Përdorimi social i pasurive të konfiskuara në Shqipëri - Ministria e Brendshme
Postuar më: 25/11/2022

Përdorimi social i pasurive të konfiskuara në Shqipëri

Përdorimi social i pasurive të konfiskuara në Shqipëri

Tiranë – Fjala e Kryeadministratorit të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, z. Ardian Koni:

E nderuar znj. Pilika,

E nderuar znj. Mejdini

I nderaruar z. Palomo,

Të nderuar përfaqësues të OSCE,

Të nderuar përfaqësues të Partners Albania dhe pjesëmarrës prezent në këtë takim, mirësevini në Tiranë dhe ju faleminderit që i keni kushtuar një workshop të dedikuar mbi përdorimin social të pasurive të konfiskuara në Shqipëri.

Në diskutimin tim dua të ndalem shkurtimisht në krijimin dhe rolin e AAPSK në në proçesin e sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurive të ardhura nga krimi i organizuar dhe kontributi i AAPSK për viktimat e trafikimit dhe ripërdorimin social të pasurive të konfiskuara, ku veprimtaria dhe qëllimi kryesor sipas ligjit për administrimin e pasurive të sekuestrua dhe konfiskuara është miradministrimi dhe përdorimi sa më efiçent, efektiv dhe ekonomik i pasurive të sekuestruara e të konfiskuara nga organet e drejtësisë dhe rikthimi në komunitet i pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme dhe kompensimi financiar i viktimave të krimit.

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) është krijuar në vitin 2008 në zbatim të Ligjit nr. 9284, date 30.09.2004 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit te organizuar”. Nga viti 2008 AAPSK ka qenë Agjenci në varësi të Ministrit të Financave dhe Ekonomisë.

Me ndryshimet ligjore dhe miratimin e ligjit specifik Nr.34/2019 mbi Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, dhe disa ndryshime mbi ligjin Antimafia 10192. ligje bazë në të cilat bazohet veprimtaria e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.

Ndryshoi dhe varësia nga Ministria Financa dhe Ekonomisë në Ministrinë e Brendshme, duke përmirësuar disa procedura në administrimin e aseteve kriminale, e duke i dhënë rëndësin që meritojn aseteve të konfiskuara nga krimi organizuar duke përfshirëri përdorimin-social të pasurive të konfiskuara.

Në përmirësimet ligjore duke përfshirë ligjin Antimafia 10192, dhe ligjin bazë të AAPSK 34/2019. U parashikua ngritja e Komitetit Ndërinstitucional për Masat Kundër Krimit të Organizuar. Komiteti është organi kompetent i parashikuar në ligj për marrjen e vendimeve për destinacionin e pasurive të konfiskuara.

Ky komitet mblidhet pranë ministrisë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike dhe përbëhet nga 9 anëtarë, të propozuar respektivisht nga:

  • Ministri i Brendshëm;
  • Ministri i Financave dhe Ekonomisë;
  • Ministri i Drejtësisë;
  • Ministri Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale;
  • Prokurori i Përgjithshëm;
  • Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar;
  • Këshilli Lartë Gjyqësor;
  • Agjencia Shtetërore e Kadastrës;
  • Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.

Anëtari i propozuar nga ministri përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike është kryetar i komitetit.

Në veprimtaritë e Komitetit mund të ftohen të marrin pjesë edhe përfaqësues të institucioneve publike ose organizata të tjera, vendase a të huaja, veprimtarë në fusha me interes për zbatimin e këtij ligji. Komiteti, të paktën një herë në gjashtë muaj, u kërkon informacion me shkrimin institucioneve qendrore, që i kanë në administrim, si dhe të dhëna të hollësishme për gjendjen dhe mënyrën e përdorimit të pasurisë së paluajtshme njësive vendore, që i kanë në pronësi pasuritë e paluajtshme të konfiskuara. Komiteti mblidhet sa herë të jetë e nevojshme, me kërkesë të njërit prej anëtarëve ose të Agjencisë, por jo më pak se 1 herë në 3 muaj.

Nga vlera e përftuar nga shitja e pasurive, ose vlerat monetare të konfiskuara dhe të ardhura të tjera, krijohet fondi i konfiskimit i cili ndahet në 3 pjesë, e konkretisht:

– Për buxhetin e shtetit;

– Për mbulimin të një pjese të shpenzimeve të AAPSK, në administrimin e pasurive;

– Për fondin e posaçëm.

Fondi i posaçëm shërben për:

a) përmirësimin e funksionimit të drejtësisë penale, duke destinuar pasuritë në administrim të Prokurorisë së Përgjithshme, Prokurorisë së Posaçme dhe të Ministrisë së Drejtësisë;

b) përmirësimin e hetimeve paraprake penale të krimit të organizuar dhe zhvillimin e programeve të mbrojtjes së dëshmitarëve e të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, duke destinuar pasuritë në administrim të ministrisë që mbulon çështjet e rendit publik;

c) dhënien e ndihmës viktimave të krimit të organizuar, si dhe nxitjen e programeve sociale për këto kategori, duke destinuar pasuritë në administrim të ministrisë që mbulon çështjet sociale;

ç) dëmshpërblimin e viktimave të krimit të organizuar dhe të trafikimit në masën e përcaktuar me vendim gjyqësor.

Përveç institucioneve qendrore, përfitues të financimit të projekteve për parandalimin e kriminalitetit mund të jenë:

a) njësitë e qeverisjes vendore, ku ndodhen pasuritë e paluajtshme të konfiskuara;

b) organizatat jo-fitimprurëse, që kanë për objekt të veprimtarisë së tyre rehabilitimin social, kulturor e shëndetësor të shtresave në nevojë, veçanërisht atyre të prekura apo të rrezikuara nga krimi, qendrat e asistencës e të rehabilitimit të viktimave të trafikut të qenieve njerëzore.

Fondi i Posaçëm i miratuar gjatë kësaj periudhe është përdorur:

– Në financimin e projekteve te ndryshme të institucineve shtetërore që marin pjesë në luftën kundër krimit të organizuar. Konkretisht janë financuar 6 projekte për institucionet shtetërore me një vlerë rreth 117 milion lekë ose rreth 1 milion euro;

– Financimin e projekte të ndryshme të OJF që trajtojnë viktimat e krimit të organizuar. Konkretisht, 13 projekte me vlerë rreth 43,3 milion lekë ose 370 mijë euro.

Me mbështetjen e BE, OSBE dhe qeverisë gjermane nëpërmjet GIZ-it, nëpërmjet OJF-ve, si Partners Albania dhe ENGIM, që mbështesin shoqërinë civile deri tani janë realizuar disa projekte për përdorim social të pasurive të konfiskuara dhe konkretisht:

2 apartamente në Fier me sipërfaqe rreth 140 m2 nëpërmjet projektit “Ke Buono”, të prokuruara dhe monitoruara nga Partners Albania dhe AAPSK, me financim nga BE, ku pasuritë e konfiskuara janë kthyer në bar-pastiçeri dhe njëkohësisht dhe qendër trajnimi të nxënësve të shkollës profesionale për pastiçierë. Ky projekt i suksesshëm zbatuar nga ENGIM, ushtron aktivitetin në mënyrë të sukseshme dhe vazhdon të monitorohet nga AAPSK;

– 1 apartament në Durrës me sip. 174 m2 nëpërmjet projektit “Kink Folk” të prokuruara dhe monitoruara nga Partners Albania dhe AAPSK, me financim nga BE, është kthyer në një bibliotekë kafe dhe shërben si një qendër edukimi për të rinjtë e këtij qyteti;

– 1 garazh në Sarandë me sipërfaqe 48 m2 nëpërmjet projektit “Garazhi social i artizanatit” të prokuruara dhe monitoruara nga Partners Albania dhe AAPSK, me financim nga BE. Është një punishte ku gra dhe vajza, viktima nga krimi i organizuar, prodhojnë punime artizanale me gurët e detit;

– 1 njësi tregëtare në Elbasan me sip 84 m2, nëpërmjet projektit “Rise ALB” me financim nga OSBE dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe operuara nga ENGIM. Ky projekt merr në konsideratë iniciativën e disa grave tezgjahiste, për prodhimin e qilimave tradicional dhe objekteve me tradita të zonës;

– 2 pasuri të luajtshme të llojit automjete 4×4 janë transformuar në “Biblioteka lëvizëse” për fëmijët e shkollave në zonat e thella malore të qarkut Shkodër dhe Dibër, financuar nga Republika Federale e Gjermanisë përmes GIZ.

Momentalisht po punohet për realizimin e 2 projekteve të tjera, ku do të përfitojnë 3 pasuri të paluajtshme të llojit apartamente dhe një pasuri e paluajtshme e llojit tokë, projekti “Toka Jonë”, projekti TWIST.

Duke ju falënderuar për vëmendjen dhe suportin, shpreh angazhimin maksimal të Agjencisë mbi implementimin e ri-përdorimit social në pasuri të konfiskuara nga krimi organizuar!