e lirë është një e drejtë e çdo individi, ndërsa migracioni është një zgjedhje, por, migracioni i parregullt – i jashtëligjshëm nuk mund të jetë kurrsesi një zgjidhje, përkundrazi, në pothuajse të gjitha rastet e vështirëson situatën për personin që e kryen.

Azilkërkimi në vendet e BE-së, përveçse ka shanse pothuajse zero për t`u marrë në konsideratë nga vendet pritëse, cenon rëndë aspiratat dhe përpjekjet e Shqipërisë për t`u bërë pjesë e familjes evropiane, që e dëshirojmë dhe që jemi të angazhuar të gjithë. Shqipëria Europiane jemi të gjithë ne shqiptarët. Dhe të gjithë duhet të kontribuojmë për të ardhmen evropiane të vendit. Faleminderit.

Sekretari i Shtetit, Mahdi: Të dashur kolegë shqiptarë, të dashur miq shqiptarë, pavarësisht se është hera e parë që vij këtu, siç e thashë edhe gjatë takimit, ne kemi marrëdhënie që datojnë që prej shumë kohësh. Jam shumë i gëzuar që ndodhem në qytetin e bukur të Tiranës dhe dëshiroj të theksoj që Shqipëria ka bërë përparime jashtëzakonisht të mëdha vitet e fundit dhe Belgjika e konsideron si një aleat të çmuar të NATO-s dhe e përkrahim në rrugën e Shqipërisë, e mbështesim në integrimin europian.

Dëshiroj të theksoj se vitet që ju presin janë vite pasionante dhe jam shumë i paduruar të shikoj vazhdimin dhe thellimin e përparimeve të vendit tuaj.

Ajo që me bëri përshtypje në Shqipëri është që Europa është tashmë në Shqipëri. Dhe Shqipëria, pavarësisht se nuk është ende anëtare, është tashmë pjesë përbërëse e BE-së.

Gjëja e dytë që më ka bërë përshtypje është numri i madh i të rinjve, i brezit të ri në Shqipëri, që është një brez krijues, një brez i talentuar, një brez i mbushur me dëshirën për përparimin dhe ndryshimin e Shqipërisë.

Të gjithë shqiptarët që dëshirojnë të përfitojnë përvojë, të studiojnë në Belgjikë, madje të punojnë në mënyrë të ligjshme në Belgjikë janë të mirëseardhur. Por dëshiroj të flas edhe për një aspekt tjetër, për të emigruar, për të ardhur në Belgjikë, ka rrugë të ligjshme, ka edhe rrugë të paligjshme. Prandaj të gjithë duhet të informohen në mënyrë sa më të plotë e të saktë për rrugët legale të migrimit, sepse në rast se do emigrohet në mënyrë të paligjshme, vështirësitë janë të paevitueshme, qoftë në kufi, qoftë edhe gjatë qëndrimit në territorin belg.

Fatkeqësisht ka lajmë të rreme që qarkullojnë, si në të gjitha fushat, edhe në fushën e emigrimit. Fatkeqësisht javët e fundit është rritur paksa numri i shqiptarëve që kërkojnë azil në Belgjikë dhe dëshiroj të jap një sinjal të fortë që emigrimi i paligjshëm nuk është rruga e duhur për t’u vendosur në Belgjikë.

Sigurisht që mundësia për të përfituar azil në Belgjikë është pothuajse zero, sepse, siç dihet, Shqipëria konsiderohet nga Belgjika si një vend i sigurt. Dhe Shqipërinë si vend të sigurt e konstatova dhe jam dëshmitar edhe vetë gjatë qëndrimit tim në Tiranë. Sigurisht vendimet negative do të merren në një kohë rekord dhe të gjithë personat që nuk përmbushin kriteret, duhet të largohen menjëherë nga territori belg.

Sigurisht në pikat tona kufitare bëhet një kontroll i thelluar dhe jam i sigurt që kjo punë do të forcohet gjithnjë e më shumë edhe në muajt e vitet e ardhshme për të parandaluar dhe goditur emigracionin e paligjshëm.

Çdo person që nuk i lejohet hyrja në territorin belg, do të vendoset në një qendër përpunimi dhe kthehet menjëherë në avionin më të parë në drejtim të Shqipërisë. Përveç kësaj merret edhe një vendim që për një kohë të caktuar, t’i ndalohet hyrja në të gjitha vendet Shengen. Personat që nuk kthehen vullnetarisht dëbohen forcërisht nga Belgjika në drejtim të Shqipërisë. Belgjika dhe Shqipëria kanë një mekanizëm ri-pranimi shumë efikas.

Unë u bëj thirrje të gjithë të rinjve shqiptarë që të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë këtu, sepse Shqipëria është një vend i mbushur me shumë potenciale dhe jeta në Belgjikë nuk është gjithmonë e lehtë.

Edhe njëherë, më lejoni të falënderoj miqtë e mi shqiptarë për bashkëpunimin mes dy vendeve tona. Në luftën kundër emigrimit të paligjshëm ne jemi aleatë dhe do të bëjmë gjithçka që të evitojmë që personat të emigrojnë në mënyrë të paligjshme, sepse emigrimi i paligjshëm është një kosto për vetë personat që janë subjekt i këtij migrimi.

Sigurisht kemi një marrëdhënie e bashkëpunim shumë të mirë edhe në kuadrin e IOM-it, kemi ndërmarrë edhe një fushatë të re informimi që ka si target të rinjtë, në mënyrë që të rinjtë të mos bëhen viktima të lajmeve të rreme. Do të bëjmë të pamundurën për të informuar njerëzit, se cilat janë rrugët e ligjshme të migrimit dhe cilat janë rrugët e paligjshme të migrimit, dhe këto të fundit nuk duhet të përdoren asnjëherë.