Reagim i Ministrisë së Brendshme - Rikthehet sistemi TIMS, pas sulmit kibernetik - Ministria e Brendshme
Postuar më: 11/09/2022

Reagim i Ministrisë së Brendshme – Rikthehet sistemi TIMS, pas sulmit kibernetik

Mbrëmjen e kaluar sistemet e ruajtjes dhe transmetimit të të dhënave në Policinë e Shtetit janë gjendur nën një sulm kibernetik të ngjashëm me atë që pësoi e-Albania në muajin korrik. Nga të dhënat paraprake rezulton që sulmi të jetë kryer nga e njëjta dorë.

Ekspertët tanë bashkë me ata të vendeve tona partnere kanë punuar intensivisht prej momentit të parë kur është detektuar sulmi, për të garantuar së pari pacënueshmërinë e të dhënave dhe më pas neutralizimin e këtij akti kriminal. Për efekt sigurie sistemet tona, përfshi atë TIMS, kanë qëndruar përkohësisht të mbyllura derisa rreziku të shmangej plotësisht. Shumë shpejt sistemi TIMS do të rikthehet në punë. Maksimalisht të vendosur, bashkë me aleatët tanë, vazhdojmë punën për të bërë gjithçka duhet që sistemet tona digjitale të jenë të sigurta dhe shërbimi ndaj qytetarëve të mos ndërpritet në asnjë rast.

Ora 17:00 – Në vijim të punës së pandërprerë nga ekspertët tanë dhe ata të vendeve aleate, aktualisht dy sportele në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas janë rikthyer në punë me sistemin TIMS. Shumë shpejt do të kemi rikthim të plotë të këtij sistemi në Rinas dhe në të gjitha pikat e tjera kufitare.

Datë 11 shtator, Ora 11:15 – Reagim i ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi

Përgëzime ekipit të IT në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për punën pa ndërprerje që nga minuta e parë e sulmit kibernetik, për të rivënë në funksionim sistemet tona dhe veçanërisht atë TIMS.

Gjithashtu falënderoj partnerët amerikanë që kanë qenë pranë edhe në këtë rast e po bëjnë çdo përpjekje për ta bërë Shqipërinë sa më të sigurt. Prej mesnatës sistemi TIMS është rikthyer në funksion të plotë në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas. Po kështu është rivënë në punë edhe në pikat e tjera kufitare të vendit: Hani i Hotit, Kapshticë, Muriqan, Morinë, dhe Kakavijë.

Aktualisht ekspertët tanë po vijojnë punën e pandërprerë për rikthimin e sistemit TIMS në Pikat e tjera të  Kalimit Kufitar si dhe po marrin masat nevojshme për të mos pasur më ndërprerje.

Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve që janë ndeshur me vonesa. Ne kemi punuar prej momentit të parë kur u detektua sulmi kibernetik, për të garantuar mbi të gjitha paprekshmërinë e të dhënave dhe më pas për rikthimin në normalitet në kohën më të shpejtë të mundshme.