Tiranë/Lufta kundër kanabisit, Çuçi mbledh drejtuesit e policisë së 5 qarqeve: Zero mbështetje politike dhe asnjë tolerancë - Ministria e Brendshme
Postuar më: 22/04/2022

Tiranë/Lufta kundër kanabisit, Çuçi mbledh drejtuesit e policisë së 5 qarqeve: Zero mbështetje politike dhe asnjë tolerancë

Lufta kundër kanabisit, Çuçi mbledh drejtuesit e policisë së 5 qarqeve: Zero mbështetje politike dhe asnjë tolerancë. Legalizimi për qëllime mjekësore një iniciativë që s’duhet ngatërruar me trafikimin 

Pas takimit të para dy ditëve në Lezhë, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, ka mbledhur sot në Tiranë drejtuesit e Policisë së Shtetit të 5 qarqeve të tjera; Tiranë, Durrës, Dibër, Elbasan dhe Korçë. Bashkë me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, Çuçi kërkoi të jetë në fokus lufta kundër kultivimit të kanabisit.

“Besoj se policia tashmë ka të gjithë mundësinë, aftësinë dhe mënyrat për ta  minimizuar në maksimume historike këtë fenomen negativ. Tolerancë zero ndaj kultivimit të kanabisit. Zero mbështje politike për këtë aktivitet kriminal”, tha Çuçi.

Lidhur me iniciativën mbi legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale, ministri Çuçi tha se nuk ka asnjë lidhje me kanabisin për qëllime trafikimi apo për përdorim.

“Ka një tendencë për ta konfonduar disi këtë iniciativë me kultivimin për qëllime trafikimi apo rekreative. Nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën. Ne shtojmë forcat dhe kontrollin e territorit që të mos abuzojë askush, qoftë i keqkuptuar apo qoftë dikush që e përdor këtë iniciative për të krijuar një terren për të rritur kultivimin. Tolerancë zero ndaj kultivimit të kanabisit të paligjshëm që s’ka të bëjë fare me iniciativën e legalizimit për qëllime mjekësore dhe industriale”, tha ministri Çuçi.

Gjatë takimi Ministri i Brendshëm kërkoi nga drejtuesit e policisë të ketë një vëmendje të shtuar dhe rritje të forcës goditëse edhe ndaj formave alternative të kultivimit të kanabisit në ambiente të mbyllura. Njëkohësisht të intensifikohet bashkëpunimi dhe komunikimi me kryetarët e fshatrave dhe drejtuesit e pushtetit vendor. Sot në mesditë pritet të ketë një takim tjetër me drejtuesit e Policisë së Shtetit në qarqet Berat, Fier, Vlorë dhe Gjirokastër.

Tiranë – Pronocim i ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi për media, pas takimit me strukturat e Policisë së Tiranës, Durrësit, Dibrës, Elbasanit e Korçës, ku u diskutua mbi masat kundër kultivimit të kanabisit – VIDEO

Pyetje: Z. Çuçi, çfarë u diskutua sot në takim dhe si paraqitet situata antikanabis?

Ministri Çuçi: Sot ishte takim për të bërë një analizë më Drejtorin e Përgjithshëm dhe me të gjithë drejtorët e qarqeve qendrore, qoftë rajonalë, qoftë shefa komisariatesh. Bëmë një analizë të planit të veprimit që kishim për 4-mujorin e pare, e për të lënë detyrat për 4-mujorin e ardhshëm.

Sigurisht fokusi në këtë periudhë lidhet me luftën kundër kultivimit të kanabisit e bëmë të qartë edhe njëherë, që këtu toleranca është zero. Besoj se policia tashmë ka të gjithë mundësinë, aftësinë, mënyrat për ta minimizuar në maksimumin historik këtë fenomen negativ. Kështu që ishte një takim pune, i zakonshëm, siç ju thashë. Besoj se përbën interes, sigurisht, për publikun kjo gjë, por nuk është ndonjë takim i jashtëzakonshëm, është takim i zakonshëm.

Pyetje: Z. Ministër, së fundi është edhe diskutimi për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore. A ka një fushatë sensibilizuese apo një udhëzim që ju jepni për drejtorët e policisë, për ta përcjellë më pas edhe në strukturat e tjera?

Ministri Çuçi: Pa diskutim, kjo është një çështje që diskutohet edhe me strukturat. Ka pasur dhe gjithmonë ka një tendencë, për ta konfonduar disi iniciativën e qeverisë, edhe pas marrjes së përgjigjeve nga Këshillimi Kombëtar, në lidhje me legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale, me kultivimin apo trafikimin për qëllime përdorimi apo rekreative. Nuk kanë lidhje fare me njëra-tjetrën. Siç e kam përmendur edhe në qëndrimet e mia publike, e siç ua përmenda sot edhe të gjitha strukturave, që kjo nuk ka asnjë lidhje. Përkundrazi, ne shtojmë forcat dhe kontrollin e territorit në mënyrë që të mos të abuzojë askush, qoftë i keqkuptuar, qoftë duke e përdorur si një mundësi për të krijuar një terren poshtë, për të rritur kultivimin. Pra, kjo gjë është shumë e qartë, qëllimi ynë është shumë i qartë TOLERANCË ZERO ndaj kultivimit të kanabisit të paligjshëm dhe nuk ka të bëjë fare me legalizimin për qëllime mjekësore dhe industriale.

Pyetje: Z. Çuçi në nëntor të vitit të kaluar ju keni premtuar rritje deri në 150 % të rrogës së atyre efektivëve policie, të cilët punojnë jashtë vendbanimit të tyre. Çfarë ka ndodhur me këtë premtim? Si është parashikuar?

Ministri Çuçi: Po mbyllen procedurat me akte nënligjore, kemi pasur një ngadalësim të këtij procesi le të themi, me krizën që ndodhi, por shumë shpejt besoj, në mos gaboj do jetë në muajin tjetër, të gjitha ato që ne kemi premtuar e që në fakt i kemi parashikuar në buxhetin e shtetit do të realizohen për punonjësit e policisë.

Fier –  Ministri Çuçi mbledh drejtuesit e policisë në 4 qarqet e jugut: T’i pritet rruga çdo tentative të kultivimit të kanabisit

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, vijoi takimet me drejtuesit e Policisë së Shtetit në qarqet e jugut në kuadër të shtimit të kontrolleve dhe masave për parandalimin e kultimit të kanabisit.

“Rikonfirmova vendosmërinë tonë për të rritur cilësisht punën parandaluese dhe forcën goditëse kundër kultivimit të kanabisit. Keni detyrimin ligjor dhe të gjithë mbështetjen time dhe të qeverisë për t’i prerë rrugën çdo tentative të kultivimit apo trafikimit të kanabisit”, është shprehur ministri Çuçi.

Sa i përket iniciativës së qeverisë për t’i hapur rrugë legalizmit të kanabisit për qëllime mjekësore, Ministri i Brendshëm kërkoi nga drejtuesit e Policisë së Shtetit në Fier, Berat, Vlorë e Gjirokastër që kjo të mos keqkuptohet në terren.

“Iniciativa për legalizim për qëllime mjekësore dhe industriale që do të kontrollohet rreptësisht me ligj të posaçëm, s’ka të bëjë fare me kultivimin për trafikim që doemos do të vijojë të jetë një veprimtare e paligjshme”, ka thënë ministri Çuçi.

Më herët gjatë paradites Ministri i Brendshëm mblodhi në takim drejtuesit e Policisë së Shtetit në qarqet Tiranë, Durrës, Dibër, Elbasan dhe Korçë. Dy ditë më parë një takim i ngjashëm u zhvillua në Lezhë më drejtuesit e qarqeve të veriut.