Masat për finalen uropiane të futbollit/25 maji, ditë pushimi për institucionet publike në qarkun Tiranë - Ministria e Brendshme
Postuar më: 18/05/2022

Masat për finalen uropiane të futbollit/25 maji, ditë pushimi për institucionet publike në qarkun Tiranë

VIDEO – Komunikimi për media i Ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi, pas mbledhjes së qeverisë:

Sot, Qeveria mori vendimin që datën 25 maj ta shpallë si ditë pushimi për të gjithë institucionet publike që janë pjesë e qarkut të Tiranës. Pra, do të jetë një ditë pushimi për të gjithë zyrtarët publikë të qarkut të Tiranës.

Kjo masë merret në vazhdimin e masave që po marrim për të organizuar në mënyrë sa më shembullore një nga eventet më të mëdha që i ka ndodhur Shqipërisë, siç është finalja e Konferencës së Ligës Europiane (Uefa Conference League), ku ne presim që të ketë një fluks njerëzish që do vijnë jo vetëm nga Italia dhe Holanda, për të ndjekur këtë finale.

Deri tani kemi një pritshmëri dhe interes nga gati 5-6 herë më shumë njerëz për bileta seç ka kapacitet stadiumi “Air Albania”. Kështu që ne po marrim të gjitha masat që ajo ditë të jetë një ditë feste për të gjithë, jo vetëm pra për sportdashësit italianë dhe holandezë.

Masa të tjera që janë po aq të rëndësishme dhe që duhet të komunikojmë me publikun, janë ajo që lidhet me kufizimin e qarkullimit në Tiranë.

E para, atë ditë, data 25, do të jetë një ditë pa makina, nuk do të ketë në të gjithë Tiranën qarkullim të makinave, kuptohet përveç urgjencave dhe sigurisht nevojave të të gjitha organeve që do të merren me mbarëvajtjen e eventit.

Ajo që është e rëndësishme është që të gjitha akset hyrëse në Tiranë do të bllokohen në datë 25, deri në orën 6 pasdite. Që do të thotë, kushdo që do t’i bashkohet festës së finales së madhe në Tiranë në datë 25 që nuk është nga Tirana, mund të vijë në Tiranë mbas orës 6 të pasdites.

Kështu do të garantojmë që i gjithë fluksi i jashtëzakonshëm dhe besoj i paparë ndonjëherë në Tiranë për kohë kaq të shkurtër, të menaxhohet në mënyrë sa më shembullore për ta kthyer, ashtu siç është në fakt, këtë event, në një festë të madhe jo vetëm të sportdashësve italianë dhe holandezë por një festë të madhe të të gjithë Shqipërisë. Faleminderit.