Ministria e Punëve të Brendshme

VIDEO – Nga nismat e reja ligjore për Prefektin, Policinë Bashkiake dhe IKMT-në, te përdorimi i aseteve kriminale për mbështetjen e të rinjve e familjeve të punonjësve të Policisë të rënë në detyrë. Forcimi i masave për një kontroll më të mirë të territorit, si dhe lajmi i mirë për një tjetër rritje pagash për forcat speciale e operacionale të Policisë – Konferenca për media

Konferenca për media, ministrja Koçiu: Asetet e konfiskuara nga krimi, në shërbim të qytetarëve dhe familjeve të efektivëve të rënë në detyrë

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu në konferencën e sotme për media, e cila do të jetë periodike, njoftoi nismën për përdorimin e aseteve kriminale të sekuestruara dhe të konfiskuara në funksion të drejtpërdrejtë të shoqërisë. Ajo bëri me dije se gjatë vitit të kaluar, si rezultat i punës së përbashkët të Policisë së Shtetit, Prokurorisë së Përgjithshme, Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Byrosë Kombëtare të Hetimit, janë sekuestruar apo konfiskuar asete me vlerë mbi 65 milionë euro, shifra më e lartë e arritur ndonjëherë brenda një viti. Sipas saj, ky rezultat nuk është rastësi, por fryt i forcimit të kapaciteteve hetimore, reale dhe virtuale, si dhe i rritjes së bashkëpunimit ndërkombëtar që ka përmirësuar ndjeshëm gjurmueshmërinë e pasurive kriminale.

Ministrja theksoi se për vite me radhë, pavarësisht ekzistencës së legjislacionit, ka munguar një mekanizëm i qartë për administrimin dhe shfrytëzimin e këtyre pasurive. “Sot kemi ngritur një kornizë të plotë ligjore dhe një mekanizëm funksional që mundëson mobilizimin e aseteve të konfiskuara në funksion të programeve sociale, viktimave të krimit dhe komuniteteve në nevojë”, u shpreh Koçiu.

Vetëm gjatë vitit 2025 janë sekuestruar 726 pasuri, me një vlerë totale mbi 6 miliardë lekë. Prej tyre, 64 pasuri janë konfiskuar dhe kanë kontribuar në mbështetjen e 15 projekteve me impakt social dhe shërbime direkte për komunitetin, si dhe janë vënë në dispozicion të 20 institucioneve publike për realizimin e programeve të tyre. Gjithashtu, është krijuar baza ligjore për transferimin e pronave të konfiskuara në pushtetin vendor për strehimin e personave në nevojë, si dhe për ngritjen e qendrave sociale apo rezidenciale për viktimat e dhunës, krimit dhe trafikimit.

Ministrja njoftoi gjithashtu hapjen e një thirrjeje publike për organizatat e shoqërisë civile dhe OJF-të, me qëllim përfitimin e aseteve të konfiskuara për projekte konkrete në shërbim të qytetarëve. Në vijim, Ministria e Punëve të Brendshme po punon për të zgjeruar këtë mekanizëm, duke synuar financimin e projekteve për të rinjtë, veçanërisht për ata që janë dëmtuar apo shfrytëzuar nga krimi, me fokus fuqizimin, rehabilitimin dhe largimin e tyre nga rrugët e paligjshmërisë.

Koçiu bëri të ditur një nismë të re ligjore që po përgatitet nga Ministria e Punëve të Brendshme për të mundësuar që asetet kriminale të shkojnë edhe në mbështetje të familjeve të efektivëve të Policisë së Shtetit të rënë në krye të detyrës.

“Efektivi i rënë nuk mund të kthehet pas, por familjet e tyre meritojnë solidaritetin, mirënjohjen dhe mbështetjen e plotë të shoqërisë. Këto të mira, që sot financohen vetëm nga taksapaguesit, duhet dhe mund të financohen edhe nga pasuria kriminale,” theksoi Ministrja.

Operacioni për kthimin e ligjshmërisë në territor, Koçiu: Ndërtesat pa leje, për përdorim social apo strehim

Në konferencën për shtyp, Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu bëri të ditur se operacioni për kthimin e ligjshmërisë në territor tashmë ka marrë karakter të përhershëm, duke e kthyer territorin në një hapësirë gjithnjë e më shumë në shërbim të qytetarit. Sipas saj, janë shtuar inspektimet dhe janë përsosur metodat e monitorimit për të rritur fuqinë parandaluese të shtetit, ndërsa prishja e ndërtimeve pa leje mbetet masa e fundit, për shkak të kostove, që sjell si për shtetin, ashtu edhe për qytetarët.

Ministrja theksoi se territori nuk lidhet vetëm me prishjen e ndërtimeve të paligjshme, por me mbrojtjen e investimit dhe djersës së qytetarit: nga cilësia e ndërtimit dhe respektimi i kubaturës, te hapësirat e përbashkëta të premtuara, mosdevijimi nga plani i miratuar dhe garantimi i procesit të hipotekimit. Si rezultat i fuqizimit të kontrolleve, në rang vendi janë evidentuar 252 subjekte që kanë shkelur specifikimet e lejeve të ndërtimit; janë prishur 447 ndërtime apo shtesa të paligjshme dhe janë vendosur gjoba me një vlerë të përafërt prej 12 milionë eurosh.

Një tjetër risi, sipas Koçiut, është rishikimi i kornizës ligjore, duke shtuar një mekanizëm të fortë ndëshkues dhe njëkohësisht social ndaj shkelësve të ligjit. “Përpos gjobës dhe ndjekjes penale, me rishikimin e kornizës ligjore dhe mundësinë e konfiskimit të shtesave apo ndërtesave pa leje për përdorim social apo strehim, ndërtuesit ilegalë kanë një arsye më shumë të mendohen dy herë”, nënvizoi Ministrja.

Duke folur për bashkëpunimin shtet–qytetar, ministrja nënvizoi se rikthimi i ligjshmërisë në territor nuk është më një aksion i përkohshëm, por një angazhim i përhershëm. Ajo vlerësoi rolin e qytetarëve përmes dritares së re të raportimit “Hapësira ime Publike” në platformën e-Albania. Që prej hapjes së portalit janë regjistruar mbi 18 mijë raste të denoncuara, prej të cilave 14 mijë janë zgjidhur dhe mbi 4 mijë janë në proces shqyrtimi. Ajo theksoi se partneriteti me qytetarin do të jetë thelbësor për suksesin e operacionit, pasi askush nuk mund ta mbrojë territorin më mirë sesa vetë komuniteti që jeton dhe investon në të.

Paketa e re ligjore e MPB: Unifikim i IKMT, reformë në Policinë Bashkiake, fuqizim i Prefekturave dhe modernizim i shërbimeve publike

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu prezantoi paketën e fundit të nismave ligjore, që synojnë forcimin e ligjshmërisë në territor, rritjen e standardeve të sigurisë dhe modernizimin e shërbimeve në funksion të qytetarëve.

“Është ndërmarrë një hap i rëndësishëm për centralizimin dhe unifikimin e strukturave të Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe IMT-ve vendore, duke krijuar një strukturë të unifikuar me kontroll dhe mbikëqyrje të njëhsuar në të gjithë territorin”, sqaroi ministrja e Brendshme. Sipas saj, kjo do të vendosë standarde të barabarta dhe do ta bëjë përfundimtar operacionin për rikthimin e ligjshmërisë.

Një tjetër hallkë e paketës ligjore është reformimi i Policisë Bashkiake. Ministrja bëri të ditur se synimi është krijimi i një Polici Bashkiake profesionale, me standarde të njëjta në të gjithë vendin, që funksionon si forcë mbështetëse për Policia e Shtetit sa herë që është e nevojshme. Drafti i ri parashikon një hierarki dhe një bërthamë qendrore, e cila garanton rekrutim transparent, trajnim të vazhdueshëm dhe standardizim të plotë, duke ruajtur varësinë nga bashkitë.

Ndërkohë, Koçiu nënvizoi gjithashtu rolin kyç të prefektëve, veçanërisht gjatë përmbytjeve të muajit janar, ku ata shërbyen si hallkë ndërmjetëse mes pushtetit qendror dhe atij vendor në koordinimin e evakuimeve, kërkim-shpëtimit dhe regjistrimit të dëmeve. Ndryshimet ligjore parashikojnë zgjerim kompetencash dhe shtimin e dy prefektëve detarë, për të rritur sigurinë në zonat bregdetare, për të parandaluar uzurpimin e hapësirave publike, për të përmirësuar menaxhimin e mbetjeve, reduktuar ndotjen akustike dhe menaxhuar flukset turistike.

Një tjetër prioritet është përfundimi i Regjistrit Kombëtar të Adresave, i cili do t’i japë fund informalitetit në identifikimin e vendbanimeve dhe bizneseve. Ministrja bëri me dije se ka nisur një proces i plotë rishikimi dhe përmirësimi të sistemit, në koordinim të ngushtë me bashkitë, për të adresuar pasaktësitë ekzistuese, kufijtë hartografikë dhe standardizimin e sinjalistikës. Krijimi i Regjistrit Unik të Adresave do të përmirësojë ofrimin e shërbimeve, sigurinë, zhvillimin e sipërmarrjes dhe turizmin.

Në fokus të punës së MPB-së, mbetet reforma në Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit. Në 10 vitet e fundit numri i efektivëve është dyfishuar, nga 740 në rreth 1.400, si dhe janë rritur dhe modernizuar kapacitetet logjistike. Megjithatë, mbeten sfida që lidhen me shpërndarjen e burimeve, standardet e ndryshme dhe procedurat e paunifikuara. Parashikohet krijimi i një Akademie për formimin dhe zhvillimin profesional të personelit të MZSH-së, me fokus në standardizimin e trajnimeve, rritjen e profesionalizmit dhe certifikimin e unifikuar.

Rritje page për 720 efektivë të strukturave speciale, Koçiu: Mbështetje konkrete, për ata në vijën e parë kundër krimit

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu njoftoi një rritje tjetër page për rreth 720 efektivë të strukturave speciale, që ndodhen në vijën e parë të përballjes me krimin e organizuar dhe individët me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Rritja prek tre strukturat e posaçme të Policia e Shtetit: RENEA, Forcat Kombëtare të Sigurisë (ish-FNSH) dhe Forcën e Posaçme Operacionale.

Konkretisht, për forcat speciale RENEA paga rritet me 250 mijë lekë (rreth 250 euro), ose 20% më shumë. Për Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe efektivët e Forcës së Posaçme Operacionale, paga rritet me 140 mijë lekë, ose rreth 14%.

Pas kësaj rritjeje, paga e një inspektori në RENEA shkon në pothuajse 1.600 euro, ndërsa për një drejtues arrin në rreth 2.300 euro. Në Forcën Operacionale, paga për gradën inspektor shkon rreth 1.200 euro, ndërsa për gradën kryekomisar varion nga 1.600 deri në 1.700 euro. Efekti financiar i kësaj rritjeje është parashikuar në buxhetin e shtetit për këtë vit.

Ministrja Koçiu theksoi se kjo është një shprehje konkrete e mirënjohjes ndaj atyre që rrezikojnë jetën çdo ditë, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike. Ajo rikujtoi gjithashtu se në fillim të vitit, i gjithë aparati i Policisë së Shtetit dhe Garda e Republikës përfituan një rritje të ndjeshme page, duke nënvizuar se mbështetja ndaj forcave të rendit nuk është çështje fjalësh, por angazhim i vazhdueshëm me masa konkrete.

Protesta e opozitës, apeli i Koçiut: Protestoni, por mos shkatërroni!

Në komunikimin me mediat, Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu reagoi gjithashtu për protestën e tretë të paralajmëruar për t’u zhvilluar pasditen e sotme në Tiranë, nga Partia Demokratike. Ajo deklaroi se e drejta për të protestuar është një e drejtë kushtetuese dhe thelbësore në çdo vend demokratik, por paralajmëroi se kjo e drejtë nuk mund të shndërrohet në justifikim për dhunë, shkatërrim të institucioneve apo sulme ndaj forcave të rendit.

“Ata që zgjedhin të protestojnë, duhet ta bëjnë këtë në mënyrë paqësore. E drejta për të protestuar nuk është licencë për të goditur punonjësit e Policia e Shtetit, për të rrezikuar jetën e tyre apo për të dëmtuar pronën publike,” u shpreh ministrja.

Ajo dënoi çdo përpjekje për përfshirjen e të miturve në akte të dhunshme dhe paralajmëroi se çdo individ që përfshihet në veprime të paligjshme do të përballet me pasojat ligjore, përfshirë edhe personat përgjegjës për kujdestarinë e fëmijëve të përfshirë. Ministrja bëri thirrje për përgjegjësi qytetare dhe shmangie të provokimeve, duke nënvizuar se askush nuk mund të premtojë imunitet nga ndjekja penale për ata që shkelin ligjin.

“Një shqetësim është përdorimi i të miturve, të shmangim sa më shumë këtë fenomen. Organizatorët duhet të distancohen nga përdorimi i të miturve për akte të turpshme, të dënueshme, akte dhune gjatë protestës. Është një nga gjërat më të poshtra, shfrytëzimi i miturve në protesta për akte dhune”, tha Koçiu.

Deklarata e plotë – Shkarko