Siguria Kibernetike/Çuçi thirrje të rinjve profesionistë: Bashkohuni në projektin tonë për të forcuar strukturat e sigurisë kibernetike - Ministria e Brendshme
Postuar më: 07/02/2023

Siguria Kibernetike/Çuçi thirrje të rinjve profesionistë: Bashkohuni në projektin tonë për të forcuar strukturat e sigurisë kibernetike

Çuçi thirrje të rinjve profesionistë: Bashkohuni në projektin tonë për të forcuar strukturat e sigurisë kibernetike – VIDEO

Në konferencën për Sigurinë Kibernetike, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi tha se vendi ynë ka nxjerrë mësime pas sulmeve të fundit ndaj infrastrukturës dixhitale duke rritur buxhetin për investime në këtë sektor.

“Pas sulmit kibernetik në sistemet e Policisë së Shtetit na u desh që të nxirrnim një mësim të mirë për t’u foksuar gjithnjë e më shumë tek mbrojtja e sistemeve tona. Pikërisht për t’i bërë të padepërtueshme këto siteme kemi shtuar buxhetin si asnjëherë më parë në të kaluarën për investimet në teknologji në Policinë e Shtetit dhe në mbrojtjen kibernetike. Vetëm përgjatë këtij viti kemi planifikuar 7.6 herë më shumë investime në teknologji për Policinë e Shtetit se viti i shkuar”, tha ministri Çuçi.

Ai foli më tej edhe për një arkitekturë të re të sigurisë kibernetike.

“Sulmi që na ndodhi, le të themi që pati edhe këtë të “mirë” sepse ngriti alertin si kurrë më parë tek ne për t’u përqëndruar në garantimin e infrastrukturës dixhitale. Dhe jo vetëm kaq, por ky ishte alarmi edhe për një strategji të re, me burime njerëzore shumë më të kualifikuara dhe mentalitet që kupton sfidat e sigurisë kibernetike”, deklaroi ministri Çuçi.

Në përfundim të fjalës së tij Ministri i Brendshëm foli edhe për një trajtim më të mirë financiar për burimet njerëzore që do të punojnë në sigurinë kibernetike. Ai i bëri gjithashtu ftesë të rinjve profesionistë të kësaj fushe që t’i bashkohen institucioneve publike.

Në mënyrë që të ndërtojmë një ekosistem sa më të sigurt dhe të qëndrueshëm (resilient) ne duhet të çojmë në një nivel tjetër punën tonë. Synimi ynë është të jemi konkurrues njësoj si sektori privat kur është fjala tek përthithja në institucionet tona publike e kapaciteteve të mira njerëzore në këtë fushë. Po punojmë në këtë drejtim për një skemë të re trajtimi financiar dhe zhvillimi në karrierë për të gjithë ata që duan të kontribuojnë në këtë përpjekje të përbashkët për të mbrojtur sistemet tona dixhitale nga sulmet kibernetike. E përfundoj këtë fjalë me një ftesë të hapur ndaj të rinjve dhe të rejave profesionistë të kësaj fushe, të na bashkohen në projktin tonë për të ngritur e forcuar strukturat dhe politikat e reja të sigurisë kibernetike në Policinë e Shtetit”, u shpreh ministri i Brendshëm.

Fjala e plotë e ministrit Çuçi në konferencën “Sfidat e sigurisë kibernetike në Shqipëri”:

Mirëdita të gjithëve,

Vetëm pak vite më parë ishte gati e paimagjinueshme që ne të ofronim në Shqipëri shërbime publike tërësisht online, që qytetarët mund të njoftonin çdo shkelje thjesht me një klik nga celulari, apo që çdo udhëtar hynte në Shqipëri, të hynte mes një porte elektronike, e cila kryen kontrollin në më pak se 5 sekonda. Sigurisht, edhe kur i kemi artikuluar këto politika publikisht, apo kur kemi lançuar reformat në këtë fushë, me siguri që ka pasur, dhe ka pasur shumë nga ata që e shihnin me skepticizëm. E pra, teksa sot kjo fazë tashmë është realiteti ynë i ri dhe ku frytet e teknologjisë inteligjente po i shohim çdo ditë, problemi më akut është dhe do të vijojë të jetë gjatë, siguria e informacionit dhe mbrojtja nga sulmet kibernetike.

“Security first”, padyshim, pra “siguria vjen e para”, dhe ky është çmimi që ne duhet të paguajmë për sfidën e vazhdueshme me modernitetin, sfidë me të cilën ne do të përballemi gjithmonë e më shumë. Njësoj siç kemi rendur vazhdimisht dhe ashtu siç kemi bërë në fakt me sistemet tona për t’i kthyer ato më eficente, për t’u kursyer kohën qytetarëve, tashmë kemi përgjegjësinë e madhe të ngremë të gjitha kapacitetet e nevojshme për të garantuar sigurinë e të dhënave dhe shërbimeve të ofruara.

Unë do ndalesha pak te Policia e Shtetit në fakt, si organizata më e madhe ligjzbatuese në vend, e cila është e përfshirë në këtë sfidë me modernitetin në mënyrë të dyfishtë. Nga njëra anë si një agjenci themelore për sigurinë kombëtare, Policia nuk është vetëm target i sulmeve në sistemet e saj të ruajtjes dhe transmetimit të të dhënave, apo sulmeve ndaj shërbimeve që ofron vetë policia, por, nga ana tjetër, ajo gjithashtu ka përgjegjësinë ligjore për të hetuar krime të kësaj natyre.

E për t’u shërbyer sa më mirë qytetarëve, por edhe për t’iu përgjigjur realitetit të ndryshimeve të thella institucionale në vend, siç janë organet e reja të reformës në drejtësi p.sh. ne punojmë, dhe po punojmë vazhdimisht që Policia e Shtetit të modernizohet përmes adaptimit të teknologjisë dhe sistemeve inovative dhe duke qenë të bindur se vende të vogla si Shqipëria mund të bëjnë kapërcime të mëdha vetëm përmes shfrytëzimit të avantazheve që krijon teknologjia. Pas sulmit kibernetik në sistemet e Policisë së Shtetit që pësuam vjeshtën e kaluar, na u desh që të nxirrnim një mësim të mirë për t’u fokusuar gjithnjë e më shumë te mbrojtja e sistemeve tona.

Pikërisht për t’i bërë të padepërtueshme këto sisteme, ne vetëm në vitin që vjen, pra 2023, kemi reaguar menjëherë, duke e shtuar buxhetin e Policisë së Shtetit, për zërin investime në teknologji dhe mbrojtje kibernetike, me 7.6 herë më shumë se viti paraardhës.

Epoka në të cilën jetojmë na dikton nevojën jo vetëm për të investuar në pajisje dhe sisteme, por mbi të gjitha për të ndërtuar një arkitekturë të re të sigurisë kibernetike dhe ajo çka është edhe më e rëndësishme, e njëherësh e vështirë, të ndryshojmë sjelljen dhe ndërgjegjësimin e gjithsecilit në këtë sfidë.

Sulmi që na ndodhi, le të themi që pati edhe anën e vetë të ‘mirë’, sepse ngriti alertin si kurrë më parë te ne, për t’u përqendruar në garantimin e infrastrukturës dixhitale. E jo vetëm kaq, por ky ishte alarmi edhe për një strategji të re, me burime njerëzore shumë më të kualifikuara dhe mentalitet, që kupton sfidat e reja të sigurisë kibernetike.

Sulmet mbi infrastrukturën kritike janë një kosto e jashtëzakonshme për qeveritë dhe entitetet publike kudo në botë. Në nivel global, mendohet se kostot e incidenteve të shkaktuara nga aktiviteti i paligjshëm në rrjete, i kalojnë 11 trilion USD në vit. Ne e provuam në kurrizin tonë këtë gjë.

Ndaj, për të krijuar një ekosistem të sigurt, na duhet të investojmë në mënyrë të qëndrueshme në infrastrukturë moderne dhe të aftë për të përballur çdo lloj sulmi kibernetik. E dimë që ky është një proces i gjatë dhe tejet dinamik e që rezultatet do të duken, jo menjëherë, sikurse edhe cikli i jetës dhe i rritjes, duhet në fillim të lëvizësh këmba-dorës, më pas të ecësh e në fund të vraposh. Por, njësoj si në fusha të tjera, edhe këtu të vetëm ne mund të bëjmë shumë pak, prandaj është i nevojshëm bashkërendimi i punës dhe i sinergjive, si mes sektorit publik, ashtu edhe atij privat, e po aq i rëndësishëm edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë.

Në përfundim, mendoj se është e nevojshme ta përsërisim edhe në këtë forum të veçantë se siguria kibernetike nuk është në fakt përgjegjësi e një institucioni apo e një grupi institucionesh, por është në përgjithësi e të gjithë shoqërisë. Ndërgjegjësimi në masë të madhe është tepër i rëndësishëm. Secili nga ne ka në dorë një mjet teknologjik sot. Më e thjeshta, një aparat celular, i cili përmes internetit është njëherësh edhe një portë e pafundme ndaj botës kibernetike dhe agresorëve.

Në mënyrë që të ndërtojmë një ekosistem sa më të sigurt dhe të qëndrueshëm, ne duhet të çojmë në një nivel tjetër punën tonë. Për këtë, synimi ynë është të jemi konkurrues, njësoj si sektori privat, kur është fjala te përthithja në karrierë për të gjithë ata që duan të kontribuojnë, në këtë përpjekje të përbashkët për të mbrojtur sistemet tona dixhitale nga sulmet kibernetike.

E përfundoj këtë fjalë, nisur nga kjo e fundit, me një ftesë të hapur ndaj të rinjve dhe të rejave profesionistë të kësaj fushe, të na bashkohen në projektin tonë për modernizimin e Policisë së Shtetit dhe për të ngritur e forcuar strukturat dhe politikat e reja të sigurisë kibernetike. Faleminderit.