Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka urdhëruar nisjen e procedurave për hartimin e listave të zgjedhësve për organet e qeverisjes vendore, që do të dalin nga zgjedhjet e dekretuara për në datën 14 maj 2023. Ekstrakti i parë i përbërësve zgjedhorë do të publikohet në 22 nëntor 2022. Lista përfundimtare zgjedhore do të publikohet në datë 4 prill 2023.
Në këto lista do të jenë të gjithë shtetasit me të drejtë vote, të cilët deri në datën 14 maj 2023, mbushin moshën 18 vjeç. Brenda datës 22 nëntor 2022, zyrat e gjendjes civile në bashki/njësi administrative, duhet të printojnë ekstraktin e parë të listave nën juridiksionin e tyre. Çdo qytetar mundet të verifikojë qendrën e votimit edhe online përmes portalit qeveritar e-Albania
Ministria e Brendshme fton çdo qytetar me ID kartë të skaduar, të nxitojë të pajiset me dokumentin e ri, përmes të cilit përfiton shërbime, por edhe mundësinë të shprehë vullnetin në zgjedhjet e ardhshme. Për çdo paqartësi ose problem që lidhet me listën zgjedhore, ftohen qytetarët të kontaktojnë me Zyrat e Gjendjes Civile përkatëse, ose të drejtohen në adresën zyrtare të MB: Ministria.Brendshme@mb.gov.al
Denonco: Koordinator i Rrjetit Antikorrupsion
Përgjigje për pyetjet më të shpeshta të qytetarëve:
1. Kam dëgjuar se po ndryshohen adresat. Madje edhe në media janë paraqitur disa raste të tilla. Çfarë po ndodh?
Adresat po saktësohen në kuadër të ngritjes dhe vënies në funksion të sistemit të të ri të adresave, që ka munguar. Ndërtimi i këtij sistemi ka nisur me ligj që nga viti 2016. Ndërsa vendbanimet nuk po ndryshohen. Po ndodhin dy gjëra: Së pari, aty ku adresa ka qenë e paplotë, ajo po plotësohet sipas standardit me të gjithë elementët e kërkuar nga ligji. Në shumë raste, tek rubrika e vendbanimit për një qytetar që banonte në Tiranë shkruhej thjesht “Tiranë”. Kjo gjendje po ndryshon, duke vendosur elementët e kërkuar nga ligji, si: bashkia, njësia administrative, qyteti/fshati, rruga/bulevardi/sheshi/parku, numri i ndërtesës, numri i hyrjes, numri i apartamentit dhe kodi postar. Së dyti, saktësimi i adresës po bëhet edhe në rastet kur ajo mungonte krejtësisht në regjistër.
2. Jam befasuar kur kam mësuar se adresa ime aktuale në regjistrin e gjendjes civile nuk është më ajo që kam pasur. Kush e ka ndryshuar pa dijeninë time?
Kjo lidhet me faktin se gjatë procesit të saktësimit të adresës në Regjistrin Kombëtar të Adresave janë mbledhur në terren të dhënat për banorët realë të të gjithë banesave në vend. Gjatë këtij procesi, një pjesëtar i familjes tuaj i autorizuar nga ligji mund të ketë deklaruar në terren adresën tuaj në një banesë të dytë. Shfaqja e kësaj banese si një adresë kryesore mund të mos përputhet me adresën tuaj aktuale. Në raste të tjera, gjatë verifikimit në terren, kur pas tri vizitash në vend, ekipet nuk kanë gjetur askënd në banesë, ata i janë referuar deklaratës së administratorit të ndërtesës për të bërë regjistrimin e saj. Është me rëndësi në këto raste, që pas një konsultimi me pjesëtarët e familjes, apo me administratorë të godinave ku keni në pronësi apo në përdorim banesën, të kontaktohet zyra e gjendjes civile, ku keni regjistrimin për të bërë saktësimet e nevojshme. Zyrat e gjendjes civile nuk janë të autorizuara të ndryshojnë vendbanimin pa kërkesën e qytetarëve. Sistemi i adresave përditësohet nga zyrat e urbanistikës pranë organeve të qeverisjes vendore. Çdo ndryshim i elementëve të adresës është atribut i tyre, i cili reflektohet automatikisht në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.
3. Ku mund ta verifikoj adresën time?
Ka dy mënyra për të verifikuar adresën në portalin e-Albania kur merrni certifikatën personale do të gjeni adresën sipas Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile apo tek zyra juaj e Gjendjes Civile.
4. Ku mund ta saktësoj adresën time, nëse ajo ka mospërputhje?
Ju mund ta saktësoni adresën tuaj përmes një kërkese pranë zyrës përgjegjëse të Gjendjes Civile, duke bashkëlidhur dokumente (fotokopje të panoterizuara) që vërtetojnë adresën tuaj, si: çertifikatë pronësie, kontratë qeraje, faturë utilitare, etj.
5. Sa kohë kam në dispozicion për të ndryshuar vendbanimin apo saktësuar adresën?
Saktësimi i adresave mund të bëhet në çdo kohë pa efekte financiare për shtetasit. Kjo mund të bëhet edhe online, duke provuar përmes një dokumenti banimin në adresën përkatëse.
6. Çfarë ndodh nëse unë nuk e përditësoj vendbanimin apo saktësoj adresën time?
Së pari, ju nuk keni zbatuar detyrimin ligjor për deklarimin e vendbanimit brenda afatit të përcaktur, duke u bërë një person i paidentifikueshëm në pikëpamje administrative. Për më tepër, me ndryshimet e reja ligjore që janë në proces, ju do të keni shumë vështirësi në përfitimin e shërbimeve pa një vendbanim të përditësuar ose adresë të saktësuar. Për shembull, nëse ju jeni transferuar në Tiranë nga Saranda, por nuk keni bërë veprimet e duhura ligjore në zyrën e Gjendjes Civile, do të keni vështirësi për të regjistruar fëmijët në një shkollë të qytetit të Tiranës, si dhe probleme tjera të ngjashme për të gjitha shërbimet publike.
7. Çfarë lidhje ka mes adresës dhe qendrës e votimit?
Në Regjistrin e Kombëtar të Gjendjes Civile numri i qendrës së votimit të çdo qytetari është një rubrikë e veçantë. Ajo nuk mund të ndryshohet automatikisht, pa paraqitjen e vetë qytetarit për ndryshimin e vendbanimit. Kjo do të thotë se edhe në rastet kur adresa e qytetarit është ndryshuar, qendra e tij e votimit mbetet e pa ndryshuar, për sa kohë ai vetë nuk e ka kërkuar këtë ndryshim.
8. Ku mund ta verifikoj unë qendrën time të votimit?
Ju mund të verifikoni qendrën tuaj të votimit në dy mënyra: Duke parë ekstraktet e listave zgjedhore, të cilat tashmë janë afishuar në mjedise publike nga bashkitë e vendit. Duke hyrë në portalin e-Albania, në rubrikën “Verifikimi i qendrës së votimit” e cila ndodhet në adresën: https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx?service_code=12416
9. Kush mund ta ndryshojë qendrën time të votimit?
Qendrën tuaj të votimit si rregull mund ta ndryshoni vetëm ju, kur ndryshoni vendbanimin duke u paraqitur personalisht pranë zyrës së Gjendjes Civile të vendbanimit të ri, me dokumente të noterizuara, si: çertifikatë pronësie, kontratë qeraje, deklarate noteriale dhe çdo dokument tjetër i parashikuar nga ligji. Por në rastet kur numri i votuesve në një qendër votimi është nën 300 ose mbi 1,000 zgjedhës, në zbatim të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, kryetari i bashkisë përgjegjëse ka detyrë të bëjë respektivisht bashkimin/ndarjen e qendrës së votimit, me qëllim që në një qendër votimi të mos këtë më pak se 300 zgjedhës dhe jo më shumë se 1,000.
10. Kur mund të ndryshoj unë qendrën time të votimit?
Ndryshimi i qendrës së votimit bëhet në çdo kohë, kur zgjedhësi paraqitet personalisht pranë zyrës së Gjendjes Civile të vendbanimit të ri, për ndryshimin e vendbanimit me dokumentacionin përkatës, deri në 40 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Pas këtij afati, ndryshimet nuk mund të reflektohen në listën përfundimtare të zgjedhësve, e cila gjenerohet 40 ditë para datës së zgjedhjeve.
11. Deri para pak kohësh kam banuar në Sarandë. Tani jam transferuar me banim në Tiranë, madje edhe e kam regjistruar adresën e re. A do të votoj në Tiranë apo në Sarandë?
Nëse jeni paraqitur fizikisht pranë zyrës së Gjendjes Civile në Tiranë me dokumentacionin përkatës dhe keni ndryshuar vendbanimin, atëherë ju si banor i Tiranës do të votoni në një nga Qendrat e Votimit në Tiranë. Nëse, adresa juaj është ndryshuar për shkak të vënies në funksionim të sistemit të ri të adresave, ju do të votoni atje ku keni vendbanimin, konkretisht në Sarandë, pasi ligjërisht ju nuk keni bërë ndryshimin e vendbanimit ( shih pikën 9).
Shënim: Për çdo paqartësi, mund t’i referoheni Ligjit Nr. 10/129, “Për Gjendjen Civile”, i ndryshuar dhe Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, i ndryshuar.
BAZA LIGJORE PËR GJENDJEN CIVILE
Udhezimet per pajisjen me pasaporte biometrike dhe listen e zgjedhesve
Ligji per Regjistrimin e Shtetasve qe jetojne jashte shtetit
Ligji per Numrin Personal të Shtetasve
Urdher per ndryshimin e emrit dhe mbiemrit
Udhezim per menyren e plotesimit te rubrikes Vendlindja ne RKGJC
Udhezim per mbrojtjen e te dhenave personale
Akt marrëveshje me sigurimet shoqërore
Zgjedhjet e 25 prillit 2021 – Lista e zgjedhësve
Kontrolloni emri tuaj në LISTËN E ZGJEDHËSVE. Nëse nuk e gjeni emrin tuaj, paraqituni menjëherë pranë zyrës së Gjendjes Civile pranë njësisë tuaj administrative. Nëse kërkoni të ndryshoni qendrën e votimit apo kërkoni të shtoni ose ndryshoni përbërësit e regjistrit zgjedhor, paraqituni pranë zyrës së Gjendjes Civile pranë njësisë tuaj administrative. Zyra e Gjendjes Civile kryen verifikimet përkatëse dhe jo më vonë se 2 ditë nga dorëzimi i kërkesës kryen ndryshimin e kërkuar ose refuzon me shkrim kërkesën. Kundër mospranimit të kërkesës për ndryshim të përbërësit zgjedhor, mund të bëhet ankim nga kërkuesi në gjykatën e rrethit gjyqësor, në juridiksionin e së cilës ndodhet njësia e qeverisjes vendore. Ankimi bëhet jo më vonë se 5 ditë nga marrja dijeni për vendimin ose nga kalimi i afatit për marrjen e vendimit mbi kërkesën nga zyra e Gjendjes Civile. Kërkesëpaditë, për ndryshimin e përbërësve zgjedhorë përjashtohen nga pagesa e taksës së shërbimit gjyqësor.
Ku është qendra ime e votimit?
Qendra e votimit është mjedisi ku do të votoni, ditën e votimit. Kërkoni në e-Albania ose në aplikacionin KQZ për të gjetur qendrën e votimit dhe vendndodhjen e saj. Për të kërkuar të dhënat, nevojiten gjeneralitetet tuaja.
Të drejtat e votuesit
Çdo shtetas që ka mbushur 18 vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet. Zgjedhësit gëzojnë të drejtën për të dhënë votë parapëlqyese për kandidatët e listave shumë-emërore.
Si votohet?
Çdo shtetas shqiptar me të drejtë vote, sigurohet që emri i tij është i regjistruar në listën përfundimtare të zgjedhësve dhe është informuar për vendndodhjen e qendrës së votimit. Ditën e votimit zgjedhësi paraqitet në qendrën e tij të votimit me dokumentin e identifikimit (ID ose pasaportë biometrike). Komisioni i Qendrës së Votimit verifikon identitetin e zgjedhësit.