Projekti “Asistencë për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe shpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta” - Ministria e Brendshme
Postuar më: 09/06/2022

Projekti “Asistencë për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe shpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta”

Fjala e zv.ministrit të Brendshëm Besfort Lamallari – Kryetar i Komisionit Kombëtar SALW:

I nderuar Ambasador, Kreu i Prezencës së OSBE në Shqipëri Del Monaco,
E nderuar Kryetare e Komisionit Parlamentar për Politikën e Jashtme, znj. Kodheli,
Shkëlqesi Amabasadorë,
I nderuar Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, z. Dervishaj,
Të dashur miq dhe partnerë,

Prania e të gjithëve ju këtu sot, e bën padyshim një privilegj dhe kënaqësi të veçantë mundësinë për të adresuar në emër të Komisionit Kombëtar për Kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta,
arritjet dhe sfidat kryesore në këtë fushë.

Fillimisht, i nderuar Amabasador Del Monaco, më lejoni që në emër të Ministrit të Brendshëm të Republikës së Shqipërisë, z. Bledar Çuçi t’Ju falendëroj për ftesën dhe përgëzoj për organizimin e këtij takimi të rëndësishëm dhe kaq gjithëpërfshirës. Memorandumi i mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Brendshme dhe Prezencës së OSBE në Shqipëri, nënshkruar më datë 5 tetor 2021, përbën bazën e këtij projekti bashkëpunimi konkret në tre drejtime kryesore.

Së pari, ndryshimet e fundit te vitit 2020 ne ligjin per Armët, prezantuan per here te pare mekanizmin e de-aktivizimit te armeve. Jemi te lumtur që këtë proces të rëndësishëm do ta realizojmë për herë te parë me OSBE-në, falë këtij projekti.

Së dyti, forcimi i kapaciteteve të Policisë së Shtetit dhe aftësive të qenve të policisë (K9) për zbulimin e armëve, municioneve dhe eksplozivëve përmes rikonstruksionit të Institutit të Trajnimit të Qenve të Policisë, mbështetjes operacionale dhe teknike do të jetë një vlerë e shtuar dhe për autoritetet doganore shqiptare, pjesë e rëndësishme e Komisionit Kombëtar.

Së treti, mbështetja e Komisionit Kombëtar në ngritjen e vetëdijes publike mbi rreziqet e keqpërdorimit dhe përhapjes së armëve të vogla dhe të lehta do të jetë padyshim më e plotë dhe efektive falë përfshirjes së gjerë të të rinjve dhe sistemit arsimor në vend.

Duke përfituar nga mundësia e dhënë, dëshiroj të informoj të gjithë pjesëmarrësit e nderuar lidhur me zhvillimet më të fundit në drejtim të zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Kontrollin e Armëve të Vogla, Armëve të Lehta, Municionit dhe Lëndëve Plasëse 2019-2024.

Në një kohë relativisht të shkurtër, nga miratimi i ndryshimeve në ligjin “Për Armët” në muajin dhjetor 2020, deri më sot, ka përfunduar procesi i hartimit dhe miratimit të akteve rregullatore kryesore në funksion të përafrimit të legjislacionit vendas me atë të Bashkimit Evropian në këtë fushë.

Vlerësimi i shprehur nga Komisionerja për Punët e Brendshme në Bashkimin Evropian, znj. Johansson gjatë fjalës së saj në Ministerialin e Ballkanit Perëndimor për Armët e Zjarrit, mbajtur në shtator te vitit 2021, veçoi Shqipërinë si vendi i parë në rajon që miratonte ligjin e rishikuar për armët, mbështetur në versionin më të fundit të Direktivës së BE për Armët e Zjarrit. Ndërsa sot, janë plot 15 akte ligjore dhe nënligjore të miratuara të cilat ndjekin dhe zbatojnë kriteret dhe standardet më të afërta me ato të Bashkimit Evropian.

Vlen të vecojmë këtu dhe miratimin në muajin dhjetor 2021 të Planit të ri të Veprimit 2022-2024 në zbatim të plotë të Strategjisë Kombëtare.

Për të gjithë punën e mundimshme në hartimin e këtyre akteve të rëndësishme, vlerësim dhe mirënjohje për cdo secilin anëtar të Komisionit Kombëtar, stafin e ngushtë të Sekretariatit Teknik
dhe ekspertët e Zyrës Rajonale të SEESAC për asistencën e pakursyer dhe të kurdogjendur. Për trajtimin me prioritet të ligjeve përkatëse të paraqitura për miratim, në emër të Komisionit Kombëtar dëshiroj të përcjell përmes Kryetares së Komisionit Parlamentar për Politikën e Jashtme, mirënjohjen për këtë vëmendje të posaçme të ofruar nga Kryetarët dhe anëtarët e Komisioneve përkatëse parlamentare.

Është e rëndësishme të theksojmë, se për ne, procesi i përmirësimit dhe përafrimit të legjislacionit në këtë fushë, është konsideruar si i pandarë dhe zhvilluar njëkohësisht me masa konkrete strukturore, operacionale dhe teknologjike. Kështu, për interesin Tuaj, vlen të vecojmë 4 (katër) nisma dhe masa konkrete:

1. Njësia Qendrore e Armëve të Zjarrit do të ngrihet dhe funksionojë si një njësi e specializuar në Policinë e Shtetit
për inteligjencën, analizën, shkëmbimin e informacionit rajonal dhe dhënien e orientimeve strategjike dhe taktike
në luftë kundër trafikimit dhe keqpërdorimit të armëve të zjarrit.

2. Policia e Shtetit ka intensifikuar përdorimin efektiv të sistemit ndërkombëtar të gjurmimit të armëve të zjarrit
përmes sistemit të Interpol iARMS

3. Nëntë ditë më parë, me Urdhër të Ministrit të Brendshëm
është ngritur Task Forca për Uljen e Kërcënimeve që rezultojnë nga keqpërdorimi dhe zotërimi i paligjshëm i armëve të vogla dhe të lehta përmes aktiviteteve ndërgjegjësuese shumëplanëshe dhe të bazuara në informacion. Kjo Task Forcë kryesohet nga Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Shpreh bindjen se misioni dhe detyrat e Task Forcës do të përmbushen me sukses falë dhe mbështetjes dhe ndërveprimit të rregullt, ndër të tjera, me Ministritë përgjegjëse për Arsimin dhe Rininë, si dhe duke garantuar koordinimin efikas dhe shmangien e mbivendosjeve mes projekteve aktuale me fokus rritjen e vetëdijësimit.

4. Policisë së Shtetit, konkretisht Policisë Shkencore,
i shtohet së fundmi sistemi më i avancuar teknologjik për krahasimin e gjurmëve balistike falë Marrëveshjes së nënshkruar me datë 31 Maj 2022 në Paris, mes Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Francës.

Synimi ynë kryesor përmes këtij sistemi është mundësimi i shkëmbimit në kohë sa më të shpejtë të të dhënave të armëve dhe municioneve me vendet e rajonit dhe Bashkimit Evropian.
Teksa shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë dëshmuar pronësi të qartë mbi nismën dhe një nivel të shkëlqyer drejtimi, koordinimi dhe zbatimi të masave për kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta, mirënjohje vazhdimisht për mbështetjen financiare dhe teknike të ofruar nga qeveria Franceze, Gjermane, Komisioni Evropian, dhe organizatat e donatorët e tjerë.

Qeveria shqiptare, nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama, ka dëshmuar gjithmonë e më fort, vit pas viti, se Shqipëria është eksportues sigurie për rajonin dhe më gjerë. E dëshmuam këtë në vitin 2019 gjatë kryesimit të Konventës së Bashkëpunimit Policor në Evropën Juglidore, e cila numëron 12 shtete anëtare, duke perfshire 6 shtete të Bashkimit Evropian dhe 6 shtete të rajonit.

E konfirmuam akoma më qartë, një vit më pas, gjatë kryesimit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në vitin 2020.
Sot, në një kohë veçanërisht të vështirë për Evropën dhe më gjerë,
vendi ynë po dëshmon me zë akoma më të fortë angazhimin e palëkundur dhe kontributin domethënës në mbrojtje të të drejtave themelore, vlerave universale të botës demokratike, dhe sigurisë globale.

Për ta përmbyllur, Strategjia Kombëtare dhe Udhërrëfyesi Rajonal, parë në ketë kendvështrim më të plotë dhe objektiv, meritojnë të vlerësohen si akte politiko-strategjike të Qeverisë Shqiptare, ashtu si dhe të shteteve të tjera të rajonit, për më shume bashkepunim dhe nderveprim pertej kufijve faktikë, dasive të trashëguara apo edhe ‘benchmarks’ e proceseve të tejzgjatura dhe të paqarta në kohë, me synimin jetik të sigurisë dhe qëndrueshmerisë së rajonit.
Sigurisht, një rajon më i sigurt dhe i qëndrueshëm paraqet një potencial të shtuar dhe zhvillohet njëkohësisht me nisma të tjera rajonale që nxisin përparimin ekonomik.

Rrjedhimisht, siguria dhe zhvillimi rajonal përkthehen padyshim në siguri të shtuar për Evropën në tërësi, dhe Bashkimin Evropian në veçanti. Nga ana tjetër, sot më shumë se kurrë më parë,
është bërë e qartë se një politikë e qëndrueshme sigurie nuk mund të kuptohet e ndarë nga një politikë e jashtme e besueshme, shprehur përmes një strategjie të qartë zgjerimi.

Duke ju falendëruar për vëmendjen, besoj fort se zbatimi i këtij projekti mes Ministrisë së Brendshme dhe Prezencës së OSBE në Shqiperi do të arrijë në kohë përmbushjen plotësisht të objektivave të dakordësuara bashkarisht, për tu ndjekur nga gurë të tjerë kilometrikë në bashkëpunimin e ardhshëm mes nesh, në këtë fushë, por dhe më gjerë.
Faleminderit.