Mbështetja e BE për pushtetin vendor/ Mahila: Qeverisja vendore, rol kyç për integrimin e Shqipërisë - Ministria e Brendshme
Postuar më: 14/10/2021

Mbështetja e BE për pushtetin vendor/ Mahila: Qeverisja vendore, rol kyç për integrimin e Shqipërisë

Gjirokastër – Zv.ministri Mahila së bashku me Ambasadorin e BE Soreca, Kryenegociatorin Mazi, kryetarë të bashkive në jug dhe drejtues lokalë.

Sjellja e qeverisjes vendore & qytetarëve të shqiptarë më pranë BE-së është thelbi i ndihmës që BE-ja i jep Shqipërisë.

Shkëmbim shumë i frytshëm mbi rolin e qeverisjes vendore në procesin e integrimit në BE.

 

Fjala e plotë e zv.ministrit të Brendshëm Andi Mahila:

Shkëlqesia Juaj z. Ambasador Soreca,

I nderuar z. Kryenegociator i Shqipërisë, z. Zef Mazi,

Të nderuar Kryetarë të Bashkive,

Të dashur pjesëmarrës,

Ministria e Brendshme, institucioni i qeverisjes qendrore me përgjegjësi shtetërore për bashkërendimin me njësitë e qeverisjes vendore dhe shoqatat e të zgjedhurve vendor, përveçse e ka pasur prioritet deri më tani këtë proces, është e angazhuar plotësisht për të thelluar dhe çuar më përpara në të gjitha dimensionet plotësimin e standardeve të kërkuara. Në përfaqësim të Ministrisë së Brendshme vërtetë është kënaqësi të jem pjesë e këtij aktiviteti të rëndësishëm kryesisht për Bashkitë e Shqipërisë në rrugën e Integrimit Europian dhe këtu një falënderim i veçantë është i nevojshëm të bëhet për Delegacionin e BE-së në Shqipëri.

I nderuar Ambasador Soreca,

lutem pranoni falënderimet dhe vlerësimet e veçanta të Ministrisë së Brendshme, personalisht të Ministrit të Brendshëm z. Çuçi, për intensitetin e angazhimit tuaj personal, ndjeshmërinë dhe mirëkuptimin e të veçantave tona. Megjithëse Integrimi Europian është parë në përgjithësi si një proces që i përket qeverisjes qendrore, sa më shumë thellohemi në këtë proces, aq më qartë kuptojmë se integrimi real ka të bëjë me standarde, të cilat më së pari duhet të zbatohen në nivel vendor.

Kapitujt e përafrimit të legjislacionit me atë të BE-së,  përkojnë në një pjesë të madhe të tyre me përmbushje të standardeve dhe kritereve të cilat janë ekskluzivisht përgjegjësi e bashkive. Kësisoj, në kushtet kur afër 70% e legjislacionit evropian do të duhet të zbatohet në nivel vendor, pushteti vendor është kyç në suksesin e rrugëtimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Nisur nga ky fakt, qeverisja vendore, merr një rol edhe më të rëndësishëm.

Por, patjetër të dy pushtetet duhet të koordinojnë e bashkërendojnë përpjekjet e tyre drejt rrugëtimit të Bashkimit Europian. Prandaj, dialogu efektiv dhe i rregullt, konsultimi dhe mbështetja në nivel politikash dhe përpjekje të qëndrueshme të dy pushteteve, qendror dhe vendor, është kryefjala e procesit të integrimit në BE.

Patjetër që ky proces nuk duhet konsideruar thjesht një proces për t’u kaluar. Vlerësojmë se, është e rëndësishme për të kuptuar dhe për të mësuar të punuarit në “mënyrën vendore/lokale”, afër qytetarëve, nevojave të tyre dhe ofrimit të shërbimeve sipas kërkesave të tyre.

Vlen për t`u evidentuar progresi i deritanishëm i të gjithë bashkive të Shqipërisë ndaj kërkesave të integrimit në fushat dhe funksionet që mbulon qeverisja vendore. Por, duhet të jemi të vetëdijshëm edhe për sfidat e që na presin.

Kësisoj, ky rrugëtim kërkon angazhim të strukturave të bashkive për të bashkërenduar me qeverisjen qendrore drejt axhendës së përbashkët të integrimit evropian, dhe mbi të gjitha ndërgjegjësimin e tyre për angazhimet që vetë bashkitë kanë.

Në mënyrë më të detajuar nga bashkitë kërkohet:

Së pari, prioritizim të këtij procesi, duke shfrytëzuar potencialin e Njësive të Integrimit Europian, struktura tashmë të ngritura në bashkitë, të cila ofrojnë arkitekturën institucionale të integrimit evropian.

Në këtë drejtim, kërkohet angazhim edhe më i madh për:

  1. a) mirëfunksionimin e tyre,
  2. b) stabilitetin e stafit,
  3. c) qasje proaktive e bashkisë në përthithjen e fondeve që tashme do të financohen nga ndihma direkte e BE-së, por edhe të programeve të tjera si ato ndërkufitare apo transnacionale.

Është e vërtetë, ka shumë njësi të integrimit Evropian në bashki të ndryshme të cilat po bëjnë një punë të lavdërueshme. Por, ka edhe një pjesë tjetër, e këtyre njësive që janë pothuajse in-aktive. Ashtu sikurse ka shumë kryetarë bashkie që e kanë kuptuar rolin që këto njësi kanë, dhe, po japin mbështetjen e tyre që këto struktura të fuqizohen dhe të luajnë një rol pro-aktiv. Nga ana tjetër ka nga ata kryetarë bashkie që i kanë ngritur këto njësi për hir të “detyrimit që duhet të përmbushin” për zbatimin e vendimit të qeverisë nr.450, datë 26.07.2018 “Për ngritjen e strukturave të integrimit evropian në bashki” apo thjesht për të emëruar persona, por që, as stafet e emëruar dhe as mbështetja e tyre nuk është në nivelin e kërkuar. Ndaj është mëse e nevojshme të faktohet përkushtimi dhe vëmendja ndaj detyrimeve që kemi në rrugëtimin tonë të përbashkët.

Së dyti, shfrytëzimin e asistencës së BE (si për shembull Zyrat me Një Ndalese & Planet e Integritetit) për të modernizuar dhe ofruar qytetarëve shërbimet e nevojshme, të cilat mbeten një prioritet i Qeverisë Shqiptare në konsolidimin e kapaciteteve të Njësive të Vetëqeverisjes Vendore dhe qasjen gjithëpërfshirëse dhe transparente ndaj qytetarëve.

Së treti, shfrytëzimin e mundësive për të aplikuar në skema të ndryshme grantesh, tashmë të disponueshme për bashkitë e Shqipërisë. Kjo, patjetër e gërshetuar në mënyrë të qëndrueshme me mbështetjen e Ministrisë së Brendshme ndaj Njësive të Vetëqeverisjes Vendore, si dhe asistencës së BE për  forcimin e kapaciteteve të tyre me synim rritjen e përthithjes së fondeve të BE-së.

Me lejoni të theksoj se, mundësitë tashmë po ofrohen, ne duhet t`i shfrytëzojmë këto mundësi, duhet të punojmë fort që të tregojmë se tashmë bashkitë shqiptare janë të afta të zbatojnë vetë projektet e financuara nga BE.

Ju, së bashku me ne jemi përpara një testi të cilin duhet ta kalojmë me sukses.

Sa më shumë projekte të zbatuara me sukses, sa më pak probleme në zbatimin dhe disbursimin e fondeve të granteve, aq më shumë do të rriten shanset që skema të reja grantesh të hapen për bashkitë, pasi ju të ofroni garancinë për sukses.

Edhe pse ky rrugëtim mund të ketë sfida, koordinimi midis dy nivele të qeverisë dhe mbështetja e Delegacionit Europian në nivel vendor jep garancinë e suksesit të këtij rrugëtimi.

Mbetemi shpresë plotë dhe optimist se pushteti vendor, mbështetur patjetër në vlerat dhe cilësitë menaxheriale të drejtuesve të tyre, do të përmbushë me sukses detyrimet dhe përgjegjësitë e veta, për të plotësuar atë që është aspiratat e shumicës prej nesh, aderimin në BE.