Prezantohet Plani i Integritetit të Ministrisë së Brendshme - Ministria e Brendshme
Postuar më: 30/05/2022

Prezantohet Plani i Integritetit të Ministrisë së Brendshme

PLANI I INTEGRITETIT TË MINISTRISË SË BRENDSHME

Ministria e Brendshme ka hartuar dhe miratuar Planin e Integritetit dhe Planin e Veprimit 2022-2024, me asistencën e PAMECA V dhe DCAF (Qendra e Gjenevës për Qeverisjen e Sektorit të Sigurisë). Gjithashtu, ka nisur puna për hartimin e Planeve të Integritetit në çdo institucion varësie të Ministrisë së Brendshme.

Fjala e zëvendësministrit të Brendshëm Andi Mahila, në ceremoninë prezantimit të dokumentit:

Përshëndejte të gjithëve,

ceremoninë e sotme e organizojmë për të promovuar realizimin nga Ministria e Brendshme të një prej prioriteteve të rëndësishëm të qeverisë shqiptare për thellimin e luftës kundër korrupsionit, si dhe angazhimeve për rritjen e integritetit dhe konsolidimin e institucioneve e strukturave të saj. Hartimi/miratimi dhe zbatimi i Planeve të Integritetit nga të gjitha institucionet qendrore (ministritë), është një nga objektivat e Strategjisë sonë Kombëtare Ndërsektoriale kundër korrupsionit, por edhe një nga rekomandimet e para në radhë të GRECO-s.

Me miratimin e Planit të Integritetit 2022-2024, Ministria e Brendshme e konsideron të kryer pjesën e parë të objektivit dhe rekomandimit, i cili natyrisht mbetet për t`u plotësuar në vazhdimësi nga zbatimi i objektivave dhe masave të parashikuara në këtë Plan, të cilat do të krijojnë mundësinë për arritjen e standardeve të dëshiruara nga ne, por edhe të kërkuara nga partnerët tanë europian, me të cilët jemi duke punuar fort të ulemi në të njëjtën tavolinë zyrtarisht.

Në fakt integriteti i Ministrisë së Brendshme nuk është se fillon me miratimin e këtij Plani. Parimet morale, drejtësia, karakteri dhe ndershmëria, sinqeriteti, rezultatet pozitive, dija, kanë qenë prezent edhe më parë në institucionin tonë. Me këtë Plan në fakt fillon puna e organizuar, e orientuar, e mirë përcaktuar, e monitoruar, për të shmangur çdo mundësi për abuzim dhe për të rritur besimin e qytetarëve tek institucionet shtetërore.

Hartimi dhe miratimi i Planit të Integritetit të Ministrisë së Brendshme dhe Planit të Veprimit 2022-2024, ka qenë një proces kompleks dhe sfidues njëkohësisht, por që u realizua falë një koordinimi të mirë planifikuar dhe të shtrirë në të gjitha nivelet.

Strukturat e angazhuara kanë bërë një analizë të thelluar të organizimit dhe funksionimit të tyre, duke identifikuar fushat e proceset më të rriskuara dhe më vulnerabël në drejtim të korrupsionit dhe cenimit të integritetit si dhe risqet potenciale, duke sfiduar veten dhe mendësinë në procesin e vetëvlerësimit dhe analizës së brendshme për identifikimin e tyre.

Procesi ka treguar gjithashtu vullnetin dhe angazhimin profesional të punonjësve dhe drejtuesve të Ministrisë së Brendshme.

Ministria e Brendshme ka qenë në pararojë të kësaj nisme dhe të vënies në funksion të këtij mekanizmi, pasi Policia e Shtetit miratoi më herët Planin e Integritetit 2020-2021 dhe ka vijuar me implementimin e masave konkrete në zbatim të tij.

Plani i Integritetit i Ministrisë së Brendshme është një dokument që paraqet vizionin strategjik dhe objektivat kryesorë të Ministrisë së Brendshme në drejtim të rritjes së integritetit institucional. Ky dokument do të shërbejë si një mjet parandalues, gjithëpërfshirës kundër korrupsionit, si dhe synon promovimin dhe forcimin e integritetit duke përfshirë këtu integritetin individual, profesionalizimin, etikën, si dhe ngritjen e vlerave e standardeve profesionale.

Plani i Integritetit udhëhiqet nga disa parime si ai i ligjshmërisë, unitetit dhe hierarkisë, llogaridhënies, efektivitetit, paanshmërisë, transparencës, konfidencialitetit, barazisë dhe mos diskriminimit.

Me implementimin e tij synohet realizimi i disa objektivave kryesore:

– Parandalimi i korrupsionit dhe forcimi i integritetit institucional;

– Rritja e transparencës së institucioneve e strukturave të Ministrisë së Brendshme;

– Krijimi i mekanizmave monitorues mbi sjelljet që cenojnë integritetin;

– Përcaktimi i proceseve dhe rregullave të qarta për integritetin e nëpunësve të institucioneve dhe strukturave të MB;

– Forcimi i bashkëpunimit mes aktorëve të brendshëm në kuadër të përmbushjes së detyrimeve dhe objektivave strategjikë në fushën e anti korrupsionit.

Me qëllim identifikimin e vazhdueshëm, parandalimin dhe minimizimin e risqeve në fushën e anti korrupsionit dhe cënimit të integritetit, masat e planifikuara në Planin e Veprimit 2022-2024, kanë të bëjnë me:

– Përcaktimin më të qartë të përgjegjësive të funksioneve,

– Hartimin e politikave dhe akteve rregullatore e procedurale,

– Trajnimin dhe aftësimin e vazhdueshëm të punonjësve,

– Përmirësimin e mekanizmave të kontrollit, nëpërmjet inspektimit, mbikëqyrjes së drejtpërdrejtë dhe raportimit periodik.

Institucionet e varësisë në përputhje me vizionin dhe objektivat e përcaktuar në Planin e Integritetit të Ministrisë së Brendshme, kanë filluar ndërkohë dhe hartimin e planeve të tyre institucionale të integritetit, në të cilat do të thellojnë më tej analizën e risqeve të integritetit dhe do të përcaktojnë masat e nevojshme për adresimin e tyre. Dokumenti që po prezantojmë sot, i emërtuar “Plani i Integritetit i Ministrisë së Brendshme”, është produkt i një pune serioze dhe bashkëpunimi të ngushtë mes ekspertësh të vetë ministrisë, institucioneve të varësisë dhe atyre ndërkombëtarë, që asistojnë Policinë e Shtetit.

Botimi i tij në një format cilësor është realizuar falë mbështetjes financiare të BE-së, në kuadër të  Programit të Bashkëpunimit dhe Ndërtimit të Integritetit të Policisë në Balkanin Perëndimor, të zbatuar nga Qendra e Gjenevës për Qeverisjen e Sektorit të Sigurisë, Ministrisë së Punëve të Jashtme Norvegjeze (DCAF).

Angazhimi i gjithë këtyre faktorëve, natyrshëm do të sillte një produkt cilësor, si ky që kemi sot në dorë. Nuk e kam renditur nga fundi pse ka rëndësi më të vogël, porse për arsye se dëshiroj që të mbetet në vëmendjen e të pranishmëve, shprehja në emër të Ministrisë së Brendshme, të falënderimit dhe mirënjohjes për gjithë kontribuuesit dhe aktorët që u angazhuan në draftimin e këtij dokumenti.

Falënderoj partnerët dhe bashkëpunëtorët e PAMECA V dhe DCAF për asistencën dhe mbështetjen e vazhdueshme në procesin e hartimit dhe finalizimit të dokumentit, si dhe për vijimin e bashkëpunimit dhe asistencës në kuadër të rishikimit të Planit të Integritetit të Policisë së Shtetit. Ju faleminderit!