“Ngrijnë” strukturat vendore të Krimit Ekonomik/Porositë e Ministrit me drejtuesit e Policisë - Ministria e Brendshme
Postuar më: 10/03/2023

“Ngrijnë” strukturat vendore të Krimit Ekonomik/Porositë e Ministrit me drejtuesit e Policisë

“Ngrijnë” strukturat vendore të Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit

Përgjegjësi individuale e strukturave drejtuese, çdo parcelë kanabisi e konstatuar nga agjenci të tjera

Masa për mbarëvajtjen e procesit elektoral të 14 majit, goditje e fortë e fenomeneve që synojnë të trasformojnë vullnetin e qytetarëve

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi zhvilloi sot një takim me drejtuesit e Policisë së Shtetit, në nivel qendror dhe vendor, në përgjigje të shqetësimeve dhe marrjen e masave të forta reaguese, duke veçuar 3 çështje kryesore, që lidhen me luftën kundër krimit ekonomik, masat antikanabis dhe mbarëvajtjen e procesit elektoral.

Kështu Drejtori i Përgjithshëm i PSH ka pezulluar, deri në hyrjen në fuqi të strukturës së re të Policisë së Shtetit, të gjithë drejtuesit vendor të Krimit Ekonomiko-Financiar, në Drejtoritë Vendore të Policisë. Kjo për shkak të mungesës së efikasitetit të këtyre strukturave dhe mospërmbushjen e pritshmërive, në luftën kundër evazionit fiskal, paligjshmërive në fushën ekonomike, apo goditjen e korrupsionit.

Gjatë takimit, ministri Çuçi dha porosi të prera për çdo drejtues vendor të Policisë, për një luftë të pa kompromis kundër kultivimit të kanabisit. Ai konfirmoi vendosmërinë për të mbështetur çdo strukturë në rritjen e punës parandaluese dhe gjithashtu konsolidimin e forcës goditëse kundër kultivimit të kanabisit.

Në këtë aspekt, strukturave policore do t’u vijë në ndihmë përdorimi i teknologjisë së lartë, si dhe pamjet e përftuara nga satelitët në monitorimin e rreptë të territorit. Ministri tha se për çdo parcelë që do të konstatohet nga agjenci të tjera, do të ketë përgjegjësi individuale, për drejtuesit vendorë. Vëmendje e posaçme duhet t’u kushtohet kontrolleve në ambiente të mbyllura.

Ministri i Brendshëm kërkoi angazhimin maksimal të strukturave inteligjente dhe ato të Rendit të Policisë, për mbarëvajtjen e fushatës elektorale dhe gjithë procesit zgjedhor të 14 majit, duke parandaluar dhe goditur me forcën e ligjit, çdo tentativë për shit-blerje vote. Ai ka kërkuar goditjen e fenomeneve që përbëjnë krime elektorale, si dhe që policia t’i shmanget çdo lloj intimidimi nga subjektet politike apo persona të lidhur me ta.

Ministri theksoi se vlerësimi i performancës për çdo drejtues vendor apo qendor në Policinë e Shtetit, është dhe do të mbetet kriteri kyç, duke e matur punën e çdokujt me rezultatet në terren.