Ligji i ri për Azilin/Risitë dhe çfarë parashikon akti - Fjala e ministrit në Kuvend - Ministria e Brendshme
Postuar më: 01/02/2021

Ligji i ri për Azilin/Risitë dhe çfarë parashikon akti – Fjala e ministrit në Kuvend

Delegacioni i BE dhe UNHCR në Shqipëri mirëpresin miratimin e një ligji të ri mbi Azilin nga Parlamenti i Shqipërisë

Ligji i ri për azilin i miratuar sot, në Kuvend, e afron Shqipërinë me standardet ndërkombëtare dhe legjislacionin e BE-së për çështjen e rëndësishme të menaxhimit të duhur të refugjatëve dhe migrantëve që hyjnë në territorin shqiptar. Ai garanton që personat që kërkojnë azil të kenë qasje në procedurën e azilit, rregullon kushtet për përpunimin e kërkesave të tyre dhe ofron garanci shtesë për trajtimin e kategorive të ndjeshme midis azilkërkuesve – siç janë të miturit e pashoqëruar. Ligji, gjithashtu, përforcon kornizën për integrimin e refugjatëve. Ai, po ashtu, përfshin një procedurë të përshpejtuar për të vlerësuar kërkesat e azilit në mënyrë të shpejtë, kur plotësohen kushtet.

Autoritetet shqiptare kanë punuar ngushtësisht me BE-në dhe UNHCR-në në periudhën para miratimit të ligjit. BE-ja dhe UNHCR-ja do të vazhdojnë të angazhohen me autoritetet për të siguruar që aktet nënligjore të ardhshme dhe zbatimi aktual i ligjit të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe ato të BE-së. Kjo vazhdimësi, është gjithashtu një pjesë thelbësore e mbështetjes që Zyra Evropiane e Mbështetjes së Azilit (EASO) do t’u sigurojë autoriteteve shqiptare, në përputhje me Udhërrëfyesin që të dy palët kanë miratuar kohët e fundit, si dhe do të lehtësojë përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë në Forumin Global të Refugjatëve të UNHCR-së.

Fjala e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi në seancë parlamentare, për projektligjin “Për Azilin” – VIDEO

I nderuar z. Kryetar i Kuvendit,
Të nderuar kolegë,

Njësoj si në gjithë Europën apo edhe në Ballkanin Perëndimor, edhe Shqipëria është prekur nga flukset migratore, të cilat përbëhen nga refugjatë dhe azilkërkues, migrantë, viktima të trafikimit, të mitur të pashoqëruar dhe të ndarë, si dhe persona pa shtetësi.

Republika e Shqipërisë ka tashmë një sistem azili për të cilin po punohet gjithmonë e më shumë, dhe po përpiqet për çdo ditë për t’iu afruar standardeve europiane, duke realizuar funksionimin e plotë të procedurave në përcaktimin e statusit të refugjatit për personat që kërkojnë azil.

Republika e Shqipërisë aderon që prej 1992 në konventën “Për statusin e refugjatëve”, nënshkruar në Gjenevë në 1951 dhe në protokollin “Për statusin e refugjatëve”, nënshkruar në Nju Jork, në 1967.

Më pas, Shqipëria ka nënshkruar dhe miratuar edhe marrëveshjen ndërmjet Qeverisë së Shqipërisë dhe Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët. Është ratifikuar, gjithashtu Konventa e vitit 1954, lidhur me statusin e personave pa shtetësi, si dhe konventa e vitit 1961 për reduktimin e pashtetësisë. Përmes këtyre akteve, Shqipëria është radhitur në krah të vendeve juridikisht të qytetëruara, duke promovuar dhe përhapur vlerat e njerëzimit.

Nga ana tjetër, marrëveshja e Stabilizim-Asociimit përcakton se bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian do të përqendrohet në zbatimin e legjislacionit të brendshëm për përmbushjen e standardeve të Konventës së Gjenevës dhe protokollit të Nju Jorkut, për të siguruar respektimin e parimit të mos-kthimit të individit në atë vend që përbën kërcënim për jetën e tij, si dhe të drejtave të azilkërkuesve e refugjatëve.

Çështjet e trajtimit të azilkërkuesve janë edhe subjekt gjithnjë edhe më e shpeshtë kjo, i trajtimit edhe nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut. Duke qenë se kjo Konventë dhe autoriteti i Gjykatës së Strasburgut kanë një vend të veçantë në Kushtetutën dhe të drejtën e brendshme në Shqipëri, ky fakt përbën shtysë tjetër për rregullimin më të plotë ligjor e në përputhje me detyrimet e standardet ndërkombëtare të fushës së azilit.Legjislacioni aktual megjithëse nuk është shumë i hershëm, pra vetëm i vitit 2014, ka hasur në zbatim disa problematika, dhe prandaj vijmë sot me një propozim të ri, dhe kryesisht në dy drejtime kryesore:

-E para, në transpozimin dhe jetësimin e direktivave të reja të rekomanduara nga Bashkimi Europian;

-E dyta, në rregullimin dhe plotësimin e mungesave ligjore të evidentuara gjatë analizave nga struktura përgjegjëse për azilin, por edhe nga partnerët tanë me të cilët bashkëpunojmë si UNHCR, EASO, etj.

Shkurtimisht, cilat janë risitë e këtij ligji:

– E para, parashikohet rritja e nivelit të bashkëpunimit midis institucioneve përgjegjëse, duke zgjidhur mangësitë në këtë drejtim, duke niveluar strukturat përkatëse për të marrë përgjegjësitë që në momentin e parë, në pikat e kalimit kufitar dhe në brendësi të territorit ku kontaktohet me azilkërkuesit;

– Risi tjetër është mbajtja e të dhënave nëpërmjet regjistrit të azilit, rezultat i ngritjes dhe jetësimit të data-bazës (regjistrit elektronik te azilkërkuesve dhe personave në mbrojtje ndërkombëtare), i cili është bërë funksional për herë të parë në vitin 2018;

– Gjithashtu nisma ligjore sanksionon bashkëpunimin me organizatat ndërkombëtare, që ofrojnë asistencë duke shtuar gamën e tyre;

– Një disiplinim i rregullave dhe procedurave për shtetasit azilkërkues është parashikuar nisur nga shqetësimet në vite, gjatë akomodimit të tyre pranë Qendrës së Hapur për Azilkërkuesit. Përveç të drejtës për të lëvizur lirshëm nga momenti i paraqitjes së kërkesës, janë përcaktuar rregulla dhe kufizime në rast konstatimi të shkeljeve të rënda, të cilat mund të sjellin pasoja në jetën apo shëndetin e komunitetit ku banojnë, por edhe më gjerë në zonën ku ndodhet qendra e hapur;

– Është parashikuar ndihmë juridike e garantuar nga shteti për kërkuesit dhe për ata shtetas që gëzojnë mbrojtjen ndërkombëtare, e cila deri më sot ofrohej nga organizata ndërkombëtare;

– “Komisioni për Azilin dhe Refugjatët” ri-formatohet në strukturë, përbërje e status, duke rritur rëndësinë dhe nivelin e përfaqësimit, pasi emërimi bëhet nga Këshilli i Ministrave;- Në projektligj është parashikuar njoftimi i kërkuesit në rastin e refuzimit/mospranimit/revokimit apo çdo forme të përfundimit të statusit të mbrojtjes plotësuese. Kjo mundëson vijimin e procedurave ligjore, e cila nuk ka qenë parashikuar, duke sjellë si pasojë mos largimin e personave me qëndrim të parregullt nga territori i Republikës së Shqipërisë.

Të nderuar kolegë,

Shqipëria është një nga vendet që ka vendosur ‘Axhendën 2030’, pjesë të prioriteteve kombëtare dhe gjithashtu ka mirëpritur Marrëveshjen Globale mbi Migracionin dhe objektivat e saj. Ndaj, duke e mbyllur ju ftoj ta votojmë këtë nismë me shumë rëndësi. Faleminderit.