Ministri Çuçi flet për rastin e Kavajës: Nuk ka asnjë aludim për ngjarjen, hetimit i kemi shkuar deri në fund, 3 policë të arrestuar për neglizhencë - Ministria e Brendshme
Postuar më: 09/05/2022

Ministri Çuçi flet për rastin e Kavajës: Nuk ka asnjë aludim për ngjarjen, hetimit i kemi shkuar deri në fund, 3 policë të arrestuar për neglizhencë

“Gjithçka është e filmuar”, Çuçi flet për rastin e Ilvi Metës në Kavajë: Nuk ka asnjë aludim për ngjarjen, hetimit i kemi shkuar deri në fund, 3 policë të arrestuar për neglizhencë

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka folur sot në Kuvend për ngjarjen e ndodhur në Komisariatin e Kavajës, ku sipas hetimeve të deritanishme ka rezultuar se 31-vjeçari Ilvi Meta u vetëvar në dhomat ku qëndronte i arrestuar nga policia. Në nisje të fjalës së tij, Çuci shprehu ngushëllime për familjen Meta dhe më pas kërkoi të mos bëhej politikë me këtë ngjarje dhe as të abuzohej me viktimat duke iu referuar akuzave të deputetes Grida Duma.

“Rasti në fjalë është ndër më të pastërtit përsa i takon hetimit penal e procedurial në lidhje me ngjarjen. Bashkë me Agjencinë për Mbikëqyrjen Policore i kemi shkuar deri në fund hetimeve për të nxjerrë përgjegjësitë që ka pasur trupa e Policisë së Shtetit në Komisariatin e  Kavajës deri në neglizhenca që ato kanë bërë që kanë sjellë më pas atë ngjarje fatale. Nuk ka asnjë aludim apo rrethanë periferike që të hedhë dyshime për ngjarjen, as nga prokurori, as nga hetuesit dhe as nga mjekët ligjorë. Ftoj gjithë deputetët që pasi të mbarojnë hetimet dhe gjykata të shprehet, të bëni hetim parlamentar për ngjarjen nëse nuk bindeni që ajo s’ka të bëjë fare me asnjë nga aludimet që ju bëni”, tha Çuçi.

Më tej Ministri i Brendshëm theksoi se cdo sekuencë që nga momenti kur i ndjeri është shoqëruar në oborrin e komisariatit është e filmuar.

“Faktet janë të plota, janë dy mjekë-ligjorë që kanë bërë ekspertizën. Hetimi i Agjenicsë së Mbikëqyrjes Policore ka çuar në arrestimin e tre punonjësve të policisë për neglizhencë në kryerjen e detyrës”, tha ministri Çuçi.

 

Fjala e plotë e Ministrit të Brendshëm Çuçi në seancë plenare:

Akuzat që u ngritën këtu nga deputetja, në lidhje me ngjarjen fatkeqe të humbjes së jetës së një shtetasi në komisariatin e Kavajës, janë vijim i një retorike që për fat të keq e shoh dhe e dëgjoj dhe nga përfaqësues të rinj të kësaj salle, të këtij parlamenti, por që është një avaz i vjetër. Dhe mendoj që të gjithë bashkë duhet të bëjmë përpjekje për të hequr dorë nga ky avaz. Nuk bëhet politikë dhe nuk abuzohet me viktimat, dhe aq më tepër të bëjmë këtu: prokurorin, gjyqtarin, hetuesin, policin. As unë s’e marr dot përsipër që jam ministër i Brendshëm.

Për rastin në fjalë, dhe këtu gjej mundësinë dhe rastin të shpreh ngushëllimin tim për atë ngjarje fatkeqe për familjen Meta. Rasti në fjalë është një nga rastet më të pastërt, sa i takon hetimit penal, procedural, në lidhje me ngjarjen. Dhe jo vetëm kaq por i kemi shkuar deri në fund së bashku me Agjencinë përkatëse për Mbikëqyrjen Policore, për të nxjerë përgjegjësitë që ka pasur trupa e Policisë së Shtetit në komisariatin e Kavajës, deri në neglizhenca që ato kanë bërë që kanë sjellë pastaj atë ngjarje fatale.

Nuk ka asnjë aludim apo rrethanë periferike që të hedhë dyshime për ngjarjen. As nga prokurori, as nga hetuesët, as nga mjekët ligjorë. Madje, meqë përmende edhe Avokatin e Popullit, për rastësi, kanë qenë edhe dy përfaqësues të AP, sepse kanë qenë në inspektimin e dhomave të ndalimit në komisariatin e Kavajës. Ju ftoj të lexoni edhe raportin e AP në lidhje me këtë gjë, ku thuhet që ato dhoma janë plotësisht në përputhje me standardet ligjore.

Kështu që, e nderuar deputete, sinqerisht unë bëj thirrje që jo vetëm juve, por të gjithë bashkë të përpiqemi, pasi nuk është e lehtë të largohemi nga kjo mënyrë e të bërit politikë, nga ky diskurs politik, nga kjo retorikë politike, nga mënyra se si jemi mësuar 30 vjet për të bërë politikë, sepse nuk i shërben Shqipërisë një gjë e tillë.

Unë i ftoj, të gjithë deputetët që, pasi të mbarojnë hetimet dhe mbasi gjykata të shprehet, të bëjnë edhe hetim parlamentar, nëse nuk binden që ajo ngjarje nuk ka të bëjë fare me asnjë nga aludimet që ju bëni për këtë gjë. Mua më vjen sinqerisht shumë keq që ju aludoni për gjëra që nuk qendrojnë dhe në fakt akuzoni shumë rëndë pjesë, struktura të policisë së Kavajës, sikur ata janë kriminelë dhe sikur ata vrasin.

Kështu që ta lëmë pas këtë retorikë të vjetër dhe ju ftoj që madje ju si përfaqësuese relativisht e re e këtij parlamenti dhe kësaj force politike, duhet të jeni tërësisht në pararojë të shkëputjes nga kjo retorikë.

Faktet janë të plota, është ekspertiza mjeko-ligjore, janë dy mjekë ligjorë që kanë bërë ekspertizën, është i gjithë hetimi i bërë nga AMP që ka çuar përpara përgjegjësisë 3 punonjës policie për neglizhencë. Për një neglizhencë fatkeqe për të ndjerin Meta.

Dosja është e plotë, prokurori e ka në dorë, është tërësisht e zbardhur. Janë të filmuara, çdo sekuencë, që nga momenti që i ndjeri ndalohet nga policia. Eshtë ndaluar për shkak të vendimit të gjykatës për këtë çështje, është një vendim i gjykatës për masë sigurie, është një urdhër i prokurorit për ekzekutimin e vendimit të gjykatës, është një procesverbal i ndalimit dhe i shoqërimit të të ndjerit dhe janë të filmuara, që nga sekondi kur ka qenë në oborrin e Komisariatit e deri sa ai është larguar drejt morgut.

Këto janë të filmuara. Ju ftoj, thashë, të shihni, të gjitha të filmuara, janë me kamera dhe i keni te raporti i AP. Faleminderit.