Tiranë - Ministri Çuçi pret Ministren e Brendshme të Italisë: 25 vite më parë krijonim pasiguri për fqinjët, sot punojmë së bashku për të parandaluar dhe goditur krimin. Dy vendet tona kanë një marrëdhënie speciale - Ministria e Brendshme
Postuar më: 07/06/2022

Tiranë – Ministri Çuçi pret Ministren e Brendshme të Italisë: 25 vite më parë krijonim pasiguri për fqinjët, sot punojmë së bashku për të parandaluar dhe goditur krimin. Dy vendet tona kanë një marrëdhënie speciale

Ministrja e Brendshme e Italisë, Luciana Lamorgese ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare me rastin e 25 vjetorit të nënshkrimit të Protokollit të Mirëkuptimit Shqipëri-Itali në Fushën e Sigurisë.

Ajo u prit nga homologu i saj, Bledi Çuçi. Ministri i Brendshëm i Shqipërisë thotë se sot 25 vite më pas Shqipëria ka krijuar besim të fortë dhe respekt reciprok te fqinjët, ndryshe nga 25 vite më parë kur eksportonte pasiguri.

“Ndryshe nga çerek shekulli më parë kur Shqipëria përjetoi kolapsin e vitit të mbrapshtë 1997, sot kemi arritur të krijojmë besim të fortë dhe respekt reciprok teksa vijojmë të qëndrojmë krah njëri-tjetrit dhe frontalisht të vendosur kundër krimit. E falënderova për mbështetjen maksimale që Italia ka dhënë vazhdimisht për forcat tona të Policisë, si dhe vlerësova bashkëpunimin e ngushtë në drejtim të ngritjes dhe funksionimit të skuadrave të përbashkëta hetimore dhe operacioneve policore prej të cilave kemi pasur rezultate impresionuese. 30 operacione të përbashkëta përgjatë vitit 2021 dhe 9 operacione vetëm në pesë muajt e parë të këtij viti janë dukshëm një punë shumë domethënëse për një të ardhme të sigurt të qytetarëve tanë”, shprehet ministri Çuçi.

Më tej ai e falënderoi homologen italiane për mbarëvajtjen e finales së UEFA Conference League, teksa theksoi gjithashtu se ky event dëshmoi edhe njëherë se ne dimë të funksionojmë si një trup i vetëm përballë sfidave që lidhen me rendin dhe sigurinë.

Në vijim ministri Çuçi ndau me ministren e Brendshme të Italisë, Luciana Lamorgese, projektin për transformimin e Akademisë së Sigurisë.

“E njoha gjithashtu ministren Lamorgese me punën që kemi nisur për transformimin rrënjësor të Akademisë sonë të Sigurisë, me një riorganizim total dhe programe edukimi të modernizuara sipas standardeve më të mira bashkëkohore”, tha ministri Çuçi.

Sipas tij të dy vendet tona kanë një marrëdhënie speciale dhe bashkëpunimi dypalësh është shumë më i zgjeruar dhe më i ngushtë nga sa parashikojnë marrëveshjet, memorandumet apo protokollet.

Vetë ministrja italiane, Luciana Lamorgese vlerësoi progresin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë në fushën e rendit, sigurisë dhe çështjeve të brendshme. Në mënyrë të veçantë ajo tha se Shqipëria nuk është më një problem për Italinë prej vitesh përsa iu përket flukseve migratore.

Më poshtë, fjala e plotë e Ministrit të Brendshëm Çuçi në ceremoninë e zhvilluar në TKOB:

 

E nderuar Ministre Lamorgese, e dashur Luciana,

Të nderuar përfaqësues të policisë italiane dhe shqiptare,

Të nderuar deputetë,

Të nderuar prokurorë dhe hetues të SPAK,

I nderuar Ambasador Bucci

Të nderuar zonja e zotërinj!

 

I prekur edhe nga historitë njerëzore, që sapo pamë në dokumentarin e shfaqur që na kujtuan atë vit të mbrapshtë të 1997, nuk mund të kujtonim këtë 25-vjetor të nënshkrimit të protokollit të mirëkuptimit Shqipëri-Itali në fushën e sigurisë, pa kujtuar ku e nisëm një çerek shekulli më parë! Ishin vërtet kohë të vështira për Shqipërinë, kohë kur në brigjet shqiptare niseshin gomone me emigrantë që kërkonin një jetë më të mirë në Itali. Ishin kohë paradoksale, kohë kur shumë qytetarë shqiptarë, kërkonin ndihmë nga krimi, nga trafikantët, për t’i shpëtuar pasigurisë dhe krimit në Shqipëri. Kohë që vunë në sprovë të madhe Shqipërinë, Italinë dhe miqësinë tonë.

Italia, si një fqinj i mirë, jo vetëm që u hapi dyert shqiptarëve, por edhe ndihmoi bujarisht shtetin shqiptar për të forcuar rendin dhe sigurinë.

E pra kemi bërë një kapërcim epokal në këta 25 vite.

Sot jemi krah njëri-tjetrit në luftën tonë të përbashkët kundër formave nga më të ndryshmet dhe të reja të krimit të organizuar, të trafikimit të qenieve njerëzor, të trafikimit të lëndëve narkotike, pastrimit të parave, krimit kibernetik dhe forma tjera kriminaliteti.

E t’ju sjell menjëherë një shembull, me që lidhet me ato fenomene të vitit 1997, që lidhet me operacionin “Astrolabio”, ku së bashku, ne kemi goditur  4 grupe  kriminale që kontrabandonin qenie njerëzore, tashmë nga konfliktet në Lindjen e Mesme dhe nga Afrika e veriut, drejt Italisë së jugut e më pas për të shkuar drejt Europës.

Vetëm gjatë 12 muajve të fundit kemi kryer disa operacione anti-drogë të përbashkëta, që kanë shënuar rezultate impresionuese. Bashkëpunimi me Guardia Di Finanza për monitorimin ajror të hapësirës sonë, është gjithashtu një histori suksesi.

E nuk mund të lë pa përmendur bashkëpunimin tonë shumë interesant, tashmë prej 5 vitesh, për forcimin e sigurisë në zonat turistike. Pra vëreni çfarë ndryshimi epokal nga 1997-a! Sot ne bashkohemi për të pasur më shumë siguri për qytetarët shqiptarë dhe italianë, që frekuentojnë Shqipërinë për turizëm.

Falë këtij bashkëpunimi, çdo vit, punonjës policie nga Italia vijnë në Shqipëri për të shërbyer në tri qytetet tona kryesore turistike, Durrësi, Vlora dhe Saranda.

Rreth 450 mijë turistë italianë vizituan Shqipëri në vitin 2019. Pas boshllëkut të krijuar nga pandemia, këtë vit presim një numër edhe më të lartë të turistëve italianë në Shqipëri. Për këtë qëllim, Policia e Shtetit është maksimalisht e përkushtuar të garantojë një ambient të sigurt në çdo zonë turistike, por jo vetëm. Për më tepër, duam të transferojmë tek efektivët tanë përvojën e vyer të policisë italiane, në rritjen e standardeve të sigurisë në plazhe dhe zona turistike.

Nuk dua të zgjatem me shembuj, sepse ka plot të tillë, në të gjitha fushat, që lidhen me sigurinë dhe me punën e përditshme të policisë, por dua të theksoj se Shqipëria, edhe pse nuk është ende vend anëtar i Bashkimit Europian, është sot një partnere e përkushtuar dhe gjithmonë e më tepër e besueshme, në forcimin e rendit dhe luftën kundër krimit të organizuar, që bashkëpunon ngushtë me Italinë fqinje, dhe me vendet e tjera europiane.

Shumë gjëra të rëndësishme ne na lidhin me Italinë. Një vend i veçantë në marrëdhëniet tona të ngushta zënë shqiptarët që punojnë, studiojnë e jetojnë në Itali. Por tashmë, edhe komuniteti i konsiderueshëm i italianëve që punojnë, studiojnë dhe jetojnë në vendin tonë.

Italia mbetet pa diskutim partneri kryesor tregtar i Shqipërisë dhe avokati unë i pazëvendësueshëm në Bashkimin Europian. Prandaj  marrëdhëniet mes dy shteteve tona në fushën e sigurisë dhe çështjet e brendshme që rregullon ky Protokoll i mirëkuptimit Shqipëri-Itali në fushën e sigurisë, janë të një rëndësie strategjike.

Protokolli dhe 11 marrëveshjet në fushën policore krijojnë një korpus rregullator të plotë, për bashkëpunimin mes Italisë dhe Shqipërisë në fushën e rendit dhe sigurisë. Por bashkëpunimi ynë është shumë më i gjerë dhe shumë më i afërt nga çfarë parashikojnë në letër këto marrëveshje, memorandume apo protokolle.

E në përfundim, dua të sjell në vëmendjen tuaj një fakt jo të ri, por të rëndësishëm. Sipas vëzhgimeve të pavarura të opinionit publik, të financuara këto vëzhgime nga vende të BE, Policia e Shtetit, me krenari e them, është sot institucioni më i besueshëm në Shqipëri.

Po ashtu, Policia e Shtetit ka dëshmuar me fakte se është një partnere e besueshme dhe e denjë e të gjithë simotrave të saj, në krahun tjetër të Adriatikut dhe në hapësirën e gjerë europiane. Dhe pa diskutim, një rol të rëndësishëm në këtë përmirësim epokal të Policisë së Shtetit, luan Italia.

Me këtë rast shpreh falënderimet e mia më të përzemërta për forcat e sigurisë së Italisë, për çdo punonjës policie italian, që ka kontribuar për rritjen e sigurisë në Shqipëri dhe trajnimin e efektivëve tanë përgjatë gjithë këtyre viteve.

E dashur Luciana,

Ne shqiptarët jemi gjithnjë mirënjohës për miqësinë historike, për përkrahjen bujare dhe bashkëpunimin e shumanshëm me Italinë. Dhe shpresoj të jeni dakord me mua se si institucione shtetërore, ne kemi përgjegjësi të jashtëzakonshme që këtë miqësi e bashkëpunim ta zhvillojmë edhe më tej, duke qenë gjithmonë në lartësinë e pritshmërive të dy popujve tanë.

Ju faleminderit!