Nga rezultatet e OFL te ligji i ri i vettingut në Policinë e Shtetit, interpelanca e ministrit Çuçi në Kuvend - Ministria e Brendshme
Postuar më: 16/06/2022

Nga rezultatet e OFL te ligji i ri i vettingut në Policinë e Shtetit, interpelanca e ministrit Çuçi në Kuvend

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka folur sot në Kuvend për Operacionin Forca e Ligjit dhe Vettingun në Policinë e Shtetit pas kërkesës për interpelancë nga deputeti i opozitës, Ervin Salianji. Ai tregoi rezultatet e këtij operacioni si dhe njohu deputetët me konceptin e ri të vettingut në radhët e Policisë së Shtetit, duke u bazuar gjithashtu në rekomandimet ndërkombëtare. Çuçi shpjegoi se baza do të jetë reduktimi i numrit të subjekteve që i nënshtrohen vlerësimit kalimtar, duke u përqendruar tek nivelet menaxheriale dhe strukturat me risk të lartë korrpusioni, dhe ecurisë ne karrierë, me qëllim shmangien e pasigurisë juridike dhe mënjanimin e presionit të vazhdueshëm të punonjësit të organizatës për të rritur efektivitetin në mbarëvajtjen e punës. Më poshtë pjesë nga fjala e Ministrit të Brendshëm.

PER OFL

“Operacioni Forca e Ligjit është një moment historik i luftës inteligjente të Policisë së Shtetit kundër forcës së krimit, si një instrument i shpejtë dhe i thjeshtë, për të gjurmuar pasuritë e personave të dënuar apo nën hetim për krim të organizuar, për terrorizëm dhe për kryerjen e krimeve të rënda. Akti normativ që ne miratuam i dha një impuls të fuqishëm, në një kohe shumë të shkurtër (11 muaj), luftës kundër krimit të organizuar duke e goditur atë në pjesën që e fuqizon dhe që i dhemb më shumë: tek PASURIA.

Akti Normativ në ndryshim nga ligji Antimafia, kundrejt të cilit pati një rol jashtëzakonisht plotësues, zgjeroi gamën e veprave penale për të cilat Policia e Shtetit detyrohej të kryente hetime pasurore, përfshirë këtu vepra penale të rënda të cilat në vetvete nuk gjenerojnë pasuri (siç është për shembull vrasja për gjakmarrje apo vrasja e punonjësit të policisë). Ky faktor, mundësoi krehjen dhe filtrimin cilësor të gjithë kontingjentit kriminal që ka vepruar në Shqipëri këto 30 vitet e fundit, krehje e cila vijon sistematikisht përmes dispozitave të ligjit Antimafia. OFL-ja ishte një garanci më shumë për Policinë e Shtetit sepse subjekti i dyshuar thirrej dhe i kërkohej deklarimi i pasurisë brenda 48 orëve, për t’iu nënshtruar më tej hetimeve të hollësishme nga ana e Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Posaçme. Risi ishte edhe fakti që barra e provës i takonte vetë subjektit.

Plotësimi i fashikujve është bërë nëpërmjet verifikimeve nga më të ndryshmet për subjektet dhe lidhjet e tyre familjare e miqësore, një verifikim i shtrirë në të gjithë institucionet publike dhe subjektet private ku pasuritë e tyre kishin lënë gjurmë. Po kështu, specialistët e hetimit të OFL-së ose Drejtorisë Hetimore në Policinë e Shtetit, kanë akses eskluziv në platformën DEEPSEE, e cila i mundëson nxjerrjen e të dhënave nga 32 databaza të ndryshme.

Z. Salianji, konstatimi i bërë në kërkesën tuaj për interpelancë në lidhje me faktin se ky operacion u përdor për qëllime elektorale, është tërësisht i pambështetur dhe jashtë logjikës ligjore. Më lejoni të rikujtoj se vetë Akti Normativ i mbaroi efektet në dhjetor 2020. Pas kësaj periudhe, ligji mbaron efektet për Policinë e Shtetit, por puna vijon për Prokurorinë dhe Gjykatën e Posaçme deri në dhënien e vendimeve përfundimtare. Madje, për të lehtësuar veprimtarinë e gjykatës dhe prokurorisë kompetente, ne bëmë shtyrje të afatit të Aktit deri në zgjidhjen përfundimtare të rasteve të referuara nga Policia e Shtetit. Ju kujtoj gjithastu se diskutimi për Aktin Normativ ka filluar që në vitin 2019 kur ne ishim ende në mes të mandatit e jo në fund të tij. Thënë këto, konstatimi juaj në gjykimin tim është plotësisht i pabazuar.

Operacionit Forca e Ligjit, ishte një impuls i domosdoshëm për Policinë e Shtetit dhe SPAK-un, në një moment stanjacioni të krijuar nga procesi i reformës në drejtësi. Sot, nuk flasim më për një aksion apo operacion por për punë tashmë rutinë të Policisë së Shtetit. Nuk ka dhe nuk do të ketë “vakum dhe heshtje”, pasi struktura policore përkatëse (Drejtoria Hetimore- ish OFL), punon sistematikisht për gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive të krimit, sipas një plani të mirëfilltë dhe të detajuar i cili shqyrton subjektet në bazë të veprave penale për të cilat janë dënuar apo janë hetuar.

REZULTATET E OFL

Numri total i subjekteve të hetuar nga Operacioni Forca e Ligjit është 2199, nga të cilët:

• 1682 janë subjekte të evidentuar nga Drejtoritë Vendore të Policisë;
• 475 janë praktika të iniciuara nga vetë Struktura e Posaçme “OFL”;
• 42 janë subjekte të evidentuar nga Drejtoria e Antiterrorit.

Ajo që mund të them është se vetëm në kuadër të Aktit Normativ për OFL, gjatë periudhës 01 Shkurt 2020 – 31 Dhjetor 2020, Policia e Shtetit ka hetuar 2199 subjekte, nga të cilët 741 subjekte janë njoftuar për të bërë vetë-deklarimin e pasurisë (prej të cilëve 617 subjekte të aktit dhe 124 lidhje famijare/shoqërore të subjekteve) dhe pas përfundimit të vetedeklarimit, 239 praktika janë referuar në SPAK

Së pari, me Drejtoritë Vendore të Policisë në qarqe, të cilat i kanë të evidentuar këta shtetas nëpërmjet verifikimeve të vendndodhjes së tyre, të lidhjeve familjare, miqësore dhe shoqërore, të pronave që ata administrojnë, të pronave që ata i kanë të regjistruara në emër të personave të tjerë apo pronat që ata i kanë tjetërsuar, informacion, i cili është përpunuar, plotësuar dhe dërguar nga struktura e OFL-së në SPAK.

Së dyti, struktura e OFL-së ka marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, të gjitha listat e të dënuarve dhe të atyre që janë aktualisht duke vuajtur dënimin për veprat penale që janë objekt i atij akti.

Dhe së treti, OFL ka marrë edhe nga Departamenti i Bashkëpunimit Ndërkombëtar listën e të dënuarve jashtë shtetit për veprat penale objekt të këtij akti.
Kërkesa të kthyera nga SPAK për plotësim dokumentacion.

Nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar janë kthyer për plotësim materiali 54 kërkesa për sekuestro të referuara nga OFL, kërkesa të cilat janë plotësuar dhe ridërguar brenda afateve të përcaktuara.

VETTINGU NE POLICI

Vlerësimi kalimtar dhe periodik ose siç njihet ndryshe Vettingu në radhët e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore duhet në thelb të japë një kontribut real në gritjen e punës së këtyre strukturave në një tjetër nivel. Dhe po kështu të afirmojë ata punonjës profesionistë dhe me integritet të lartë brenda këtyre strukturave, duke iu garantuar një karrierë të drejtë dhe të bazuar në meritokraci. Përmes kësaj rruge ne krijojmë në vazhdimësi institucione të forta dhe të besueshme, që i rezistojnë kohës pavarësisht se kush është në krye të qeverisë.

E megjithatë, deri më tani nga ky proces është përfunduar vlerësimit kalimtar vetëm për 66 punonjës të Policisë së Shtetit. Nga këto vendime:

• 48 subjekte janë konfirmuar në detyrë (23 nga Policia e Shtetit, 24 nga SHÇBA (AMP), 1 nga Garda Republikës);
• 5 subjekte janë përjashtuar (4 nga SHÇBA (AMP), 1 nga Garda Republikës);
• 10 subjekte kanë dhënë dorëheqjen (4 nga Policia e Shtetit, 6 nga SHÇBA (AMP)) dhe është ndërprerë procesi i vlerësimit;
• 1 subjekt (Policia e Shtetit) ka dalë në pension;
• 2 subjekte (SHÇBA (AMP) është dhënë trajnim.

LIGJI I RI I VETTINGUT

Me marrjen e detyres së Ministrit të Brendshëm, një nga prioritetet e mia ishte analizimi i procesit të vettingut në Policinë e Shetit, në raport me rritjen e eficencës e duke u mbështetur mbi një proces diagnostikues, duke peshuar me kujdes problematikat e shfaqura gjatë zbatimit dhe implementimit të tij. Pavarësisht se Ministria e Brendshme nuk ka asnjë rol te drejtperdrejt madje, siç e dini, për këtë qëllim është ngritur një nenkomision parlamentar përgjegjës për të monituar procesin e vetingut, me iniciativën time kërkova ngritjen e një grupi pune me përfshirjen e të gjithë aktorëve dhe partnerëve ndërkombëtarë që asistojnë Ministrinë e Brendshme.

Incentivë tjetër për të ndërmarrë këtë proces analize, ishin edhe rekomandimet e GRECO në Këshillin e Evropës, të cilët në raundin e fundit të vlerësimit për integritetin në institucionet ligjzbatuese në Shqipëri, kërkuan rishikim të ligjit, me fokus kryesor kufizimin e subjekteve, duke u përqendruar tek nivelet menaxheriale, tek strukturat me risk të lartë korrupusioni, në rastet e ngritjes në detyrë, apo ecurisë në karrierë dhe gradë.

Baza do të jetë reduktimi i numrit të subjekteve që i nënshtrohen vlerësimit kalimtar, duke u përqendruar tek nivelet menaxheriale dhe strukturat me risk të lartë korrpusioni, dhe ecurisë ne karrierë, me qëllim shmangien e pasigurisë juridike dhe mënjanimin e presionit të vazhdueshëm të punonjësit të organizatës për të rritur efektivitetin në mbarëvajtjen e punës. Kjo është edhe në përputhje me rekomandimet e GRECO-s dhe s’ka dyshim që do të përshpejtojë procesin e vlerësimit duke e bërë me efektiv në drejtim të arritjes së qëllimit të tij dhe më efiçent në aspektin financiar dhe procedurial.

Vettingu do të jetë një proces i vazhdueshëm sa herë që një punonjës nga institucionet objekt i vetingut emërohet në kategorinë e funksioneve, të cilat i nënshtrohen procesit të vlerësimit (pra, jo një proces me afat duke diskriminuar vetëm ata që janë të emëruar në detyrë aktualisht). Kjo për shkak se këto struktura kanë një dinamizëm të shpeshtë lëvizjesh, emërimesh/ngritje në detyrë, ri-pranimesh dhe risku për veprimtari korruptive.

 

INTERPELANCË E PLOTË ME MINISTRIN E BRENDSHËM Z. BLEDAR ÇUÇI KËRKUAR NGA DEPUTETI E. SALIANJI:

E nderuar kryesuese e seancës,

Të nderuar kolegë,

Do doja së pari të shprehja disa konsiderata sa i takon interpelancës së sotme sepse mendoj se më shumë sesa e drejta e ligjshme e një anëtari të parlamentit për të kërkuar interpelancë e për të bërë pyetje konkrete qeverisë apo një ministri përkatës, dhe në këtë rast të kolegut të opozitës Ervin Salianji, besoj se është gjithashtu edhe një përpjekje plotësuese për të parë se çfarë mund të bëhet më mirë për të dy nismat ligjore, objekt të kësaj interpelance, e që janë diskutuar vazhdimisht nëpër komisionet parlamentare dhe kanë marrë vëmendjen e opinionit publik. Çdo debat tjetër që vjen nga opozita si përmbushje e rolit të saj thelbësor në jetën parlamentare e politike, është i shëndetshëm dhe më se i mirëpritur.

Është e vërtetë që, qoftë ligji që ne e quajmë në gjuhë të përditshme i OFL-së, apo ligji i Vettingut në Policinë e Shtetit, janë dy nisma atipike dhe unikale do të thoja. Dhe, si të tilla, asnjëherë, debati rreth tyre, nuk është shterues. Prandaj që në nisje të fjalës time dua të theksoj se e çmoj shumë mundësinë për të folur sërish për to, për të reflektuar pse jo, apo për të ballafaquar pikëpamjet tona në këtë pikë.

Është krejt normale që të ndahemi politikisht për mënyrën se si do të forcojmë më tej Policinë e Shtetit duke larguar prej saj individët që nuk e meritojnë atë uniformë apo si të godasim krimin e organizuar e do t’i heqim nga duart pasuritë për t’ia kthyer shoqërisë si formë shpagimi, por s’ka dyshim që në këtë betejë ne duhet të jemi bashkë. Politika e dasive dhe e sherrit si qëllim në vetvete pa ofruar asnjë alternativë tjetër, pa treguar një rrugë më të mirë se si mund të çohen punët përpara, i duhet lënë një kohe tjetër, sepse na çon asgjëkundi. E tani për t’u kthyer tek çështjet konkrete.

Çfarë është OFL-ja? Dy fjalë, shkurt.

Operacioni Forca e Ligjit mbetet një moment historik i luftës inteligjente të Policisë së Shtetit kundër forcës së krimit, si një instrument i shpejtë, eficient dhe i thjeshtë, për të gjurmuar pasuritë e personave të dënuar apo nën hetim për krim të organizuar, për terrorizëm dhe për kryerjen e krimeve të rënda.

Sikundër dihet, nisja e këtij operacioni bazohej në Aktin Normativ, nr. 1, datë 31.01.2020 qëllimi i të cilit ishte ndërhyrja emergjente dhe me karakter të përkohshëm në kushtet e nevojës së ashpërsimit të luftës kundër krimit të organizuar, organizatave dhe grupeve të strukturuara kriminale, si dhe çdo grupi tjetër kriminal e terrorist, bandave të armatosura, individëve të përfshirë në krimet e rënda, me synim konsolidimin e sigurisë në vend, përmes rritjes së kapacitetit dhe nivelit të zbulimit, gjurmimit dhe parandalimit të krimit të organizuar, terrorizmit dhe çdo lloj forme në të cilën ato shfaqen.

Ky Akt Normativ ishte një instrument ndihmës për Policinë e Shtetit, në përpjekjen e saj të vazhdueshme për të luftuar krimin e organizuar dhe pasuritë e vënë prej tij nga subjekte të ndryshme. OFL nisi si aksion, me qëllimin, vetëdijen dhe vizionin e plotë se do të shndërrohej në proces të vazhdueshëm, ashtu siç ndodhi.

Pavarësisht se zbatueshmëria e Aktit Normativ përfundoi më 21 dhjetor 2020 rezultatet e OFL po i shtrijnë dhe do t’i shtrijnë efektet e tyre edhe në të ardhmen e afërt. Çdo subjekt i evidentuar nga Policia e Shtetit në kuadër të OFL-së, po hetohet dhe do të përgjigjet për pasuritë e jashtëligjshme, falë instrumenteve të garantuara edhe nga ligji Antimafia. (10192/03.12.2009, i ndryshuar). Këto dy ligje nuk duhet të konsiderohen kurrsesi si të mbivendosur, përkundrazi ata janë komplementarë, plotësuese në qëllimin e tyre.

Ju siguroj se nuk ka dhe nuk do të ketë “vakum dhe heshtje”, pasi struktura përkatëse (Drejtoria Hetimore- ish OFL) në Policinë e Shtetit, punon sistematikisht dhe intensivisht për gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive të krimit, sipas një plani të mirëfilltë dhe të detajuar, i cili shqyrton subjektet në bazë të veprave penale për të cilat janë dënuar apo janë hetuar, duke i dhënë prioritet e në rend zbritës, veprave penale që kanë një marzh më të lartë dënimi.

Përse duhej kjo nismë? – Në kushtet e nevojës dhe të urgjencës së krijuar nga reforma në drejtësi, por edhe nga problemet funksionale të sistemit gjyqësor për shkak të procesit të rivlerësimit kalimtar të prokurorëve dhe gjykatësve, lindi nevoja për këtë akt. Byroja Kombëtare e Hetimit, edhe pse ishte krijuar, nuk kishte arritur të fillonte funksionimin e saj dhe në një kohë kur një sasi e konsiderueshme e mjeteve pasurore të cilat mendohet se buronin nga krimi, ishin sekuestruar në kuadër të një serie veprimesh të autoriteteve ligjzbatuese shqiptare, në bashkëpunim me ato të huaja.

Ky akt normativ i dha një shtysë më tepër, të fuqishme, në një kohe shumë të shkurtër (brenda 11 muaj), luftës kundër krimit të organizuar duke e goditur atë në pjesën që e fuqizon dhe që i dhemb më shumë: tek PASURIA.

Akti Normativ në ndryshim nga ligji Antimafia, kundrejt të cilit pati një rol jashtëzakonisht plotësues, e zgjeroi gamën e veprave penale për të cilat Policia e Shtetit detyrohej të kryente hetime pasurore, përfshirë këtu vepra penale të rënda të cilat në vetvete nuk gjenerojnë pasuri (siç është për shembull vrasja për gjakmarrje apo vrasja e punonjësit të policisë). Ky faktor, mundësoi krehjen dhe filtrimin cilësor të të gjithë kontingjentit kriminal që ka vepruar në Shqipëri këto 30 vitet e fundit, krehje e cila vazhdon sistematikisht përmes dispozitave të ligjit Antimafia.

OFL-ja ishte një garanci më shumë për Policinë e Shtetit, sepse subjekti i dyshuar, thirrej dhe i kërkohej deklarimi i pasurisë brenda 48 orëve, për t’iu nënshtruar më tej hetimeve të hollësishme nga ana e Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Posaçme. Risi ishte edhe fakti që barra e provës i takonte vetë subjektit.

Plotësimi i fashikujve është bërë nëpërmjet verifikimeve nga më të ndryshmet për subjektet dhe lidhjet e tyre familjare e miqësore, një verifikim i shtrirë në të gjithë institucionet publike dhe subjektet private ku pasuritë e tyre kishin lënë gjurmë.

Po kështu, specialistët e hetimit të OFL-së ose Drejtoria Hetimore në Policinë e Shtetit, kanë akses ekskluziv në platformën DEEPSEE, e cila i mundëson nxjerrjen e të dhënave nga 32 databaza të ndryshme.

I nderuar z. Salianji,

konstatimi i bërë në kërkesën tuaj për interpelancë në lidhje me faktin se ky operacion u përdor për qëllime elektorale, në mendimin dhe bindjen time, është i pambështetur dhe jashtë logjikës ligjore. Sepse ky ligj është përgatitur në vitin 2019, pra dy vjet përpara zgjedhjeve të përgjithshme. Dhe është miratuar në vitin 2020, 1 vit përpara, dhe ka pasur efekt vetëm 1 vit. Pra vetë Akti Normativ ka parashikuar mbarimin e shtrirjes së ligjit brenda afatit 1-vjeçar. Kështu që nuk mund të mendosh që ky ishte një instrument për t’u përdorur për qëllime elektorale. Kjo, për sa i takon vetë pozicionit ligjor që ka akti, por edhe po t’i referohemi të gjithë listës për të cilën ju keni kërkuar që t’jua vë në dispozicion dhe që unë nuk mund t’jua lexoj këtu për shkak të jo vetëm të etikës, por besoj edhe të ndalimit të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale në konsultime me Prokurorinë e Posaçme dhe të autoritetit të mbrojtjes së të dhënave personale, do t’i keni në dispozicion listën e plotë të subjekteve që kanë shkuar në Prokurorinë e Posaçme dhe në gjykatë më vonë dhe me të cilët është marrë vendimi.

Pra Operacioni Forca e Ligjit mbetet një impuls i domosdoshëm që ishte në dorën e Policisë së Shtetit dhe SPAK-ut, në një moment të caktuar, të krijuar nga procesi i reformës në drejtësi. Sot, nuk flasim më për një aksion apo operacion por për punë tashmë rutinë të Policisë së Shtetit. Nuk ka dhe nuk do të ketë “vakum dhe heshtje”, pasi struktura policore përkatëse (Drejtoria Hetimore- ish OFL), punon sistematikisht për gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive të krimit, sipas një plani të mirëfilltë dhe të detajuar i cili shqyrton subjektet në bazë të veprave penale për të cilat janë dënuar apo janë hetuar.

Tani, për t’i kthyer përgjigje më të drejtpërdrejtë pyetjeve tuaja, pra sa është numri total i subjekteve të hetuara nga Operacioni Forca e Ligjit?

Numri total i subjekteve për të cilët janë shtrirë hetimet që nga faza e Policisë së Shtetit, është 2199, nga të cilët:

  • referime kemi marrë 1682 subjekte, që janë evidentuar nga Drejtoritë Vendore të Policisë;
  • 475 janë të iniciuara nga vetë policia, pra nga vetë Struktura e Posaçme “OFL”;
  • 42 janë subjekte të evidentuara nga Drejtoria e Antiterrorit.

Ajo që mund të them është se vetëm në kuadër të Aktit Normativ për OFL, gjatë periudhës 01 shkurt 2020 – 31 dhjetor 2020, siç ju thashë, kemi hetuar 2199 subjekte, nga të cilët 741 subjekte janë njoftuar për të bërë vetë-deklarimin e pasurisë (prej të cilëve 617 që janë drejtpërdrejt subjekte të aktit dhe 124 janë lidhje familjare/shoqërore të subjekteve). Dhe pas përfundimit të vetëdeklarimit, sipas procesit që përcakton vetë ligji, janë 239 praktika që janë referuar në SPAK.

Numri total i subjekteve të OFL që ende nuk janë referuar në SPAK. Siç thashë, ligji i ka mbaruar efektet që në dhjetor të 2020, kështu që nuk mund të flasim më për numër që mund t’i referohet SPAK, sepse nuk ka më forcë akti normativ i miratuar për këtë qëllim. Siç ju thashë, për listën e subjekteve do ta keni pas konsultimit që do të bëjmë me Prokurorinë e Posaçme edhe me Autoritetin për mbrojtjen e të dhënave personale, por dua t’ju them që kemi përpiluar listën e subjekteve të sipërpërmendura, në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha agjencitë ligjzbatuese.

Së pari, me Drejtoritë Vendore të Policisë në qarqe, të cilat i kanë të evidentuar shtetas nëpërmjet verifikimeve të vendndodhjes së tyre, të lidhjeve familjare, miqësore, në emër të personave të tjerë apo pronave që ata i kanë tjetërsuar, informacion, i cili është përpunuar, plotësuar dhe dërguar nga struktura e OFL-së në SPAK.

Së dyti, struktura e OFL-së ka marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, të gjitha listat e të dënuarve dhe të atyre që janë aktualisht duke vuajtur dënimin për veprat penale që janë objekt i atij akti.

Së treti, OFL ka marrë edhe nga Departamenti i Bashkëpunimit Ndërkombëtar listën e të dënuarve jashtë shtetit për veprat penale objekt të këtij akti.

Sa kërkesa janë kthyer nga SPAK për plotësim dokumentacioni? – Nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar janë kthyer për plotësim materiali 54 kërkesa në proces për sekuestro të referuara nga OFL, kërkesa të cilat janë plotësuar dhe ridërguar brenda afateve të përcaktuara. Kjo, për sa i takon OFL-së.

Tani edhe diçka në lidhje me të ashtuquajturin procesin e Vetingut në polici.

Vlerësimi kalimtar dhe periodik ose siç njihet ndryshe, në gjuhën e përditshme që ne përdorim, Vettingu në radhët e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore duhet në thelb të japë dhe duhet të kishte dhënë një një kontribut real në ngritjen e punës dhe për pastrimin e strukturave në këtë nivel. Po kështu ai tenton të afirmojë ata punonjës profesionistë dhe me integritet të lartë, brenda vetë strukturave, duke iu garantuar një karrierë të drejtë dhe të bazuar në meritokraci. Përmes kësaj rruge ne krijojmë në vazhdimësi institucione të forta dhe të besueshme, që i rezistojnë kohës pavarësisht se kush mund të jetë ministri i radhës apo në krye të qeverisë.

Megjithatë, për t’iu përgjigjur menjëherë pyetjes suaj, deri tani nga ky proces është përfunduar, pra sipas ligjit që është në fuqi vlerësimi kalimtar vetëm për 66 punonjës të Policisë së Shtetit. Dhe nga këto vendime të vlerësimit:

  • 48 subjekte janë konfirmuar në detyrë (23 nga Policia e Shtetit, 24 nga SHÇBA (AMP), 1 nga Garda Republikës);
  • 5 subjekte janë përjashtuar (4 nga SHÇBA (AMP), 1 nga Garda Republikës);
  • 10 subjekte kanë dhënë dorëheqjen (4 nga Policia e Shtetit, 6 nga SHÇBA (AMP));
  • 1 subjekt (Policia e Shtetit) ka dalë në pension;
  • 2 subjekte (ish-SHÇBA (AMP) kanë marrë trajnimet përkatëse, sipas përcaktimeve ligjore që ka vetë procesi i vetingut.

Në lidhje me procesin e Vetingut, me lejoni t’ju sqaroj se me marrjen e detyrës si Ministër i Brendshëm, e kam pasur prioritet që të analizoja pikërisht se si po shkonte procesi i vetingut në Policinë e Shtetit dhe kjo për të parë se sa eficent ishte ky proces dhe sa ishte i mbështetur mbi një proces diagnostikues, duke peshuar me kujdes problematikat e shfaqura gjatë zbatimit dhe implementimit të tij. Pavarësisht se Ministria e Brendshme nuk ka një rol të drejtpërdrejtë në këtë gjë, sepse siç e dini, në bazë të ligjit është ngritur një strukturë e cila nuk varet fare nga Ministria dhe ka një llogaridhënie te komisioni përkatës në parlamentin e Shqipërisë.

Duke lexuar me vëmendje dhe kritikat rreth këtij procesi të bërë kryesisht nga GRECO, që është një organizëm në Këshillin e Evropës, që në njëfarë mënyre filtron kompetencën e këtyre rregullave që lidhen me këto procese, një vit para se unë të bëhesha ministër, GRECO kishte evidentuar, se duhet të kërkohet rishikim ligji dhe dua të citoj GRECO-n, siç e thotë: “rishikim ligji me fokus kryesor, kufizimin e subjekteve, duke e përqendruar tek nivelet menaxheriale, tek strukturat me risk të lartë korrupsioni, në rastet e ngritjes në detyrë, apo ecurisë në karrierë dhe në gradë.” Dhe për këtë qëllim, si ministër i Brendshëm, kam ardhur dhe i kam kërkuar parlamentit ta pezullojmë procesin e vetingut, të bëjmë këtë diagnostikim dhe të dalim me një legjislacion të ri, sipas rekomandimeve të GRECO, por edhe të partnerëve, edhe të agjencive të cilat asistojnë Policinë e Shtetit në punën e përditshme, që kanë shprehur rezerva, të cilat fokusohen të gjitha në këtë drejtim, pra që lidhen me gamën e shtrirjes së vetingut në polici, duke u përqendruar te pozicionet me risk të lartë, te strukturat manaxheriale, edhe te ata që duan të ngrihen në detyrë, apo të ecin në karrierë dhe në gradë.

Për këtë qëllim, pas pezullimit, kemi ngritur një grup pune i cili ka përfunduar tashmë draftin përkatës, duke e parë ligjin në këtë optikë, në optikën e vërejtjeve të GRECO-s dhe shumë shpejt do të vijë në parlament një ndryshim i ligjit përkatës, duke e reduktuar në masë të madhe numrin e subjekteve që do të vetohen, sipas ligjit të vetingut dhe duke u përqendruar pikërisht te ato kategori që rekomandon edhe GRECO.

Në bazë të legjislacionit të ri që kemi hartuar dhe që shumë shpejt do të vijë ta diskutojmë këtu bashkë, vettingu do të jetë një proces i vazhdueshëm sa herë që një punonjës nga institucionet objekt i vetingut emërohet në kategorinë e funksioneve, të cilat do t’i përcaktojmë si të tilla.

Në lidhje me përgjigjen e pyetjes, jua thashë numrin besoj, ishte i qartë numri i personave të vetuar, dhe po jua them edhe njëherë, për ta pasur pra, për t’iu përgjigjur drejtpërdrejt pyetjeve tuaja, sa është numri, pra deri tani janë 66, ku ishin përzgjedhur 152 subjekte, janë vetuar 66, 48 janë konfirmuar në detyrë.

Sa punonjës të Policisë së Shtetit pritet të kalojnë në veting dhe deri në cilën periudhë? – Siç ju thashë, e kemi pezulluar vetingun dhe po hartojmë legjislacionin e ri dhe pritet që të jenë rreth 300 pozicione që do t’i nënshtrohen vetimit të përhershëm, periodik në bazë të legjislacionit të ri që po bëjmë. Faleminderit.