Megaoperacioni antidrogë “DOBRA”/Kryer nga Policia Shqiptare, në bashkëpunim me Policinë Spanjolle, Gjermane, me mbështetjen e EUROPOL - Ministria e Brendshme
Postuar më: 01/09/2021

Megaoperacioni antidrogë “DOBRA”/Kryer nga Policia Shqiptare, në bashkëpunim me Policinë Spanjolle, Gjermane, me mbështetjen e EUROPOL

Spanjë – Megaoperacioni i përbashkët i koduar “DOBRA”, në kuadër të të cilit u godit një grup kriminal në fushën e krimit të organizuar dhe u arrestuan 107 persona të dyshuar të përfshirë në krimin e organizuar në fushën e drogës.

Policia Shqiptare, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë Spanjolle dhe atë Gjermane, me mbështetjen e EUROPOL, përmbyllën një mega-operacion në Spanjë, kundër krimit të organizuar në fushën e narkotikëve, me origjinë shqiptare. Organizata e goditur është transnacionale, e përfshirë në trafikimin dhe kultivimin e gjerë të marijuanës.

Gjatë këtij megaoperacioni u kryen kontrolle në 51 ambiente, nga të cilat 23 plantacione/shtëpi bari, u asgjësuan rreth 25.000 bimë narkotike kanabis, u sekuestruan 938 kg boçe kanabisi, një detonator, dy armë zjarri, tri mjete luksoze, një bllokues valësh, 68.760 euro etj.

Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ardi Veliu, në konferencën për shtyp në Madrid:

“Siç e përmendën kolegët parafolës, për gati një vit pune të gjatë investiguese dhe hetimore tashmë është bërë e mundur finalizimi i këtij operacioni të madh ndërkombëtar dhe Policia shqiptare si pjesë përbërëse dhe kontribuuese direkte në finalizimin e këtij operacioni, ka qenë e përfshirë që në momentet e para duke ndihmuar dhe kontribuar me shkëmbimin e informacionit për të gjithë shtetasit shqiptarë të përfshirë dhe të identifikuar duke iu mundësuar kolegëve spanjollë, vazhdimin e mëtejshëm dhe thellimin e hetimeve, ashtu edhe në veprimet konkrete ditët e vazhdimit dhe finalizimit të operacionit me oficerë të Policisë nga Shqipëria.

Kjo vërteton edhe njëherë që Policia shqiptare tashmë është e pjekur jo vetëm profesionalisht, por është dhe një partner i besueshëm për të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit, duke bërë të mundur goditjen e krimit të organizuar në të gjitha vendet dhe aty ku ka përfshirje të shtetasve shqiptarë.

Ne nuk do të mjaftohemi vetëm me ndalimin e operacionit n në këtë start por do të vazhdojmë në vendin tonë duke identifikuar dhe investiguar të gjitha pronat të cilat mund të kenë ardhur si rezultat i aktivitetit kriminal për të gjithë shtetasit e përfshirë, sepse duke e goditur në pjesën ekonomike japim një goditje shumë të fortë këtij grupi kriminal, duke e paralizuar atë.

Pavarësisht se ky është operacioni i parë i përbashkët që ne zhvillojmë me kolegët spanjollë, unë besoj dhe shpresoj që do të vazhdojmë edhe në të ardhmen me zhvillimin e operacioneve të përbashkëta. Suksese!”