Slloveni/Takimi ministerial për migracionin e paligjshëm dhe luftën kundër abuzimit online ndaj fëmijëve - Ministria e Brendshme
Postuar më: 10/06/2021

Slloveni/Takimi ministerial për migracionin e paligjshëm dhe luftën kundër abuzimit online ndaj fëmijëve

Slloveni – Zv.ministri Mahila merr pjesë në takimin ministerial për migracionin e paligjshëm dhe luftën kundër abuzimit online ndaj fëmijëve

Zv.ministri i Brendshëm Andi Mahila mori pjesë në takimin ministerial të Procesit të Brdo-s që u mbajt në Slloveni, në datat 9-10 qershor, në të cilin u diskutuan çështjet e menaxhimit të flukseve të përziera migratore dhe hetimi i abuzimit seksual ndaj fëmijëve përmes internetit.

Në këtë takim morën pjesë ministrat e vendeve anëtare të kësaj nisme, nga Ballkani Perëndimor, drejtorët ekzekutivë të EASO, Frontex dhe Europol, ndërsa nga BE ishin Komisionerja për Çështjet e Brendshme Ylva Johansson si dhe Ministri i Brendshëm i Portugalisë, Eduardo Cabrita.

Në lidhje me çështjet e migracionit, Mahila bëri një tablo të përmbledhur të masave kryesore të marra nga qeveria shqiptare gjatë viteve të fundit.

Ai theksoi se “e vendosur në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe e rrethuar nga vende të BE-së, si Greqia (kufi tokësor) dhe Italia (kufi detar), Shqipëria është shndërruar automatikisht në një vend tranzit për flukset imigratore nga vendet e Lindjes së Mesme dhe të Afrikës Veriore në drejtim të vendeve kryesisht të Bashkimit Europian. Kemi hartuar një Plan Kontigjence, i cili synon të garantojë respektimin e të drejtave të njeriut, të migrantëve dhe azilkërkuesve në Shqipëri, përmes përmirësimit të kapaciteteve për identifikimin, përpunimin dhe dhënien e shërbimeve për migrantët dhe azilkërkuesit në shkallë të gjerë. Krijimin e një mjedisi ku migrantët të ndjehen të sigurtë”.

Sa i përket abuzimit seksual online të fëmijëve, Mahila tha se legjislacioni shqiptar përputhet me standardet ndërkombëtare edhe për sa i takon marrjes së masave si dhe ofrimit të sigurisë dhe mbrojtjes së fëmijëve në mjedisin digjital.

Ai vuri në dukje se në vitin 2020, u miratua Strategjia e Hetimit të Krimit Kibernetik dhe Plani i saj i Veprimit 2021-2025 ku përcaktohen detyrimet e policisë së shtetit ndaj krimeve kibernetike në vend.

“Një ndër objektivat e saj, – tha Mahila – është reagimi i shpejtë dhe profesional për parandalimin, ndjekjen dhe hetimin e krimeve kibernetike ndaj fëmijëve në hapësirën kibernetike dhe rritja e bashkëpunimit kombëtar dhe ndërkombëtar në fushën e hetimit të krimit kibernetik me partnerët strategjikë”.

Në këtë takim ministerial u theksua rëndësia e thellimit të bashkëpunimit mes vendeve të nismës dhe BE-së, duke zhvilluar me tej kapacitetet parandaluese dhe duke ndërtuar pista të reja komunikimi dhe shkëmbimi të informacionit.

Gjatë punimeve të Ministerialit të Procesit të Brdo-s, zv.ministri i Brendshëm Andi Mahila zhvilloi një takim bilateral me znj. Nina Gregori, Drejtore Ekzekutive e EASO (Zyra Europiane e Mbështetjes për Azilin). Mahila vlerësoi kontributin që EASO po i jep Shqipërisë, në forcimin e sistemit të azilit, përmes zbatimit të aktiviteteve rajonale, si dhe asistencën në hartimin e bazës ligjore në këtë fushë.

Gjatë takimit, drejtuesja e Zyrës Europiane shprehu gatishmërinë e EASO-s për mbështetje me asistencë e trajnime, për strukturat policore shqiptare të kufirit, referuar procedurave të pritjes, intervistimit të flukseve migratore apo azilkërkuesve të mundshëm ose të parregullt. Një ekip ekspertësh i EASO ishte ndërkohë në Shqipëri për koordinimin e asistencës në vijim.

Zv.ministri Mahila mori pjesë në takimin ministerial për migracionin e paligjshëm dhe luftën kundër abuzimit online ndaj fëmijëve, që u mbajt në Slloveni, ku u diskutuan çështjet e menaxhimit të flukseve të përziera migratore dhe hetimi i abuzimit seksual ndaj fëmijëve përmes internetit.