Prezantohet projekti i Regjistrimit të Adresave dhe Shtetasve - Popullimi - Ministria e Brendshme
Postuar më: 27/11/2015

Prezantohet projekti i Regjistrimit të Adresave dhe Shtetasve – Popullimi

Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri prezantoi sot projektin e regjistrimit të adresave dhe shtetasve – Popullimi:

Përshëndetje të gjithëve,

faleminderit që keni ardhur!

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Qeveria mendoi të prezantojë sot një projekt mjaft të rëndësishëm për shtetin shqiptar, për shoqërinë në tërësi, për komunitetin e biznesit dhe për të gjithë ata që duan të dallojnë në mënyrë definitive dhe përfundimtare, atë që shpesh e kanë quajtur Shqipëria e letrave ose Shqipëria në letra, Shqipëria e deftereve, nga Shqipëria në realitet, nga Shqipëria e vërtetë.

Pas meje është një foto ilustruese e një zone në Tiranë në vitin 1994 dhe po e të njëjtës zonë në vitin 2015!

Duket shumë qartë që ka  një zhvillim kaotik, të vrullshëm, me urbanizim shumë përtej epitetit të shtetit për të mbajtur llogari. Pra duket qartë që shoqëria në këtë zonë, në të gjithë Shqipërinë, ka ecur shumë përpara shtetit. kjo është zhvillimi sipas parimit shoqëria para, shteti pas!

Në këtë rast madje, shteti është shumë pas. Sepse i gjithë ky zhvillim, në këtë fotografi, në harkun kohor të 10 vjetëve, nuk figuron as në letër, ose pothuajse figuron në letër.

Pra nëse shoqëria është mobilizuar për të investuar, familjen për të ndërtuar, pavarësisht se në mënyrë kaotike dhe të rrëmujshme, shteti nuk është marrë me identifikimin, regjistrimin, katalogimin dhe mbajtjen e llogarive përkatëse për shtetasit dhe pasurinë, pra për regjistrat.

Kjo është situata në fakt e shumë lagjeve e qyteteve në Shqipëri. Kjo është situata klasike që ka shoqëruar zhvillimin në Shqipëri gjatë 2 dekadave, sipas parimit, shoqëria para, shteti pas me aq sa mundet!

Në fakt nuk besoj jam unë i vetmi por shumë ndër ju i ka rënë rasti të pyesë sa jemi, sa banorë ka Shqipëria?

Në të gjitha rastet përgjigja është e përafërt. Në të gjitha rastet, kur pyesim, përgjigjja është: – diku te 3 milionë, afërsisht mbi 3 milionë! Të pyesësh pastaj ku jemi, ku banon, kjo është një histori më vete, që gjithmonë ka provuar imagjinatën dhe ka vënë në sprovë artin e qytetarëve shqiptarë për të shpikur. Për të shpikur adresa, vendndodhje, për t’iu referuar gjithmonë historisë, kurrë nuk kemi pasur një sistem të identifikueshëm, real, të aksesueshëm dhe lehtësisht të referueshëm nga qytetarët, biznesi për të mos menduar pastaj nga turisti i huaj!

Mendoni pak sa shpesh qytetarët përdorim taksinë dhe referenca është: “te pallati me shigjeta!”, te “Fabrika e miellit”,  te “Brryli”, te “Tregu elektrik”, te “Fabrika e birrës”!

Kjo, sepse qytetari është stërvitur në kohë të prodhojë adresa të përafërta, historike, që fëmijët t’i mësojnë më kohën, që brezat t’i trashëgojnë me kohën, po kur ne këtë e dimë, mendoni pak sa e vështirë është për një turist të huaj.

Të dijë fillimisht ku është fabrika e miellit dhe pastaj të dijë, supozoj një destinacion turistik  pas fabrikës së miellit! Kjo është gjithsesi një sipërmarrje tejet e vështirë, në mos e pamundur. Duhet patjetër dikush të ndihmojë turistin e huaj të gjejë fabrikën e miellit dhe pastaj pas fabrikës së miellit.

Ne jemi i vetmi vend në botë që nuk kemi një katalog të shtetasve dhe të adresave. Pra i vetmi vend në botë që vazhdojmë të shfrytëzojmë njohurinë tonë historike dhe nuk kemi krijuar një database të aksesueshme, transparente, lehtësisht të referueshme për këdo që ka dëshirë dhe ka nevojë t’i referohet regjistrit të adresave.

Pra nga njëra anë shtetasit, nga ana tjetër katalogu i shtetasve. Jemi i vend aspirant për në BE që i referohemi destinacionit tonë me mjete rrethanore, si këto që thashë, brryli, fabrika e birrës, pallati me shigjeta e shumë të tjera si këto, në çdo qytet të Shqipërisë.

Ne dimë sot që shteti shqiptar ndërton themelin e vet mbi të dhëna, mbi dy regjistra, mbi dy kolona!

Regjistri kombëtar i Gjendjes civile për shtetasit dhe çdo e dhënë jetësore për ta dhe nga ana tjetër, regjistri kombëtar i adresave. Kështu duhet të jetë, kështu është në çdo vend të botës. Ky është themeli për të barazuar në mënyrë definitive të vërtetën në terren, realitetin e qytetarëve shqiptarë, me letrat, me regjistrat, me defterët, me atë që ka në databazën shkresore shteti.

Por çfarë ndodh? Sot që flasim, të bëj një shpjegim të shkurtër, regjistri kombëtar i gjendjes civile është në fakt baza më e mirë dhe më e plotë ku përfshihen të gjitha të dhënat e shtetasve shqiptarë. Është një regjistër që përditësohet, sa herë ndodh diçka jetësore me shtetasit shqiptarë.

Sot në regjistrin e Gjendjes Civile përfshihen të dhënat kryesore të tilla si emri, mbiemri, atësia, mëmësia, gjinia, datëlindja, vendlindja, shtetësia, gjendja civile, kujdes vendbanimi dhe numri personal. Numri personal është identifikativi unik i çdo shtetasi shqiptar. Numri personal fitohet kur lind dhe e humb kur nuk je më në jetë, nuk ndërrohet, nuk ngatërrohet dot, nuk ka dy njerëz me të njëjtin numër personal, pra është marka origjinale, unike, ekskluzive  e çdo shtetasi shqiptar.

Sot që flasim, secili nga ju ka një numër unik identifikues. Çdo qytetar shqiptar, në qoftë se ka kaluar nëpërmjet regjistrit kombëtar të Gjendjes Civile ka një numër unik, qoftë ky një qytetar shqiptar që jeton këtu, qoftë qytetar shqiptar që jeton jashtë Shqipërisë.

Mjafton të ketë marrë një dokument, kartë identiteti apo pasaportë dhe në atë rast ka marrë, po e banalizoj pak, targën, pra ka marrë markën ekskluzive të shtetit shqiptar, nëpërmjet të cilës lidhet gjithçka.

Nëpërmjet numrit unik gjenerohet çdo e dhënë për shtetasin. Nëpërmjet numrit unik, një operator, kudo në botë por në Shqipëri, do mund të gjeneronte të gjitha të dhënat, jo vetëm të dhënat kryesore për qytetarin, pra emri, mbiemri, atësia, mëmësia, vendlindja, shtetësia, gjendja civile, por në rast se do ushtroheshim më shumë institucionalisht  për numrin unik, do mund të përfitonim shumë më shumë shërbime duke u bazuar vetëm në këtë.

Sot që flasim numri unik shërben si identifikativ vetëm për disa institucione të tjera, si dhe nga Ministria e Punëve të Brendshme, pra nga regjistri i Gjendjes Civile, të tilla si Sigurimet shoqërore, Drejtoria e Tatimeve dhe disa institucione të tjera të cilat e përdorin numrin unik si e dhëna që grumbullon gjithçka. Po ashtu edhe vendbanimi, është një gjë tërësisht për t’u trajtuar më pas dhe kjo është arsyeja pse jemi mbledhur sot.

Sot që flasim regjistri kombëtar i Gjendjes Civile përdoret nga shumë institucione dhe të tilla veçoj policinë, prokurorinë, gjykatat, drejtoria e përgjithshme e transportit rrugor, noterët, shoqëritë përmbarimore, përmbarimi shtetëror, shoqëritë private të përmbarimit, tatimet, doganat, hipoteka, sistemi bankar i tëri, sigurimet shoqërore, sigurimet shëndetësore, shërbimi social. Pra siç e shikoni, numri unik personal është referenca e vetme për çdo qytetar në republikën e Shqipërisë.

Në çdo muaj janë rreth 600 përdorues që i referohen numrit unik, pra mendoni pak se me numrin unik, ne mund të llogarisim kapacitetin institucional dhe shoqëror të marrëdhënies ndërmjet individit dhe shtetit. Gjatë gjithë vitit janë mbi 5500 referenca.

I vetmi që paguan për të përdorur regjistrin kombëtar të Gjendjes Civile është qytetari!

I vetmi që merr shërbim kundrejt pagesës në  regjistrin kombëtar të Gjendjes Civile është qytetari! Është ajo pagesa për të marrë certifikatën! Askush tjetër nuk paguan. Marr këtu shembull edhe shoqëritë private të përmbarimit, që fitojnë para nga qytetari për të ekzekutuar një vendim gjyqësor në mënyrë private dhe kur shkojnë te regjistri kombëtar i gjendjes civile për të marrë të dhënat, nuk paguajnë.

Pra është një sistem që sot mbahet nga shteti, nuk është i vetëqendrueshëm financiarisht. Eshtë një sistem që asistohet nga mjetet buxhetore nga shteti, nuk mbahet vetë, sepse sistemi është sot në përdorimin e vet minimal. Dhe financiarisht i ka rënë barra në këto dy dekada vetëm qytetarit që të paguajë për këtë sistem. Kur ndërkohë operatorët ekonomikë të fuqishëm në Shqipëri, të tillë si bankat e nivelit të dytë apo shoqëritë private përmbarimore, nuk paguajnë asnjë lek. Dhe kjo është thellësisht e padrejtë, jo vetëm se e bën sistemin jo vetëm të varur financiarisht nga shteti, por sepse nga ana tjetër nuk duhet të jetë vetëm qytetari ai që duhet të paguajë për këtë sistem nga përdorimi i tij. Kur ndërkohë pjesa më e madhe e përdoruesve janë operatorë ekonomikë të fuqishëm në shoqëri.

Në Shqipëri sot janë mbi 4.4 milionë shtetas të regjistruar. Mbi 1.3 milionë familje! Kjo është e dhëna e sotme e regjistrit kombëtar të Gjendjes Civile. Pyeteni pak veten, a jemi mbi 4 milionë në Shqipëri? Janë mbi 1.3 milionë familje sot në Shqipëri? Dhe ku janë? Sepse siç do shohim më vonë, ta pjesëtosh me numrin e adresave të identifikuara, pra të bësh një llogari të thjeshtë me numrin e ndërtesave të identifikuara si ndërtesa banimi, i bie të ketë mbi 20 persona në një apartament. Kjo nuk është shifër e vërtetë, sepse Shqipëria reale nuk korrespondon kurrkund me Shqipërinë në letra. Sepse e vërteta që ne dimë, nuk është e vërteta e letrave, e regjistrave, e defterëve. Kujtoni këtu që para viteve ’90-të, regjistroheshin shtetasit, regjistroheshin banesat, matrikullohej gjëja e gjallë, po kështu regjistroheshin tokat bujqësore, deri dhe tek regjistrimi i prodhimit bujqësor si markë.  Sot jemi në fazën që nuk dimë ende të dhënat themelore të shtetit shqiptar që janë shtetasit nga njëra anë, banesa nga ana tjetër.

Ndërkohë e dhëna e dytë është regjistri kombëtar i adresave. Pra thamë që shteti bazohet mbi këto dy themele: regjistri i Gjendjes Civile është njëra anë, regjistri i adresave është po them kollona e dytë.

Regjistri kombëtar i adresave idealisht duhet të ishte databaza e çdo adrese në republikën e Shqipërisë. Idealisht duhet të ishte referenca e vetme, ekskluzive, e saktë dhe e përditësuar, për të ditur kush banon ku? Cili ushtron biznes, ku? Pra në regjistrin e adresave, në qoftë se do e kishim, në qoftë se do ishte i përditësuar dhe në qoftë se do ekzistonte një i tillë, bashkë me regjistrin e Gjendjes Civile, ne do mund të dinim, jo afërsisht, por ekzaktësisht, kush jeton ku? Që është shumë e rëndësishme.

Sot që flasim, regjistri kombëtar i adresave regjistron 745 mijë ndërtesa gjithsej në gjithë Shqipërinë, dhe 30871 rrugë në të gjithë Shqipërinë. Këtu flasim për rrugë të identifikuara.

Me rrugë nuk është kuptimi apo definicioni i asaj që kuptojmë ne për rrugë sa dëgjojmë fjalën, pra nuk është rruga klasike e asfaltuar ku detyrimisht duhet të ecë makina, nuk është kjo! Eshtë rrugë komunikimi, qoftë dhe jo e asfaltuar, s’ka rëndësi, ndërmjet një komuniteti dhe një komuniteti tjetër, ndërmjet një destinacioni dhe një destinacioni tjetër. Këto janë të dhënat e sotme në regjistrin kombëtar të adresave. Janë fare të pasakta dhe të papërditësuar dhe nuk i përgjigjen kërkund realitetit që ka sot Shqipëria.

Problemet me regjistrin kombëtar të adresave janë të shumta por kryesoret janë mangësia themelore në të dhëna dhe mbivendosja e të dhënave.

Kjo për shkak të rrëmujës dhe kaosit, është ajo që thashë në fillim, sepse shoqëria ka ecur përpara dhe shteti nuk ka shkuar do pas. Sepse është parimi shoqëria para, shteti pas, por edhe i tillë nuk ka funksionuar! Për të mos folur pastaj dhe kjo është deri diku e natyrshme ose e kuptueshme, sot sistemi nuk i përgjigjet fare ndarjes së re administrative.

Dhe për t’ju marrë një shembull, mangësia në të dhëna në regjistrin e adresave, ka disa arsye:

e para, të dhënat e fundit të hedhura në regjistrin kombëtar të adresave datojnë në vitin 2010. Në vitin 2010 për Tiranën! Pjesa tjetër e Shqipërisë, errësirë. Pra kemi ndriçuar me dije, dimë sot deri në vitin 2010, ku ka ecur shoqëria. Dimë deri në vitin 2010, kush afërsisht banon ku? Vetë sistemi idealisht do të duhej të bazohej në një fotografi ajrore, ortofoto quhet!

Fotografia ajrore bën përputhjen e dijenisë në terren për ndërtesat me dijeninë empirike që krijon shteti, institucionet nga fotografimi ajror. Pra në një sistem ideal, ortofoto duhet të shpjegonte pasqyrën më të mirë të terrenit lidhur me ndërtesat dhe pastaj kjo të përputhej me regjistrin!

Ka zona të tëra në Shqipëri që janë totalisht në errësirë, mungon komplet informacioni. Ka zona të tëra në Shqipëri që nuk dihet fare se si është ndërtuar territori, nuk dihet në ka ndërtesë apo s’ka ndërtesë.

Pra mund ta dimë ne, mund ta dijë zona, mund ta dijë komuniteti lokal, shteti nuk e di me letra. Për shtetin nuk figuron. Pra ka zona të tëra të Shqipërisë të pandriçuara, të pandriçuara nga dija institucionale dhe shtetërore. Kjo sepse ka munguar dhe ortofoto dhe procesi për pasurimin e të dhënave.

Dhe në regjistrin kombëtar të adresave mungojnë kategori të tëra të dhënash që kurrë nuk janë pasuruar të tilla si supozoj, apartamenti i qytetarit, hyrja ose shkalla dhe të dhëna të tjera që janë mjaft të rëndësishme.

Pas meje është një shembull i ortofotos së 2007-ës me 2015-ën në Kamëz. Shikojeni vetë ndryshimin demografik, urbanistik të të njëjtës zonë, në harkun kohor të pesë viteve. Ndryshimi është më shumë sesa 30% .Pra shoqëria në 8 vjet ka ecur përpara në  30% të kapacitetit të saj. Shteti nuk ka ndjekur dot hapin e zhvillimit të shoqërisë dhe sot për shtetin për barrën e regjistrave për bazën tonë të të dhënave ne sot dimë çfarë ka ndodhur deri në vitin 2007.

Për ne në letra Shqipëria ka ngelur te kjo pika këtu në 2007 për shoqërinë, për qytetarët për komunitetin në atë zonë Shqipëria e vërtetë është kjo këtu. Ndërkohë ka dhe shembuj që bërtasin më fortë sesi brenda të së njëjtës bashki ka dy rrugë me të njëjtin emër.

Ta mendojmë pak sikur idealisht taksisti mos t’i referohej më Fabrikës së Miellit, Brrylit, Pallatit me shigjeta, Nyjës së betonit dhe shumë të tjera por t’i referohej rrugës. Ka dy rrugë në të njëjtën bashki me të njëjtin emër.

Këtu kemi vetëm një shembull pas meje, të tilla ka plot në të gjithë Shqipërinë dhe kjo e kthen në të pamundur orientimin e sistemit drejt referencave për qytetarët për biznesin dhe pastaj për turistët që është një sipërmarrje labirint për të njohur dhe ditur që të shkosh në destinacionin e duhur.

Mos-pasja e këtij sistemi për shkak se regjistri kombëtar i adresave nuk është populluar, për shkak se dy shtyllat tona themelore nuk komunikojnë me njëra tjetrën sot ka pasoja që ndikojnë drejtpërdrejt te kapaciteti i institucioneve për të dhënë shërbim ndaj qytetarit.

Ndikojnë drejtpërdrejt te jeta e përditshme e qytetarëve dhe ndikojnë drejtpërdrejtë në cilësinë e shërbimeve që mund të japë shteti ndaj qytetarëve, pra ndikon drejtpërdrejt në pritshmërinë që ka qytetari për tu ndjerë i shërbyer dhe i ndihmuar nga shteti i vet. Paguan taksat, respekton ligjin është qytetari  që fiton bukën e gojës me djersë dhe me punë dhe kur vjen puna shteti i tij në letër nuk e ndihmon dhe nuk përputhet fare madje me shtetin në realitet.

Ka plot pasoja por më kryesoret janë ato që kanë të bëjnë me sistemin fiskal, më kryesoret janë ato me shërbimet që merr qytetari supozoj për regjistrimin e pasurisë, më kryesoret janë ato që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë, qoftë për çështje civile prona dhe kështu me radhë, qoftë edhe për çështje penale pasi nuk çon dot secilin në gjyq sepse s’ka postieri ku ta gjejë banorin.

Ai që do të hidhet në gjyq banon pas Fabrikës së Miellit , pra janë pasoja që kanë të bëjnë me jetën e përditshme të qytetarëve. Ne po propozojmë dhe sot po prezantojmë zgjidhjen e këtyre problemeve në dy dekada.

Pra ne propozojmë që regjistrat të jenë të saktë, të përditësuar dhe mbi të gjitha regjistri i adresave të përditësohet dhe të ndjeki hapin e regjistrit të gjendjes civile dhe të dy regjistrat të kthehen në një pra në një unik të vetëm të integruar të shtetasve. Në një proces të tërë popullimi të regjistrit të adresave dhe të atij të gjendjes civile në një të vetëm.

Kjo do të ishte mënyra më e mirë për të shmangur të gjitha problemet që kemi sot dhe për të bërë një Shqipërinë në realitet me Shqipërinë e letrave. Shqipërinë e së vërtetës, Shqipërinë e përditshme me Shqipërinë e regjistrave apo katalogëve të shtetit shqiptar.

Është mënyra më e mirë dhe e vetme për të shmangur kaosin me hedhjen e të dhënave, çdo lloj mungese të dhënash nga territori dhe për të shmangur mundësinë që të kemi probleme në vijim me shtetasit, lidhur me adresat deri me shmangiet e vështirësive për aq sa është e mundur e kuicit që duhet të ndërtojë çdo qytetar për të gjetur  një adresë.

Përfitimi është themelor shtetasve shqiptar. Është themelor për shtetin shqiptar që të dinë në mënyrë definitive sa jemi dhe ku banojmë. Që të mos i përgjigjemi pra jemi me kaq dhe banojmë me adresa konvencionale.

Përfitim i parë është të dimë sa janë shtetasit shqiptarë dhe ku banojnë shtetasit shqiptarë. Kjo i shërben qytetarëve, institucioneve, shtetit në tërësi. Por pastaj ka dhe një sërë përfitimesh të tjera që unë po i quaj si dytësore por që nuk janë dytësore pasi kanë të bëjnë në mënyrë të drejtpërdrejtë me shërbimet ndaj qytetarëve, kanë të bëjmë drejtpërdrejtë me vetë qytetarin, kanë të bëjmë me jetën e përditshme, kanë të bëjnë drejtpërdrejt me të ardhurat me sistemin fiskal, me biznesin dhe sipërmarrësit, kanë të bëjnë me sistemin gjyqësor , me sistemin e pronave, me sigurinë, sigurimet shëndetësore dhe shoqërore dhe kapacitetin për të dhënë shërbime shëndetësore, me arsimin dhe mundësinë për tu arsimuar në këtë vend.

Themeli i shtetit shqiptar që është banor, të dimë sa jemi dhe të dimë ku jemi i integruar në të njëjtin regjistër, sjellë mundësi më shumë për t’i shërbyer qytetarëve më mirë, cilësisht më mirë dhe sigurisht më shpejt në kohë dhe sigurisht pa korrupsion.

Sigurisht ndër të tjera ka të bëjë dhe me sistemin zgjedhor. Ju shumë mirë e dini se me listat zgjedhore jemi mësuar gjithë këto kohë të kemi kodin specifik 999.

Ato janë shtetasit që janë në listën zgjedhore por nuk dihet kur banojnë. Jemi mësuar gjithë këtë kohë që të dimë që ka njerëz të identifikuar që votojnë  në këtë kuti të kësaj qendre votimi, ka njerëz të identifikuar në letër që si di kërkush që potencialisht duhet të votojnë në këtë kuti se janë emigrantë apo jo, se janë njerëz që i ka ngelur banesa në letra te ajo qendër votimi por ndërkohë  janë në qytet tjetër.

Janë njerëz që nuk ekzistojnë për një milion arsye kjo nuk dihet, kjo cenon parimet e sistemit zgjedhor, kjo cenon barazinë e votës dhe kjo ka shërbyer si shteg për manipulimin e zgjedhjeve. Shumë shpesh është përdorur kjo mënyrë për shtetasit që nuk ekzistojë, me shtetasit që ekzistojnë në listë por jo në territor.

Nëqoftëse ky sistemin do të implementohet siç kemi filluar, nuk do të ketë më shtetas që i kemi vetëm në letër po jo në territor. Nuk do të ketë më shtetas që shkojnë në listën zgjedhore që janë me një kod të panjohur 999 sepse do të jetë gjithçka e vërtetuar, sa jemi dhe ku banojmë.

Mbi të gjitha kemi ideuar një sistem autonom, financiarisht autonom. Ju thashë dhe më parë që me këtë sistem i vetmi që paguante ishte qytetari, pavarësisht se ashtu me sistemin e pa përditësuar punonte çdo lloj operatori ekonomik jo pak i rëndësishëm në shoqëri. Ju mora shembull bankat e nivelit të dytë dhe shoqëritë përmbarimore të cilat marrin para nga shtetasit.

Përmbaruesi privat që të ekzekutojë vendimin e formës së prerë për qytetarin do t’i marrë para qytetarit apo përqindje të ekuivalentit ekonomik të vendimit të ekzekutueshëm. Përsa kohë operatori privat përfiton para nga shtetasi duke përdorur këtë mundësi shtetërore duke përdorur asetet publike, asetet publike duhen paguar, operatori privat për shërbimet që merr nga shtetasi pasi nuk mund të ndodhë në shtetin shqiptar, që një operator ekonomik privat, përmbaruesi privat apo banka e nivelit të dytë të kalojë përmes shtetit shqiptar për t’i marrë para shtetasit dhe shtetit shqiptar mos ti paguaj asgjë kjo nuk duhet të ndodhë.

Mënyra të tilla kanë shërbyer dhe na kanë shërbyer ne për të indentifikuar kapacitetet financiare dhe buxhetore që sistemi të jetë vetë i financueshëm. Të jetë i pavarur, autonom nga pikëpamja buxhetore dhe përditësohet në bazë të këtij kapaciteti financiar.

Ju kujtoj këtu që BE në vitin 2007 ka financuar para të taksapaguesve europianë për të bërë këtë gjë dhe nuk është bërë. Por kjo është një gjë.

Ne duam që të ndërtojmë një sistem që rri në këmbë vet nga pikëpamja e financimit e buxhetimit dhe nga pikëpamja e kapacitetit për të ndjekur shoqërinë hap pas hapi.

Pra ne duam që një sistem i tillë të jetë i mundur që të mos shkojë sipas parimit shoqëri përpara dhe shteti pas por të ecin të dy bashkë hap pas hapi dhe Shqipëria e vërtetë përputhet me Shqipërinë në letër.

Kemi ideuar disa hapa konkretë të cilët po jua shpjegoj shkurtimisht.

E para do të ndërrojmë kuadrin ligjor nëpërmjet një ligji të ri për adresat dhe një ligj i ri për gjendjen civile në mos qofshin i njëjti ligj pasi jemi në fazën që me partnerët po identifikojmë instrumentet përkatës.

E dyta duke përcaktuar një model të ri adrese në Republikën e Shqipërisë. Një model të ri për adresat do të thotë të marrim të dhënat e duhura nga shtetasit, të marrim të dhënat e duhura nga regjistrimi i banesave,  të marrim të dhënat e duhura nga institucionet e tjera dhe pse jo të kemi kod unik siç kemi për njerëzit ashtu të kemi edhe për banesat.

Ndërkohë të përcaktojmë me instrumente ligjore detyrimin e çdo shtetasi shqiptar që të identifikojë për shtetin një adresë të detyrueshme, të paktën një adresë.

Sot ndodh rëndom, madje unë jam një ndër ta, por besoj se shumë janë këtu, që banoj në një njësi të Tiranës dhe gjendjen civile e kam ende në një njësi tjetër të Tiranës.

Kjo ndodh për arsye sepse sapo mund të kesh ndërruar shtëpinë, sapo mund të kesh ndërruar llojin e pasurisë, mund të kesh neglizhuar në përditësimin e adresës apo arsye të tjera.

Ne do të përcaktojmë detyrimin që shtetasi shqiptar me shtetin e vet të përcaktojë me detyrim një adresë, si adresë njohur nga shteti dhe institucionet në tërësi.

Kjo do të thotë që supozojmë fatura e energjisë elektrike apo fatura e konsumimit të ujit apo edhe thirrja në gjyq, apo fatura fiskale, apo gjoba e policisë rrugore që do  të vijë në adresë, të vijnë te adresa e detyrueshme që zyrtarisht i ke deklaruar shtetit dhe për të cilën qytetari do të mbajë përgjegjësi.

Në rast se të vjen fatura e energjisë elektrike në adresën e deklaruar zyrtarisht dhe ti thua nuk e di kjo nuk është më përgjegjësi e shtetit, kjo është përgjegjësi e individit, kjo është përgjegjësi e qytetarit dhe në gjyq nuk mund të thuash më, që më fal kam një gjobë rrugore të pa paguar, nuk mund ta thuash dot kam një faturë energjie pa paguar se nuk më ka ardhur fare fatura sepse ke detyrimin që shtetit dhe institucioneve t’i japësh një adresë të detyrueshme e cila do të vlejë për institucionet në tërësi dhe e cila transferon barrën e përgjegjësisë që deri dje duhet të gjente ku ishe te individi që sot e tutje duhet të vetëdeklarohet me të paktën një adresë se ku banon dhe cila është adresa zyrtarisht e deklaruar për të komunikuar vetë qytetari me shtetin dhe institucionet në përgjegjësi.

Një sërë ndryshimesh të tjera ligjore që do të ndihmojnë që ky proces të jetë i strukturuar dhe me rezultate të qëndrueshme në kohë. Nga ana tjetër do të bëjmë indentifikimin në terren shtetasve dhe banesave.

Pra me një proces tërësor të popullimit do bëjmë përputhje në terren me trokitje derë më derë grupe njerëzish që do të shkojnë derë më derë në çdo shtëpi të Shqipërisë dhe do të verifikojnë kush banon ku.

Do të riverifikojmë regjistrin e gjendjes civile dhe do pasurojmë e përditësojmë mbushjen me të dhëna të regjistrit të adresave. Të dyja këto do të përbëjnë regjistrin unik të integruar të shtetasve dhe banesave në Republikën e Shqipërisë.

Procesi i identifikimit në terren pra i shtetasve që do të dëgjojnë në derë personat e autorizuar që do të trokasin dhe do të kërkojnë të dhëna do jetë një proces që do të marrë pak kohë brenda vitit të ardhshëm por që në fund të ditës do të na japi ne të dhëna dhe inventarin e saktë të sa jemi, kush jemi dhe ku banojmë për të pasur më në fund bashkimin e Shqipërisë së vërtetë me atë të Shqipërisë në letra.

Të Shqipërisë ne territor, të Shqipërisë reale me Shqipërinë e regjistrave, letrave e defterëve.

E gjitha do të bëhet në mënyrë elektronike dhe do të përfundojë brenda viti 2017 duke pasuruar regjistrin me të dhënat e shtetasve dhe me të dhënat e sipërmarrësve.

Ne duam të dimë në fund të ditës sesa banesa ka një individ, veç banesave ka dhe biznes dhe nëse sot një njeri që ka një banesë dhe nuk e deklaron të dytën dhe paguan për pasurinë njëlloj si ai që ka vetëm një për ne kjo nuk është e drejtë dhe në fund të ditës duam të dimë shtetasit dhe adresat në të njëjtin regjistër unik.

Ndërkohë do të vijojë faza tjetër ajo e vendosjes së sinjalistikës përkatëse në çdo njësi, në çdo bashki për të ndihmuar qytetarët ti referohen një sistemi unik referencash lidhur me adresën.

Jo se do heqim dot nga referenca historike e shtetasve referencat si “Fabrikën e Miellit” apo “Pallatin me shigjeta”, por të paktën do t’i japim mundësi qytetarëve shqiptar edhe pse jo biznesit edhe pse jo institucioneve dhe pastaj turistëve të dinë t’i referohen dhe të kenë mundësinë t’i referohen një sistemi unik adresash.

Ne besojmë se qytetarët janë partneri më i rëndësishëm, qytetarët të na ndihmojnë që ky proces të shkojë në fund me sukses.

Është kjo pak a shumë që nisim të bëjmë një, Shqipërinë e vërtetë me Shqipërinë e letrave, një proces të detajuar të popullimit të regjistrit të gjendjes civile dhe regjistrit të adresave i cili në fund të ditës do të na japi mundësinë të kemi themelin identifikativ të shtetit shqiptar në regjistrin e integruar të shtetasve dhe adresave për të ditur kush jemi, sa jemi dhe ku banojmë.

Faleminderit shumë!